Mbrëmësorja
Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
E hënë
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
O Autori i madh i qiellit,
që të mos trazojnë të përzierat
ke ndarë rrjedhat e ujit,
dhe cak i vure qiellit.
Me qiellorë forcon vendin,
në një kohë përrenjtë e tokës,
që uji të zbusë flakët,
të mos çajë truallin e tokës.
Zbraz tash, o tejet i shenjti,
dhuntinë e hirit të pashtershëm,
të mos prishë gabimi i vjetër
me raste mashtrimesh të reja.
Besimi ta gjejë dritën,
të sjellë llambën ndriçuese,
të tmerrojë gjithë kotësitë,
mos ta shtypë asnjë gënjeshtër.
Shfaqe, o Atë krejt i shenjtë,
Ti, o Bir, baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
që mbretëron n’amshim. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Sytë tanë i lartësojmë drejt Zotit, derisa të ketë mëshirë për ne.
Psalmi 123 /122/ (1-4) Shpresa e popullit është në Zotin
Dy të verbër... ia filluan të bërtasin: Zotëri, Biri i Davidit, ki mëshirë për ne! (Mt 20, 30).
Drejt teje po i lartësoj sytë e mi, *
drejt teje që banon në qiell.
Qe, porsi sytë e shërbëtorëve
drejt dorës së zotërinjve të vet, †
porsi sytë e shërbëtores *
drejt duarve të zonjës së vet,
ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, Hyjit tonë, *
derisa të ketë mëshirë për ne.
Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, *
sepse për së tepërmi na kanë mbuluar me përbuzje.
Sepse u ngi tepër më shpirti ynë
me përqeshje të të ngopurve, *
me përbuzje të krenarëve.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Sytë tanë i lartësojmë drejt Zotit, derisa të ketë mëshirë për ne.
Ant. 2 Ndihma jonë është në Emër të Zotit, që krijoi qiellin e tokën.
Psalmi 124 /123/ (1-8) Ndihma jonë është në Emër të Zotit
Një natë Zoti i tha Palit në vegim: Mos u tremb... sepse unë jam me ty! (Vap 18, 9-10).
Po të mos kishte qenë Zoti me ne *
- le ta pohojë ballafaqe Izraeli -
po të mos kishte qenë Zoti me ne, *
kur njerëzit u ngritën kundër nesh:
atëherë do të na kishin përpirë gjallë, *
kur u mori flakë zemërimi kundër nesh.
Atëherë ujët do të na kishte marrë, *
rrjedha e përroit do të na kishte marrë,
do të na kishin mbytur *
valët e ujërave të tërbuara!
Qoftë bekuar Zoti
që s’na dha kafshatë *
për dhëmbët e tyre!
Shpirti ynë shpëtoi si trumcaku †
prej gracke të gjuetarëve: *
laku u këput e ne shpëtuam!
Ndihma jonë është në Emër të Zotit, *
që krijoi qiellin e Tokën.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ndihma jonë është në Emër të Zotit, që krijoi qiellin e tokën.
Ant. 3 Ati na zgjodhi në Krishtin, që të jemi bijtë e tij.
Kënga Krh. Ef 1, 3-10 Hyji shpëtimtar
Qoftë bekuar Hyji.*
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
në qiell në Krishtin.
Në Të na zgjodhi *
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
para Tij në dashuri.
Ai na parashënoi për vete *
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
me pëlqimin e vullnetit të vet
për nder të lavdisë së hirit të tij *
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
e fituam shpërblimin;
në Të na u falën fajet *
me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
bashkë me çdo urti e kuptim.
Ai na vuri në dijeni *
mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
qysh më parë ta kryente në Të
kur të plotësohej koha: *
të vërë çdo gjë
nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësitë *
që janë në qiell e në tokë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ati na zgjodhi në Krishtin, që të jemi bijtë e tij.
Leximi i shkurtër Jak 4, 11-12
Mos flitni keq njëri për tjetrin, o vëllezër! Kush flet keq apo gjykon vëllain e vet, ai flet keq për Ligj dhe e gjykon atë. Po e gjykove Ligjin, nuk je zbatues i Ligjit, por gjykues. Vetëm Njëri është Ligjdhënës dhe Gjykues: Ai që mund të shpëtojë dhe të bjerrë. E ti kush je që gjykon të afërmin tënd?
Përgjigjja e shkurtër
C Më shëro, o Zot, * kam mëkatuar kundër teje.
Më shëro, o Zot, kam mëkatuar kundër teje.
D Unë thashë: Hyji im, ki mëshirë për mua,
kam mëkatuar kundër teje.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Më shëro, o Zot, kam mëkatuar kundër teje.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Shpirti im e madhëron Zotin: Ai shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Shpirti im e madhëron Zotin: Ai shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur.
Lutjet e besimtarëve
Krishti dëshiron që të gjithë njerëzit të shëlbohen. Të lutemi që të përmbushet plani i mëshirës së tij:
Tërhiqi të gjithë tek vetja, o Zot.
Bekuar qofsh, o Zot, sepse na lirove nga robërimi i mëkateve me gjakun tënd të paçmueshëm:
— na jep lirinë dhe lavdinë e fëmijëve të Zotit.
Hirin tënd jepja ipeshkvit tonë E. dhe të gjithë ipeshkvijve të Kishës sate:
— që me gëzim dhe qëndrueshmëri t’i kremtojnë misteret e tua.
Të gjithë ata që përpiqen ta njohin të vërtetën:
— bëj që ta gjejnë dhe, kur ta gjejnë, edhe më tepër ta kërkojnë.
O Zot, bëhu mbrojtja e të varfërve, dhe e të braktisurve:
— le ta ndiejnë afërsinë tënde dhe të afrohen edhe më tepër te Ti.
Pranoji vëllezërit tanë të ndjerë në qytetin tënd të shenjtë:
— ku ti, me Atin dhe me Shpirtin Shenjt, do të jesh gjithçka në të gjithë.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Ki mëshirë, o Zot, për popullin tënd dhe falja të gjitha mëkatet, që, çka merituam me anën e mëkateve tona, të na e largojë mëshira jote. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.