Mbrëmësorja

Java e tetë e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E enjte

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   Hyj, që me ndriçim t’pastër

   dritën shestove, o Zot,

   ne lumninë tënde lypim

   nësa dita n’kthesë përkulet.

 

   Tani dielli n’muzg shpejtuar

   nxiton n’prendim të vet,

   me terrinë mbështjell botën

   tue mbajtë radhën e vet.

 

   Mirëpo, ti o Zot i epër (i lartë),

   shërbtorët tu që luten

   lodhur nga puna e ditës

   mos i lër n’terr të ndrydhen.

 

   Që jo t’errësuar në mendje

   të na ikë koha e ditës,

   por me hir tënd të mbrojtur

   të shohim dritë fatmadhe.

 

   Bëj, o Atë, tërë i drejti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushllimtar

   sundues ndër gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Në ty shpresoj, o Zot, dashuria ime dhe strehimi im.

 

   Psalmi 144 /143/ I (1-8) Lutja e Mbretit për fitore dhe për paqe

 

   Duart e tija e filluan luftën kur ai e mundi mbretërinë e së keqes. Ai tha: Keni besim në mua, unë e munda botën! (Krh. Gjn 16, 33) (Shën Ilari).

 

Qoftë bekuar Zoti, ndihmëtari im †

   që m’i mëson duart për luftim *

   e gishtërinjtë për luftë.

 

Mëshira ime dhe kështjella ime, *

   strehimi im dhe çlirimtari im,

shqyti im pas të cilit fshihem, *

   ai që popullin tim e vë nën sundimin tim.

 

O Zot, e ç’është njeriu që t’i japësh rëndësi, *

   biri i njeriut që të kujdesesh për të?

Njeriu i përngjan avullit, *

   ditët e tij si hija që kalon.

 

O Zot, priri qiejt e tu e zbrit, *

   preki malet e ato le të tymojnë.

Gjuaj rrufe e shpërndaji armiqtë, *

   flakëro shigjetat dhe shpartalloji!

 

Shtrije dorën tënde prej së larti †

   më shpëto e më nxirr prej ujërave të mëdha, *

   prej kthetrave të bijve të huaj,

 

goja e të cilëve gënjeshtra veç flet, *

   e djathta e të cilëve ngrihet për t’u betuar në rrenë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Në ty shpresoj, o Zot, dashuria ime dhe strehimi im.

 

Ant. 2 Lum ai popull që Hyjin e ka Zot!

 

   Psalmi 144 /143/ II (9-15) Lutja e Mbretit

 

   Hyji na ngjalli në Jezu Krishtin që ta tregojë në shekujt e ardhshëm pasurinë e patregueshme të hirit të tij nëpërmes mirësisë së tij ndaj nesh (krh. Ef 2, 6. 7).

 

O Zot, për ty do ta këndoj një këngë të re, *

   për ty do të luaj në harpën dhjetë kordash,

sepse mbretërve ti u jep fitoren, *

   e shpëton Davidin, shërbëtorin tënd,

   prej shpatës vrastare.

 

Më shpëto e më liro *

   prej kthetrave të bijve të të huajve,

goja e të cilëve gënjeshtra veç flet, *

   e djathta e të cilëve ngrihet për t’u betuar në rrenë.

 

Bëj që fëmijët tanë të jenë porsi pema *

   që rritet në rininë e vet,

bijat tona porsi shtyllat e këndeve, *

   të hijshme porsi shtyllat e Tempullit.

 

Drithnikët tanë mbushi plot e përplot *

   me gjithfarë frytesh me mbushulli,

 

dhentë tona me mijëra u shtofshin, †

   të panumërta nëpër fushat tona, *

   gjedhet tona të majme e të shëndosha.

 

Rrënime as sulme mos pastë në muret tona, *

   as vaj e gjëmë ndër sheshet tona!

 

Lum ai popull që i ka këto të mira, *

   lum ai popull që Hyjin e ka Zot!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Lum ai popull që Hyjin e ka Zot!

 

Ant. 3 Ja tani koha e shëlbimit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë.

 

   Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a Gjyqi i Zotit

 

Po të falënderojmë, o Zotëri,

   Hyj i Gjithëpushtetshëm, *

   ty që je, ty që ishe,

 

sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *

   dhe e more mbretërimin!

 

Paganët u hidhëruan,

   por arriti zemërimi yt! *

   Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,

 

koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *

   profetët dhe shenjtërit

dhe për të gjithë ata që e druajnë Emrin tënd *

   - për të vegjël e të mëdhenj.

 

Ja, tani koha e shëlbimit,

   e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *

   dhe e sundimit të Krishtit të tij!

 

Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *

   që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

 

Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit

   dhe në saje të dëshmisë së vet: *

   nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.

 

Prandaj galdo, o qiell, *

   galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ja tani koha e shëlbimit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë.

 

   Leximi i shkurtër Krh. Kol 1, 23

 

   Duhet të qëndroni të themeluar në fe, të qëndrueshëm dhe të palëkundshëm në shpresën që jep Ungjilli, për të cilin dëgjuat, i cili iu predikua secilës krijesë nën qiell.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Zoti është bariu im: * asgjë nuk më mungon.

   Zoti është bariu im: asgjë nuk më mungon.

   D Më mballon kullotave të gjelbra,

   asgjë nuk më mungon.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Zoti është bariu im: asgjë nuk më mungon.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Atë që ka uri për drejtësi, Zoti e mbush me të mira.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Atë që ka uri për drejtësi, Zoti e mbush me të mira.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Me besim të plotë t’i lutemi Krishtit, Dritës së popujve dhe gëzimit të çdo njeriut:

 

   Na jep, o Krisht, dritë, paqe dhe shpëtim!

 

Jezu Krisht, dritë që s’perëndon, Fjala e Zotit dhe Shëlbuesi i botës:

drejtoji katekumenët e Kishës sate në udhën e së vërtetës.

O Krisht, mos i shiko mëkatet tona:

shlyeji në mëshirën tënde

Ti dëshiron që njerëzit me mendjen e tyre t’i hulumtojnë misteret e natyrës:

bëj që shkenca dhe teknika t’i shërbejnë lavdisë sate, dhe të mirës së të gjithë njerëzve.

Mbroji të gjithë ata që iu kushtuan shërbimit të njeriut:

bëj që misionin e vet ta kryejnë lirisht dhe në paqe.

O Zot, ti që i ke çelësat e jetës e të vdekjes,

merri në dritën tënde të vdekurit që ndërruan jetë me shpresë të ringjalljes.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Zot, ji i mëshirshëm, dëgjoje popullin tënd të bashkuar në lutje dhe kujdesohu për ne, dhe, pasi na dhe hirin e besimit, të na japësh edhe trashëgimin e amshuar bashkë me Birin tënd të ngjallur. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.