Mbrëmësorja
E kremtja e Trinisë së Shenjtë
E diela I pas Rrëshajëve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.
Pason himni i përshtatshëm.
Himni
Trini e pamasë një e vetme,
që me pushtet gjithë kohët
krijon dhe i drejton
para shekujve qëndron.
Ti vetëm gëzimplote
mjafton për lumturinë tënde;
e dëlire, e thjeshtë, largpamëse
ti mban tok qiejt e rruzullimin.
O Atë, tërë gurra e hirit,
Ti Drita e lavdisë s’Atit
Shpirti Shenjt i të dyve
dashuri e pakufishme.
Prej teje burimi i epër,
Trini mirëdashëse, rrjedh
çdo gjë që mban krijesat
dhe me stoli i përsos.
Atyre u fal kurorën
e birësimit të ngushtë,
ne na bëj tempuj të hijshëm
me të pëlqyer paprerë.
O dritë e gjallë, me engjëjt
na mblidh në treme qiellore,
për jetë lavde dashurie
të këndojmë ty mirënjohës. Amen.
Ant. 1 O Trini e madhërueshme dhe e amshuar: Atë, Bir dhe Shpirt Shenjt.
Psalmi 110 /109/ (1-5. 7)
I tha Zoti Zotit tim: *
»Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e tu *
shtrojë për këmbët e tua!«
Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *
sundo midis armiqve të tu!
Ty të përket më i larti pushtet *
në ditën e fuqisë sate
në shkëlqime të shenjta *
nga kraharori para Yllit të Dritës
unë të linda.
Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *
Ti je prift për amshim
në mënyrën e Melkizedekut.«
Zoti është në të djathtën tënde, *
i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.
Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *
prandaj lart do ta ngrejë kokën.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 O Trini e madhërueshme dhe e amshuar: Atë, Bir dhe Shpirt Shenjt.
Ant. 2 Liro, shpëto, dhuroje jetën, o Trini e lume dhe e lavdishme!
Psalmi 114 /113 A/ (1-8)
Kur Izraeli doli nga Egjipti, *
Shtëpia e Jakobit nga populli barbar,
Judeja u bë Shenjtërorja e tij, *
Izraeli zotërimi i tij.
Pa deti dhe i bëri rrugë, *
Jordani u kthye prapazi,
malet kërcyen si desh, *
kodrat porsi qengja delesh!
Ç’ pate, o det, që ike? *
E ti, o Jordan, që u ktheve prapazi?
Ju, o male, pse kërcyet si desh, *
e ju, o kodra, porsi qengja delesh?
Dridhu, o tokë, para fytyrës së Zotit, *
para fytyrës së Hyjit të Jakobit,
që e shndërron shkëmbin në liqen ujërash *
edhe qetën në burim uji të gjallë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Liro, shpëto, dhuroje jetën, o Trini e lume dhe e lavdishme!
Ant. 3 Shenjt! Shenjt! Shenjt është Zoti Hyji i gjithëpushtetshëm, që ishte, që është dhe që do të vijë.
Kur këndohet kjo këngë, atëherë Aleluja mund të përsëritet disa herë çdo dy apo katër rreshta.
Kënga Krh. Zb 19, 1-7 Dasma e Qengjit
Aleluja!
Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, *
(C Aleluja.)
sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij *
(C Aleluja.)
të gjithë ju që e droni - të vegjël e të mëdhenj!
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Mbretëron Zoti, *
(C Aleluja.)
Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi!
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Le të galdojmë e të brohorasim *
(C Aleluja.)
dhe t’i japim lavdi Atij.
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Sepse erdhi Dasma e Qengjit! *
(C Aleluja.)
Gati është Nusja e tij.
C Aleluja (aleluja).
Ant. 3 Shenjt! Shenjt! Shenjt është Zoti Hyji i gjithëpushtetshëm, që ishte, që është dhe që do të vijë.
Leximi i shkurtër Ef 4, 3-6
Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S'ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm ‑ sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes tuaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Ati i të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë.
Përgjigjja e shkurtër
C Vetëm Hyjit i qoftë nderi: * atij lavdia në shekuj.
Vetëm Hyjit i qoftë nderi: atij lavdia në shekuj.
D Qoftë bekuar Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt:
atij lavdia në shekuj.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Vetëm Hyjit i qoftë nderi: atij lavdia në shekuj.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Atë, jo i lindur, Bir i vetëm, Shpirt Mbrojtës, Trini e Shenjte dhe e pandashme, me të gjitha fuqitë të brohorasim: Lavdi të qoftë në shekuj.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Atë, jo i lindur, Bir i vetëm, Shpirt Mbrojtës, Trini e Shenjte dhe e pandashme, me të gjitha fuqitë të brohorasim: Lavdi të qoftë në shekuj.
Lutjet e besimtarëve
Hyji Atë, për virtyt të Shpirtit Shenjt, e lavdëroi njerëzinë e Krishtit dhe e bëri për ne burim jete dhe shëlbimi. Të bashkuar në lutjen e mbrëmjes ta adhurojmë Trininë e Shenjtë:
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Atë, Hyji i amshuar dhe i gjithëpushtetshëm, në emër të Birit tënd dërgoje në Kishën tënde Shpirtin Shenjt, Mbrojtës
— që ta ruajë në bashkësinë e dashurisë dhe në të vërtetën e përkryer.
Dërgo, o Zot, punëtorë në vreshtin tënd t’i mësojnë mbarë popujt dhe t’i pagëzojnë në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt
— dhe t’i forcojnë në fe.
Ndihmoju, o Zot, atyre që pësojnë vuajtje për shkak të emrit të Birit tënd
— Shpirti Shenjt që ua premtoi le t’i jep dëshmi përmes gojës së tyre.
Bëj që të gjithë njerëzit të të njohin Ty, o Atë, që me Birin dhe me Shpirtin Shenjt je i vetmi Hyj
— të besojnë në ty, të shpresojnë në ty, të jetojnë në dashurinë tënde.
Atë i të gjithë të gjallëve, bëj që të vdekurit të jenë pjesëmarrës në lavdinë e qiellit
— në të cilën Biri yt dhe Shpirti Shenjt së bashku me ty mbretërojnë në amshim.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj Atë, ti e ke dërguar në botë Birin tënd, Fjalën e së Vërtetës dhe Shpirtin shenjtërues për t’u zbuluar njerëzve misterin e jetës sate, bëj, që me dëshmimin e besimit të vërtetë, ta njohim lavdinë tënde dhe ta adhurojmë Një të Vetmin Hyj në Tri Veta. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.