Mbrëmësorja
Java e Nëntë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
E martë
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Krijues i madh i rruzullit,
që nxjerr truallin e botës,
duke ndarë ujërat e mërzitshme,
të patundshme e bëre tokën.
Duke hedhur farë gratçore,
me lule të kuqe e mbushe,
mbarsur me fryt të harlisej
e ushqim të këndshëm të jepte.
Plagët e mendjes së djegur
pastro me forcë të hirit,
që me vaj të shlyejë veprat,
të shuajë hovet e mbrapshta.
Urdhrave të tu t’u bindet,
asnjë ligësi të mos qasë,
të gëzojë duke u mbushur me të mira,
të mos njohë shfaqje vdekjeje.
Bëj, o Atë tërë i drejti,
dhe o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar
sundues në shekujt e shekujve. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Lartësoje, o Zot, Krishtin tënd dhe ne do t’i këndojmë ngadhënjimit tënd.
Psalmi 20 /19/ (2-10) Lutje për fitoren e Mbretit-Mesi
Kushdo ta thërrasë në ndihmë Emrin e Zotit, do të shëlbohet (Vap 2, 21).
Të dëgjoftë Zoti në ditë të vështirë, *
zot të daltë Emri i Hyjit të Jakobit!
Ta çoftë ndihmën prej Shenjtërores *
e të mbroftë nga Sioni!
i rëntë në mend për të gjitha flitë e tua, *
u kënaqtë në flinë tënde të shkrumbimit!
I plotësoftë të gjitha dëshirat e tua, *
i çoftë në vend të gjitha synimet e tua!
U gëzofshim për ngadhënjimin tënd, †
lart i ngritshim flamujt për nder të Emrit të Hyjit! *
I plotësoftë Zoti të gjitha kërkesat e tua!
Tani po e di se Zoti e shpëton të shuguruarin e vet, †
e dëgjon nga qielli i vet i shenjtë *
me fuqi ngadhënjyese të së djathtës së vet.
Disa mburren me qerre e disa me kuaj: *
ne në Emër të Zotit, Hyjit tonë, jemi të fortë.
Ata rrëshqitën dhe u rrëzuan, *
ne qëndrojmë drejt, të pathyeshëm.
O Zot, shpëtoje mbretin tonë, *
na dëgjo kur të të thërrasim në ndihmë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Lartësoje, o Zot, Krishtin tënd dhe ne do t’i këndojmë ngadhënjimit tënd.
Ant. 2 I këndojmë këngë dhe himne pushtetit tënd, o Zot.
Psalmi 21 /20/ (2-8. 4) Falënderim për fitoren e Mbretit-Mesi
Në ringjallje e pranoi jetën dhe lavdinë për të gjithë shekujt e shekujve (Shën Ireneu).
O Zot, mbreti gëzohet në saje të fuqisë sate, *
plot hare e mbush shpëtimi yt.
Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij, *
nuk i përbuze lutjet e buzëve të tij.
Që më parë i dhe bekime të mëdha: *
mbi krye i vure kurorë ari të kulluar.
T’u lut për jetë e ti i dhe *
ditë të shumta - në jetë të jetës.
E madhe është lavdia e tij në shpëtimin tënd: *
e stolise me madhëri e me shkëlqim.
Ti e bëre bekim përgjithmonë, *
e kënaqe me gëzim në praninë tënde.
Sepse mbreti shpresën e ka në Zotin, *
në saje të besnikërisë së të Lartit Zot s’do të trandet.
Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde, *
e ne do të këndojmë
e do të vallëzojmë për ngadhënjimin tënd.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 I këndojmë këngë dhe himne pushtetit tënd, o Zot.
Ant. 3 Na bëre, o Zot, një popull mbretërish dhe priftërinj për Hyjin tonë.
Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12. Himni i të shëlbuarve
I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *
të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,
sepse ti krijove gjithçka, *
dhe me vullnetin tënd gjithçka u bë dhe u krijua!
Ti je i denjë, o Zot,
të marrësh librin *
dhe t’ia zgjidhësh vulat,
sepse qe prerë †
dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *
njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,
dhe i bëre për Hyjin tonë
mbretëri dhe priftërinj *
dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.
I denjë është Qengji i prerë †
të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *
fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Na bëre, o Zot, një popull mbretërish dhe priftërinj për Hyjin tonë.
Leximi i shkurtër 1 Gjn 3, 1a. 2
Shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Të dashur tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është.
Përgjigjja e shkurtër
C Fjala jote, o Zot, * qëndron për amshim.
Fjala jote, o Zot, qëndron për amshim.
D Besnikëria jote brez pas brezi:
qëndron për amshim.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Fjala jote, o Zot, qëndron për amshim.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim.
Lutjet e besimtarëve
Krishti Zot, jeton ndër ne, që jemi populli dhe prona e tij. Atij t’i brohorasim:
Na dëgjo, o Zot, për lavdinë e emrit tënd!
O Zot, mbret dhe sundues i të gjithë popujve, shndriti ata që i udhëheqin:
— që sipas ligjit tënd ta nxisin harmoninë dhe të mirën në përgjithësi.
Ti, o Zot, duke u ngjitur në lartësi, i more me vete skllevër:
— kthejua lirinë vëllezërve tanë, të cilët janë të robëruar në trup apo në shpirt.
Ndihmoju të rinjve që t’u realizohen kërkesat e drejta,
— dhe me zemërgjerësi t’i përgjigjen thirrjes sate.
Bëj që fëmijët ta ndjekin shembullin tënd
— dhe të rriten në urti dhe hirësi para Hyjit dhe para njerëzve.
Pranoji të vdekurit në mbretërinë e amshuar,
— ku edhe ne shpresojmë se do të mbretërojmë së bashku me ty.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti deshe që, në saje të bijësisë së hirit, të jemi bij të dritës: bëj që kurrë të mos na zotërojë errësira e gabimit, por përherë të jemi të shndritur me shkëlqimin e së vërtetës. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.