Mbrëmësorja

E kremtja e Korpit dhe e Gjakut Krishtit

 

Mbrëmësorja e I

 

      E enjtja pas Trinisë së Shenjtë - Në zonat ku nuk është festë e urdhëruar, e kremtja e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit shtyhet në të dielën pas së kremtes së Trinisë së Shenjtë.

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

      Himni

 

      Pra, këndo, o gjuhë, misterin

      e këtij trupi të lavdishëm,

      e të gjakut të paçmueshëm,

      që për të shpërblyer botën

      derdhi Mbreti i të gjitha kombeve.

      fryti i barkut shpirtbujar.

 

      Dhuruar neve, për ne i lindur

      nga një Virgjër e paprekur,

      Ai në botë e kaloi jetën

      duke hapur farën e fjalës;

      e kur e plotësoi afatin,

      mrekullisht përmbushi urdhrin.

 

      Në atë mbrëmje në darkë të fundit

      në tryezë ulur me vëllezërit,

      duke iu bindur plotësisht ligjit

      me ushqime të ligjëruara,

      ushqim çetës së dymbëdhjetëve

      u jep vetën me duar të veta.

 

      Fjala njeri me fjalë korpin

      përfton bukën e vërtetë,

      bëhet vera gjaku i Krishtit,

      nëse shqisa s’e kupton,

      për të forcuar zemrën e çiltër

      vetëm feja i mjafton.

 

      Këtë mister, pra, të madhëruar

      t’adhurojmë me fytyrë për dhe,

      dhe mësimi i motit të shkuar

      t’ia lëshojë vendin dhiatës së re:

      çka s’mbërrin mendja për të kuptuar

      e plotëson e shenjta fe.

 

      Hyjit Atë edhe të Birit

      lavdí u qoftë dhe hare,

      nder, pushtet e dhënia e hirit

      dhe bekimi në qiell e dhe,

      Vetës së tretë Shpirtit të Shenjtë

      lavdërimi i qoftë i njëjtë. Amen

      Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Në kujtim të veprave të tua u dhe një ushqim atyre të druajnë, o Hyj i hirit dhe i dashurisë.

 

Psalmi 111 /110/    (1-10)

 

Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin, *

      në kuvendin e të drejtëve, në mbledhjen e tyre.

 

Të mëdha janë veprat e Hyjit, *

      për t’u shqyrtuar prej atyre që i duan.

Stoli e shkëlqim është vepra e tij, *

      drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.

 

U ngreh përmendore mrekullive të veta, *

      i mëshirshëm e mëshirëdhënës është Zoti.

U jep ushqim atyre që e druajnë, *

      kurrë s’e harron Besëlidhjen e vet.

 

Popullit të vet ia kumtoi fuqinë e veprave të veta, *

      duke ua dhuruar pronën e paganëve.

 

Veprat e duarve të tij janë drejtësi e besnikëri, *

      urdhërimet e tij janë të vërteta,

të qëndrueshme në jetë të jetëve, *

      të themeluara mbi të vërtetën e drejtësinë.

 

Shpërblim i dha popullit të vet, *

      Besëlidhjen e vet e bëri të amshueshme:

 

i shenjtë dhe i tmerrshëm është Emri i tij. *

      Fillimi i dijes është frika e Zotit,

janë të mençur të gjithë ata që veprojnë sipas saj, *

      lavdia e Tij qëndron për amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Në kujtim të veprave të tua u dhe një ushqim atyre të druajnë, o Hyj i hirit dhe i dashurisë.

 

Ant. 2 Na ushqen me palcën e grurit, Ai që i jep paqen Kishës së vet.

 

Psalmi 147 (1-9)

 

Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, *

      madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!

Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua, *

      i bekoi bijtë e tu në ty!

 

Ai ua siguron kufijve të tu paqen, *

      ai të ushqen me palcën e grurit.

Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë, *

      lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

 

E hedh borën porsi lesh, *

      e derdh brymën porsi hi.

E lëshon breshrin porsi kafshatë, *

      kush mund të qëndrojë para të ftohtit të tij?

