Mbrëmësorja

E kremtja e zemrës së Krishtit

 

E premtja pas të dielës II pas Rrëshajëve

 

Mbrëmësorja II

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.

 

      Himni

 

      Krijuesi i lum i shekullit,

      o Krisht, Shëlbuesi i të gjithëve,

      ndriçim nga drita e Atit

      Hyj i vërtetë prej Hyjit:

 

      Të shtyu Dashuria jote

      të marrësh trupin e vdekshëm,

      si Adam i ri të ktheje

      çka pat humbur i vjetri.

 

      Atij dashuri, krijues jetëdhënës

      i tokës, detit, yjeve,

      i erdh keq për faj të të parëve

      dhe na i këputi prangat.

 

      Mos iu ndaftë zemrës tënde

      forca e dashurisë së ndritur;

      nga kjo gurrë nxjerrshin kombet

      hirin e shlyerjes së fajeve.

 

      Për këtë heshtën e hidhët

      dhe për këtë vuajti plagët,

      që ne ndyrësinë të na lante

      me gjak e ujë të rrjedhshëm.

 

      Ty, Jezus, të qoftë lavdia

      që zbraz në zemër hirin,

      me Atin dhe me Shpirtin

      ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

Ant. 1 Sundo, o Zot, në mes të armiqve të tu, zgjedha e jote është e lehtë.

 

Psalmi 110 /109/ (1-5. 7)

 

I tha Zoti Zotit tim: *

      »Rri në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu *

      shtrojë për këmbët e tua!«

 

Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *

      sundo midis armiqve të tu!

 

Ty të përket më i larti pushtet *

      në ditën e fuqisë sate

në shkëlqime të shenjta *

      nga kraharori para Yllit të Dritës

      unë të linda.

 

Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *

      Ti je prift për amshim

      në mënyrën e Melkizedekut.«

 

Zoti është në të djathtën tënde, *

      i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.

 

Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *

      prandaj lart do ta ngrejë kokën.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Sundo, o Zot, në mes të armiqve të tu, zgjedha e jote është e lehtë.

 

Ant. 2 Hir dhe mëshirë është Zoti: ai u dha ushqim atyre që e druajnë.

 

Psalmi 111 /110/ (1-10)    

 

Lavdi veprave të Hyjit

 

Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin, *

      në kuvendin e të drejtëve, në mbledhjen e tyre.

Të mëdha janë veprat e Hyjit, *

      për t’u shqyrtuar prej atyre që i duan.

Stoli e shkëlqim është vepra e tij, *

      drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.

 

U ngre përmendore mrekullive të veta, *

      i mëshirshëm e mëshirëdhënës është Zoti.

U jep ushqim atyre që e druajnë, *

      kurrë s’e harron Besëlidhjen e vet.

 

Popullit të vet ia kumtoi fuqinë e veprave të veta, *

      duke ua dhuruar pronën e paganëve.

 

Veprat e duarve të tij janë drejtësi e besnikëri, *

      urdhërimet e tij janë të vërteta,

të qëndrueshme në jetë të jetëve, *

      të themeluara mbi të vërtetën e drejtësinë.

 

Shpërblim i dha popullit të vet, *

      Besëlidhjen e vet e bëri të amshueshme:

 

i shenjtë dhe i tmerrshëm është Emri i tij. *

      Fillimi i dijes është frika e Zotit,

janë të mençur të gjithë ata që veprojnë sipas saj, *

      lavdia e Tij qëndron për amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hir dhe mëshirë është Zoti: ai u dha ushqim atyre që e druajnë.

 

Ant. 3 Qe Qengji i Hyjit, Ai që i shlyen mëkatet e botës.

 

Kënga    Fil 2, 6-11

 

Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *

      barazinë e vet me Të

      nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

 

por ia mohoi vetvetes *

      e mori natyrën e shërbëtorit

      dhe u bë i ngjashëm me njerëz

 

dhe, për kah pamja e jashtme, *

      dukej vetëm njeri.

 

E përuli vetveten

      duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*

      mu deri në vdekje në kryq.

 

Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *

      dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër

 

që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *

      i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

 

dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *

      ‘Jezu Krishti është Zot!’

      Në nder të Hyjit Atë.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qe Qengji i Hyjit, Ai që i shlyen mëkatet e botës.

 

      Leximi i shkurtër Ef 2, 4-7

 

      Hyji, i pasur me mëshirë, në saje të dashurisë së madhe, me të cilën na deshi, ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na ngjalli bashkë me Krishtin ‑ ju jeni të shëlbuar me hir ‑ dhe, bashkë me të na ngjalli dhe na vendosi në qiell në Krishtin Jezus: që me mirësinë e tij ndaj nesh në Jezu Krishtin ta tregojë në shekujt e ardhshëm pasurinë e patregueshme të vetën.

 

      Përgjigjja e shkurtër

 

      C Krishti për dashuri na ka pastruar nga çdo faj

      * me gjakun e vet.

      Krishti për dashuri na ka pastruar nga çdo faj

      me gjakun e vet.

      D Bëri prej nesh një popull mbretërish,

      meshtarë për lavdinë e Atit,

      me gjakun e vet.

      Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

      Krishti për dashuri na ka pastruar nga çdo faj

      me gjakun e vet.

 

      Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Zoti na pranoi në zemrën e vet, duke e kujtuar mëshirën e vet.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

      shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

      qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

      ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

      për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

      hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

      i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

      të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

      duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

      në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Zoti na pranoi në zemrën e vet, duke e kujtuar mëshirën e vet.

 

      Lutjet e besimtarëve

 

T’i lutemi Krishtit, që t’u japë paqe dhe freskim shpirtrave tanë:

 

      Mbret mirësie, ki mëshirë për ne.

 

O Jezus, zemra jote u shporua me heshtë dhe prej saj rrodhën gjak dhe ujë që i japin jetë Kishës, Nuses sate

    bëje atë të shenjtë dhe të panjollë.

O Jezus, Tempull i shenjtë i Hyjit, i rrënuar prej njerëzve dhe i rindërtuar prej Atit,

    bëj që Kisha të jetë shenjtërorja e gjallë e lavdisë sate.

O Jezus, Mbret dhe qendër e të gjitha zemrave, na e trego mëshirën tënde

    ripërtërije me njerëzit e kohës sonë besëlidhjen e dashurisë sate.

O Jezus, paqja dhe pajtimi ynë, që me anë të kryqit shkatërron çdo armiqësi dhe na bashkon në të Vetmin Njeriun e Ri,

    bëj që të jetojmë në bashkësi me Ty në të vetmin Shpirt.

O Jezus, për shkak të dashurisë së madhe u bëre i dëgjueshëm deri në vdekje

    bëji pjesëtarë të lavdisë sate të gjithë ata që vdiqën duke shpresuar në ty.

      Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

      Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

      Lutja

 

      O Hyj i gjithëpushtetshëm, po e nderojmë me gëzim Zemrën e Birit tënd të dashur dhe po i përkujtojmë mrekullitë e dashurisë së tij ndaj nesh, bëj të fitojmë prej këtij burimi të pashtershëm begatinë e hireve të tua. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.