Mbrëmësorja
Java e dhjetë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E mërkurë
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Ja dielli zbret i panxituar,
dhe male e fusha e detra
i lë i zymtë, por përsëri ngrihet
ugur i ditës s’nesërme.
Duke u mahnitur vdekatarët,
kështu ti, Krijues i zellshëm
ligjet e ndrrime t’kohrave
i dhe me dritë e hije.
E nësa qiellit n’heshtje
nga errësira ndrydhëse
i mungon forca e punëve,
çlodhja e dëshruar kërkohet.
Me shpresë e fé të pasur
ringjallemi me dritën
e Fjalës tënde, që është ndër shekuj
madhshtia e lavdisë atërore.
Ai diell është që s’njeh kurrë
as lindje as perëndim;
që e gëzon tokën me mbrojtje
e qiejt n’amshim gazmohen.
Ndaj ne këtë dritë të kthjellët
përherë na bëj të gëzojmë,
me Birin dhe me Shpirtin jetëdhënës
për ty kangë duke thurur. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 U përmbushtë shpresa e lume, u shfaqtë lavdia e Shëlbuesit tonë!
Psalmi 62 /6l/ (2-13) Vetëm në Hyjin është paqja jonë
Dhe Hyji, në të cilin e kemi shpresën, ju mbushtë me çdo gëzim e paqe në besimin tuaj (Rom 15, 13).
Vetëm në Hyjin pusho, shpirti im, *
sepse prej tij vjen shpëtimi im
Vetëm ai është qeta ime e shpëtimi im, *
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!
Deri kur do të suleni kundër një njeriu, †
do ta rrëzoni të gjithë së bashku *
si murin e prishur, si gardhin e thyer?
Synojnë ta rrëzojnë prej së larti, †
kënaqësinë e gjejnë në rrenë. *
Me gojë bekojnë e me zemër mallkojnë.
Vetëm në Hyjin pusho, o shpirti im, *
vetëm në të qëndron shpresa ime!
Vërtet vetëm Ai është Hyji im e shpëtimi im, *
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!
Në Hyjin është shëlbimi im e nderi im, *
në Hyjin shpresa e fuqisë sime, strehimi im në Hyjin.
Shpreso në të gjithmonë, o popull, †
atij hapi zemrën, *
sepse Hyji është strehimi ynë.
Vërtet si avull janë bijtë e Adamit, *
rrenë e thjeshtë bijtë e njeriut:
në qoftë se hipin në peshore, *
të gjithë dalin më të lehtë se tymi!
Ruaj se shpresoni në dhunë, *
ruaj se ju rren preja;
në pasuri kur ato shtohen *
mos e ngjitni zemrën për to!
Hyji një herë foli, *
unë këto dy herë dëgjova:
»Pushteti i përket Hyjit, *
yti, o Zot, është përdëllimi!
Ti shpërblen gjithkënd *
sipas veprave që të ketë bërë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 U përmbushtë shpresa e lume, u shfaqtë lavdia e Shëlbuesit tonë!
Ant. 2 Ndriçoftë fytyra jote mbi ne, o Zot, na jep bekimin tënd.
Psalmi 67 /66/ (2-8) Mbarë popujt le ta madhërojnë Zotin
Ta dini të gjithë: Shëlbimi i Hyjit u është drejtuar popujve paganë (Vap 28, 28).
Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë, *
bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,
që në tokë të njihet udha e tij, *
në të gjitha kombet shpëtimi i tij.
Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj, *
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
Le të galdojnë e le brohorasin popujt, †
sepse popujt i gjykon me drejtësi, *
sepse kombet mbi tokë ti i sundon.
Të lavdërofshin mbarë popujt, o Hyj, *
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
Toka e dha frytin e vet: *
na bekoftë Hyji, Hyji ynë!
Na bekoftë Hyji! *
Frikë e paçin mbarë skajet e botës!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ndriçoftë fytyra jote mbi ne, o Zot, na jep bekimin tënd.
Ant. 3 Nëpër Krishtin u krijua gjithësia, dhe çdo gjë qëndron në të.
Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20
Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurish.
E falënderojmë Hyjin, *
Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,
sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *
në trashëgimin e shenjtërve në dritë.
Ai na nxori nga pushteti i errësirës *
dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
në të cilin kemi shpërblimin *
- faljen e mëkateve.
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *
i Parëlinduri - para çdo krijese.
Ai është para çdo gjëje *
dhe çdo gjë qëndron në Të.
Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *
në qiell e në dhe,
çka shihet e çka nuk shihet.
Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *
Ai është Fillimi,
i Parëlinduri ndër të vdekurit *
- që të jetë në gjithçka i Pari.
Sepse Hyjit i pëlqeu
të banojë në Të e tërë Plotësia *
dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.
Në saje të Gjakut të kryqit të Tij, †
Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *
qoftë në tokë qoftë në qiell.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Nëpër Krishtin u krijua gjithësia, dhe çdo gjë qëndron në të.
Leximi i shkurtër 1 Pjt 5, 5b-7
Të gjithë së bashku, në marrëdhënie njëri me tjetrin, vishuni me përvujtëri, sepse: “Hyji u kundërshton madhështorëve, kurse të përvujtëve u jep hirin.”
Përkuluni, pra, nën të pushtetshmen dorën e Hyjit, që në kohën e duhur t’ju lartësojë. Lëshoni në dorën e tij të gjitha kujdeset tuaja, sepse Ai kujdeset për ju!
Përgjigjja e shkurtër
C Porsi bebëzën e syrit * na ruaj, o Zot.
Porsi bebëzën e syrit na ruaj, o Zot.
D Na fsheh nën hijen e krahëve të tu,
na ruaj, o Zot.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Porsi bebëzën e syrit na ruaj, o Zot.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Me fuqinë e krahut tënd, o Zot, rrëzoji princat prej froneve të tyrene lartësoji të përvuajturit.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Me fuqinë e krahut tënd, o Zot, rrëzoji princat prej froneve të tyre e lartësoji të përvuajturit.
Lutjet e besimtarëve
T’i brohorasim Hyjit tonë, i cili e mbush popullin e vet me të mira të panumërta dhe me shpirt të zjarrtë t’i drejtohemi:
Shtoje, o Zot, hirësinë dhe paqen!
O Hyj i amshueshëm, për ty mijëra vjet janë sikurse dita që kaloi:
— bëj që ta mbajmë në mend se jeta është sikur lulja që në mëngjes lulëzon e në mbrëmje vyshket.
Jepja ushqimin popullit tënd që të mos vuajë nga uria:
— jepja edhe ujin e gjallë që të mos vuajë nga etja e pashueshme.
Bëj që besimtarët e tu të lypin dhe të duan atë që vjen prej Shpirtit tënd:
— që kohën e punës dhe të pushimit t’ia kushtojnë lavdisë sate.
Jepna, o Zot, kohën e bukur,
— që toka jonë të japë fryte të begatshme.
Tregojua fytyrën tënde të vdekurve
— dhe bëj që edhe ne ta gëzojmë një ditë me ta lumturinë e pranisë sate.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, drejtoji veprimet tona sipas vullnetit tënd, që për nder të emrit të Birit tënd të dashur, të bëhemi të pasur me vepra të mira. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.