 

E dërgon fjalën e vet e ato shkrihen, *

      çon erën e vet e ujërat rrjedhin.

Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit, *

      drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.

 

Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër: *

      asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Na ushqen me palcën e grurit, Ai që i jep paqen Kishës së vet.

 

Ant. 3 Thotë Zoti: Jo Moisiu, por Ati im ju jep bukën e vërtetë prej qiellit, aleluja.

 

Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a

 

Po të falënderojmë, o Zotëri,

      Hyj i Gjithëpushtetshëm, *

      ty që je, ty që ishe,

 

sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *

      dhe e more mbretërimin!

 

Paganët u hidhëruan,

      por arriti zemërimi yt! *

      Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,

 

koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *

      profetët dhe shenjtërit

dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd *

      - për të vegjël e të mëdhenj.

 

Ja, tani koha e shëlbimit,

      e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *

      dhe e sundimit të Krishtit të tij!

 

Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *

      që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

 

Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit

      dhe në saje të dëshmisë së vet: *

      nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.

 

Prandaj galdo, o qiell, *

      galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Thotë Zoti: Jo Moisiu, por Ati im ju jep bukën e vërtetë prej qiellit, aleluja.

 

      Leximi i shkurtër    1 Kor 10, 16-17

 

      Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë a nuk është bashkim me Gjakun e Krishtit? Po edhe buka, të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit? Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke.

 

      Përgjigjja e shkurtër

 

      C Na e dhe një bukë nga qielli. * Aleluja, aleluja.

      Na e dhe një bukë nga qielli. Aleluja, aleluja.

      D Bukën e engjëjve, ushqimin e njeriut.

      Aleluja, aleluja.

      Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

      Na e dhe një bukë nga qielli. Aleluja, aleluja.

 

      Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. I ëmbël është Shpirti yt, o Zot: ti je i mirë me bijtë e tu, u jep atyre bukë prej qiellit, me të mira i mbush ata që s’kanë ç’të hanë, e të pasurit i nis duarthatë.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

      shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

      qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

      ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

      për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

      hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

      i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

      të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

      duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

      në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. I ëmbël është Shpirti yt, o Zot: ti je i mirë me bijtë e tu, u jep atyre bukë prej qiellit, me të mira i mbush ata që s’kanë ç’të hanë, e të pasurit i nis duarthatë.

 

      Lutjet e besimtarëve

 

     Krishti në darkën e fundit dhuroi Trupin dhe Gjakun e vet për jetën e botës. Të bashkuar në lutjen e falënderjes, ta thërrasim emrin e tij:

 

      Jezu Krisht, shujtë qiellore, na e dhuro jetën e pasosur.

 

O Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, na urdhërove që ta kremtojmë Eukaristinë

    bëj që të marrim pjesë në të me fe e dashuri.

O Krisht, meshtar i vetëm e i tejetlartë, meshtarëve ua besove misteret e tua

    bëj që në jetë të shprehin çka kremtojnë në sakramente.

O Krisht, ti i bashkon në një trup të vetëm ata që ushqehen prej të njëjtës bukë,

    forcoji në paqe dhe mirëkuptim të gjithë ata që besojnë në ty.

O Krisht, shërues qiellor, me bukën tënde na dhurove ilaçin e pavdekësisë dhe pengun e ringjalljes

    falua shëndetin të sëmurëve dhe mëkatarëve faljen.

O Krisht, që në Eukaristi na jep hir ta shpallim vdekjen dhe ringjalljen tënde derisa të vish,

    të gjithë ata që në ty vdiqën bëji pjesëtarë të ngjalljes sate.

 

      Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

      Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

      Lutja

 

      O Zot Jezu Krisht, që në sakramentin e mrekullueshëm të Eukaristisë na e le përkujtimin e Pashkës sate, bëj që ta adhurojmë me fe të gjallë misterin e shenjtë të Trupit dhe të Gjakut tënd, që përherë t’i sprovojmë të mirat e Shëlbimit. Ti që jeton.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.