Mbrëmësorja
5 qershor, Shën Bonifaci, ipeshkëv dhe martir
MBRËMËSORJA
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Zot, fati e kurora
e çmimi i ushtarëve tu,
duke i kënduar lavd martirit,
na zgjidh nga lidhja e krimit.
Ky e dëshmoi me gojë
çka i besoi arka e zemrës,
Krishtin tue ndjekë e gjeti,
e për të derdhi gjakun.
Vërtet gëzimet e botës
duke i vlerësuar lajka
të damshme e të mrazta,
arriti ndër qiellorët.
Me forcë përshkoi mundimet,
dhe burrërisht i mbarti,
për ty duke derdhë gjakun
gëzon dhuntitë e amshueshme.
Ndaj me këtë lutje t’zjarrtë,
o mëshirëplotë, të lypim
në këtë ngadhënjim t’martirit
ne robve na i fal fajet.
Që t’arrijmë nga meritat
e këtij me të t’bashkohemi,
e për amshim të gëzohemi
tok në selitë e qiellit.
Lavdi e lumni e amshueshme
Ty, Atë, të qoftë me Birin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllues
ndër shekujt e gjithë shekujve. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ma shëro shpirtin, o Zot, sepse mëkatova kundër teje.
Psalmi 41 /40/ (2-14) Urata e të sëmurit
Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë: 'njëri që po ha me mua' (Krh. Mk 14, 18).
I lumi ai që e kujton nevojtarin: *
në ditë të vështirë Zoti do ta shpëtojë.
Zoti do ta ruajë, do ta kërthndez në jetë, †
të lum do ta bëjë mbi tokë *
dhe s’do ta lëshojë në duar të armiqve të vet.
Zoti do t’i çojë ndihmë mbi shtratin e dhembjeve të tij: *
do ta përtërish në sëmundjen e tij.
Unë thashë: »Ki mëshirë për mua, o Zot, *
ma shëro shpirtin, sepse mëkatova kundër teje.«
Armiqtë e mi flasin keq për mua: *
»Kur do të vdesë e do t’i harrohet emri?«
Po edhe nëse vjen kush të më shohë, flet kotësi, *
në zemër mbledh paudhësi, del përjashta e më vë në lojë.
Të gjithë armiqtë e mi pëshpëritin kundër meje së bashku *
e ma mendojnë të keqen:
»Lëngatë e madhe e ka kapur! *
Kë kap kjo sëmundje ai më nuk çohet!«
Po edhe miku im, në të cilin pata shpresë, *
që hëngri bukën time, u çua kundër meje.
Por ti, o Zot, ki mëshirë për mua, *
më shëro dhe unë do t’ua kthej huan!
Me këtë do ta marr vesh se më do *
nëse nuk lejon të ngihet armiku im në mua,
e ma ngjet dorën për shkak të pafajësisë sime *
dhe më lejon të rri në praninë tënde për amshim.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
prej amshimit në amshim. Amen. Amen.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ma shëro shpirtin, o Zot, sepse mëkatova kundër teje.
Ant. 2 Hyji i gjithësisë është me ne, strehim dhe shëlbim është Zoti ynë.
Psalmi 46 /45/ (2-12) Zoti është strehimi dhe fuqia e popullit të vet
Do t'ia ngjisin emrin Emanuel ‑ që do të thotë: Hyji me ne! (Mt 1, 23).
Hyji është për ne strehim dhe fuqi, *
ndihmë gjithherë e gatshme në çdo vështirësi.
Prandaj as s’do të tutemi edhe nëse lëkundet toka *
dhe nëse malet do të kapërdihen nga deti!
Le të gjëmojnë e le të përzihen ujërat e tij, *
le të dridhen malet në furinë e tij!
Rrëketë e lumit do ta gëzojnë qytetin e Hyjit, *
tendat e shenjta të të Lartit Zot.
Hyji është brenda nuk do të trandet askurrë, *
Hyji i ndihmon herët në agim.
Ulëritën popujt, ranë mbretëritë, *
bubulloi Zoti, toka u shkri!
Zoti i Ushtrive është me ne, *
strehimi ynë, Hyji i Jakobit!
Ejani e shikoni veprat e Zotit *
- mrekullitë që i bëri ai përmbi dhe!
Ndalon luftërat deri në skajet e tokës, †
do t’i thyejë harqet, do t’i copëtojë armët, *
mburojat në zjarr do t’i djegë.
Ndaluni e shihni se unë jam Hyji, *
i madhërueshëm mbi popuj, i madhërueshëm mbi tokë!
Me ne është Zoti, Hyji i Ushtrive, *
strehimi ynë, Hyji i Jakobit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hyji i gjithësisë është me ne, strehim dhe shëlbim është Zoti ynë.
Ant. 3 Të gjitha kombet do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot.
Kënga Krh. Zb 15, 3-4 Himn adhurimi dhe lavdi
Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †
o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *
Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
o Mbreti i popujve!
Kush të mos të druaj ty, o Zot, †
dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *
Ti i vetmi je Shenjti!
Të gjitha kombet do të vijnë †
dhe do të adhurojnë para Teje, *
sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Të gjitha kombet do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot.
Leximi i shkurtër 1 Pjt 4, 13-14
Fort të dashur, gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare. Të lumët ju në qoftë se ju fyejnë për shkak të Emrit të Krishtit, sepse Shpirti i Lavdisë, i Hyjit, pushon në ju.
Përgjigjja e shkurtër
C O Hyj, ti na vure në sprovë * dhe na dhé fuqi.
O Hyj, ti na vure në sprovë dhe na dhé fuqi.
D Ti na sprovove me flakë, si argjendin,
dhe na dhé fuqi.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Hyj, ti na vure në sprovë dhe na dhé fuqi.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Në Mbretërinë e qiellit është vendbanimi i shenjtërve, vpushimi i tyre është amshimi.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në Mbretërinë e qiellit është vendbanimi i shenjtërve, vpushimi i tyre është amshimi.
Lutjet e besimtarëve
Në orën në të cilën Krishti, mbreti i martirëve, e dhuroi jetën e vet në darkën e Pashkëve dhe në fli të përgjakur përmbi kryq, le t’i ngritet atij lavdi i Kishës:
Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Krisht, shkaku dhe shembulli i çdo martirizimi, sepse na deshe deri në fund,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse i thirre mëkatarët e penduar në shpërblimin e jetës së pasosur,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse i urdhërove Kishës sate që të kushtonte gjakun e besëlidhjes së re dhe të amshuar, të derdhur për shpërblimin e mëkateve,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse në këtë ditë na dhe hirin që të qëndrojmë në fe,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse shumë vëllezër e motra i bëre pjesëtarë të vdekjes sate shëlbimprurëse,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Ndërmjetësoftë për ne, o Zot, shën Bonifaci martir që ta ruajmë me mburrje e ta dëshmojë me guxim fenë që ai mësoi me fjalë dhe dëshmoi me gjak. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.