Mbrëmësorja
1 qershor, Shën Justini, martir
Lutjet e mbrëmjes
Himni
Zot, fati e kurora
e çmimi i ushtarëve tu,
duke i kënduar lavd martirit,
na zgjidh nga lidhja e krimit.
Ky e dëshmoi me gojë
çka i besoi arka e zemrës,
Krishtin tue ndjekë e gjeti,
e për të derdhi gjakun.
Vërtet gëzimet e botës
duke i vlerësuar lajka
të damshme e të mrazta,
arriti ndër qiellorët.
Me forcë përshkoi mundimet,
dhe burrërisht i mbarti,
për ty duke derdhë gjakun
gëzon dhuntitë e amshueshme.
Ndaj me këtë lutje t’zjarrtë,
o mëshirëplotë, të lypim
në këtë ngadhënjim t’martirit
ne robve na i fal fajet.
Që t’arrijmë nga meritat
e këtij me të t’bashkohemi,
e për amshim të gëzohemi
tok në selitë e qiellit.
Lavdi e lumni e amshueshme
Ty, Atë, të qoftë me Birin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllues
ndër shekujt e gjithë shekujve. Amen.
Ose një himn tjetër apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 I drejtë është Zoti, njerëzit e drejtë do ta shohin fytyrën e tij.
Psalmi 11 /10/ (1-7) Shpresa e të drejtit është në Zotin
Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi sepse do të ngihen (Mt 5, 6).
Jam ndore të Zotit!
Përse atëherë i thoni shpirtit tim: *
»Fluturo si shpend në mal!
Ja, bakëqijtë harkun e shtrënguan, †
mbi kordë shigjetën vendosën *
për t’i shigjetuar fshehtas të drejtët.
Kur themelet janë të luhatura, *
çfarë mund të bëjë i drejti?«
Zoti është në Tempullin e vet të shenjtë, *
Zoti fronin e ka në qiell.
Sytë e tij vëzhgojnë të vobektin, *
qerpikët e tij shqyrtojnë bijtë e njerëzve.
Zoti shqyrton të drejtin e të paudhin, *
ai e urren atë që e do paudhësinë.
Mbi mëkatarë do të bëjë të bjerë prush: *
zjarr, sulfur e stuhi është pjesa e trashëgimit të tyre.
Zoti është i drejtë e drejtësinë e ka për zemër: *
të drejtët do ta shikojnë fytyrën e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 I drejtë është Zoti, njerëzit e drejtë do ta shohin fytyrën e tij.
Ant. 2 Lum të pastrit në zemër, sepse ata do ta shohin Zotin.
Psalmi 15 /14/ (1-5) Kush është i denjë të qëndrojë para Zotit?
I jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë (Heb 12, 22).
O Zot, e kush do të guxojë të hyjë në tendën tënde? *
Kush do të guxojë të banojë në malin tënd të shenjtë?
Vetëm ai që jeton me nder, *
që vepron me drejtësi
e prej zemrës flet të vërtetën, *
që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton, *
që shokun nuk e çnderon:
ai që bakeqin e mban për asgjë *
e i çmon ata që e druajnë Zotin,
ai që i përbehet dashamirit të vet
dhe ia mban fjalën, †
nuk jep të holla me kamatë *
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu *
kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Lum të pastrit në zemër, sepse ata do ta shohin Zotin.
Ant. 3 Ati na zgjodhi në Krishtin që të jemi bij të tij.
Kënga Krh. Ef 1, 3-10 Hyji shpëtimtar
Qoftë bekuar Hyji.*
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
në qiell në Krishtin.
Në Të na zgjodhi *
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
para Tij në dashuri.
Ai na parashënoi për vete *
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
me pëlqimin e vullnetit të vet
për nder të lavdisë së hirit të tij *
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
e fituam shpërblimin;
në Të na u falën fajet *
me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
bashkë me çdo urti e kuptim.
Ai na vuri në dijeni *
mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
qysh më parë ta kryente në Të
kur të plotësohej koha: *
të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësitë *
që janë në qiell e në tokë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ati na zgjodhi në Krishtin që të jemi bij të tij.
Leximi i shkurtër 1 Pjt 4, 13-14
Fort të dashur, gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare. Të lumët ju në qoftë se ju fyejnë për shkak të Emrit të Krishtit, sepse Shpirti i Lavdisë, i Hyjit, pushon në ju.
Përgjigjja e shkurtër
C O Hyj, ti na vure në sprovë * dhe na dhé fuqi.
O Hyj, ti na vure në sprovë dhe na dhé fuqi.
D Ti na sprovove me flakë, si argjendin,
dhe na dhé fuqi.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Hyj, ti na vure në sprovë dhe na dhé fuqi.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Një zjarr i papritur u ndez në mua: qeshë kapluar prej dashurisë për profetët dhe për miqtë e Krishtit, aleluja.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Një zjarr i papritur u ndez në mua: qeshë kapluar prej dashurisë për profetët dhe për miqtë e Krishtit, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Në orën në të cilën Krishti, mbreti i martirëve, e dhuroi jetën e vet në darkën e Pashkëve dhe në fli të përgjakur përmbi kryq, le t’i ngritet atij lavdi i Kishës:
Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Krisht, shkaku dhe shembulli i çdo martirizimi, sepse na deshe deri në fund,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse i thirre mëkatarët e penduar në shpërblimin e jetës së pasosur,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse i urdhërove Kishës sate që të kushtonte gjakun e besëlidhjes së re dhe të amshuar, të derdhur për shpërblimin e mëkateve,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse në këtë ditë na dhe hirin që të qëndrojmë në fe,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse shumë vëllezër e motra i bëre pjesëtarë të vdekjes sate shëlbimprurëse,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti i mësove shën Justinit, dëshmorit tënd, me anën e marrëzisë së Kryqit, më të lartën dije, Jezu Krishtin. Bëj që, me ndërmjetësinë e tij, të largohemi nga gabimet që na rrethojnë e të jemi të qëndrueshëm në fe. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.