Mbrëmësorja
Java e tetë e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
E premte
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
N’orën njëmbëdhjetë të kaluara
merr dita drejt nga mbrëmja
të gjithë me qejf të shpalosim
këngën që na thotë zemra.
Kaloi puna e ditës
ku, o Krisht, na kishe mbledhur;
jepu bujqve të vreshtit
dhuntitë e lumnisë që u premtove.
Ata që i thërret me pagë
e që i shpërblen në t’ardhmen,
ne në punë ndihmona
e na rimëkëmb pas pune.
O Krisht, mbret krejt i drejti,
Ty e Atit ju qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Çdo ditë të bekoj, o Zot, i kujtoj veprat e dashurisë sate.
Psalmi 145 /144/ I (1-13) Lavdi Lartmadhërisë hyjnore
E pashqyrtueshme është pasuria e Krishtit. Doli në dritë para të gjithëve, me anë të Kishës, misteri i fshehur qysh prej amshimit nëpër Jezu Krishtin, Zotërinë tonë (Krh. Ef 3, 8-11).
Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im, *
dhe do ta bekoj Emrin tënd përgjithmonë e jetë.
Çdo ditë do të të bekoj *
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
përgjithmonë e jetë.
Zoti është i madh e i lavdërueshëm, *
e pashqyrtueshme është madhëria e tij!
Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua *
dhe do ta shpallin pushtetin tënd.
Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate, *
do t’i tregojnë mrekullitë e tua.
Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, *
do t’i kumtojnë veprat e madhërishme të tuat.
Do ta përhapin kujtimin e hirësisë sate të madhe, *
do t’i brohorisin drejtësisë sate.
Zoti është vetë butësia e mëshira, *
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë, *
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
Le të të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua *
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate, *
le të kuvendin për pushtetin tënd,
për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde *
dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.
Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme, *
pushteti yt prej breznie në brezni.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Çdo ditë të bekoj, o Zot, i kujtoj veprat e dashurisë sate.
Ant. 2 Sytë e të gjithëve janë drejtuar me shpresë te ti, o Zot.
Psalmi 145 /144/ II (14-21) Mbretëria jote është mbretëri e amshuar
Qoftë bekuar Hyji. Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror (Ef 1, 3).
Besnik është Zoti në të gjitha premtimet e veta, *
i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti ua jep dorën atyre që u merren këmbët, *
i çon ata që rrëzohen.
Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty, *
ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ti e hap dorën tënde *
dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.
I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta *
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin, *
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.
E plotëson dëshirën e atyre që e druajnë, *
ua dëgjon britmën dhe i shpëton.
Zoti i ruan të gjithë ata që e duan, *
kurse të paudhët të gjithë do t’i shuajë.
Goja ime do ta shfaqë lavdinë e Zotit, †
çdo njeri do ta bekojë Emrin e tij të shenjtë *
përgjithmonë e jetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Sytë e të gjithëve janë drejtuar me shpresë te ti, o Zot.
Ant. 3 Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o Mbret i popujve!
Kënga Krh. Zb 15, 3-4 Himn adhurimi dhe lavdi
Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †
o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *
Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
o Mbreti i popujve!
Kush të mos të druajë ty, o Zot, †
dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *
Ti i vetmi, je Shenjti!
Të gjitha kombet do të vijnë †
dhe do të adhurojnë para Teje, *
sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o Mbret i popujve!
Leximi i shkurtër Rom 8, 1-2
Nuk ka tani kurrfarë dënimi për ata që janë në Jezu Krishtin. Sepse, Ligji i Shpirtit Shenjt që më jep jetën në Jezu Krishtin, më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.
Përgjigjja e shkurtër
C Krishti vdiq për mëkatet tona
* për të na kthyer tek Ati.
Krishti vdiq për mëkatet tona për të na kthyer tek Ati.
D I vdekur në mish, por i gjallë në shpirt,
për të na kthyer tek Ati.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Krishti vdiq për mëkatet tona për të na kthyer tek Ati.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Le të të bjerë në mend, o Zot, mëshira jote, si u pate premtuar etërve tanë.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Le të të bjerë në mend, o Zot, mëshira jote, si u pate premtuar etërve tanë.
Lutjet e besimtarëve
T’i lutemi Krishtit, në të cilin shpresojnë të gjithë ata që e njohën Emrin e tij dhe me besnikëri t’ i brohorasim:
O Krisht, ki mëshirë!
O Krisht, Shpëtimtari ynë, dobësitë tona na shtyjnë drejt së keqes:
— na forco me hirin tënd.
O Krisht, ngushëllues i të përvuajturve, ki mëshirë për ne mëkatarët:
— bëhu fuqia jonë në faljen e mëkateve.
Ty mëkati të fyen, kurse pendimi të gëzon:
— largoje prej nesh hidhërimin, që e kemi merituar me mëkate.
Ti e ke falur gruan e penduar dhe delen e humbur e ke marrë mbi supe:
— mos e largo dashurinë tënde prej nesh.
Të gjithë atyre që gjatë jetës tokësore kanë shpresuar në ty:
— hapua derën e parajsës dhe merri në jetën e amshuar.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti deshe që Biri yt të pësonte për ne mundimet e kryqit për të na liruar nga pushteti i djallit; bëj që ne, shërbëtorët e tu, ta fitojmë hirin e të ngjallurit. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.