Mbrëmësorja
Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
E martë
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Krijues i madh i rruzullit,
që nxjerr truallin e botës,
duke ndarë ujërat e mërzitshme,
të patundshme e bëre tokën.
Duke hedhur farë gratçore,
me lule të kuqe e mbushe,
mbarsur me fryt të harlisej
e ushqim të këndshëm të jepte.
Plagët e mendjes së djegur
pastro me forcë të hirit,
që me vaj të shlyejë veprat,
të shuajë hovet e mbrapshta.
Urdhrave të tu t’u bindet,
asnjë ligësi të mos qasë,
të gëzojë duke u mbushur me të mira,
të mos njohë shfaqje vdekjeje.
Bëj, o Atë tërë i drejti,
dhe o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar
sundues në shekujt e shekujve. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Rrethoje popullin tënd, o Zot, tani e përgjithmonë.
Psalmi 125 /124/ (1-5) Hyji e ruan popullin e vet
Mbarë Izraeli i Hyjit, pastë paqe e mëshirë prej Hyjit! (Gal 6, 16).
Kush shpreson në Zotin është si mali Sion: *
s’ka gjë që e tund, mbetet për amshim!
Malet e rrethojnë Jerusalemin: †
edhe Zoti rreth e rreth i rri popullit të vet *
qysh tash e për amshim.
Askurrë s’do të sundojë skeptri i të pafeve †
mbi trashëgimin e të drejtëve *
që të drejtët të mos i shtrijnë duart në paudhësi.
Bëju mirë, o Zot, njerëzve të mirë *
edhe atyre që e kanë zemrën të drejtë.
Kurse ata që shkojnë udhëve të ligësisë †
le t’i zhbijë Zoti bashkë me keqbërësit. *
Paqja qoftë mbi Izraelin!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Rrethoje popullin tënd, o Zot, tani e përgjithmonë.
Ant. 2 Nëse nuk bëheni si fëmijë, me zemër të re dhe jetë të re, nuk do të hyni në mbretërinë e qiellit.
Psalmi 131 /130/ (1-3) Shpreso në Zotin sikurse foshnja shpreson në nënën e vet
Pranoni t'ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë (Mt 11, 29).
O Zot, nuk krenohet zemra ime *
as s’madhështohen sytë e mi,
as nuk jepem pas punëve të mëdha, *
as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.
Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, †
si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës, *
si kërthi është shpirti im në mua.
Le të shpresojë Izraeli në Zotin *
tani e për gjithmonë e jetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Nëse nuk bëheni si fëmijë, me zemër të re dhe jetë të re, nuk do të hyni në mbretërinë e qiellit.
Ant. 3 Na bëre, o Zot, popull mbretërish dhe priftërinj për Hyjin tonë.
Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12. Himni i të shëlbuarve
I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *
të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,
sepse ti krijove gjithçka, †
dhe me vullnetin tënd *
gjithçka u bë dhe u krijua!
Ti je i denjë, o Zot,
të marrësh librin *
dhe t’ia zgjidhësh vulat,
sepse qe prerë †
dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *
njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,
dhe i bëre për Hyjin tonë
mbretëri dhe priftërinj *
dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.
I denjë është Qengji i prerë †
të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *
fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Na bëre, o Zot, popull mbretërish dhe priftërinj për Hyjin tonë.
Leximi i shkurtër Rom 12, 9-12
Dashuria le të jetë e çiltër. Ikni me urrejtje veprave të këqija e ndiqni veprat e mira! Duani njëri‑tjetrin me dashuri vëllazërore! Prini njëri‑tjetrit duke nderuar shokun më parë e më tepër! Në kujdesim të tjerëve të jeni të shpejtë, në shpirt të nxehtë; Zotit shërbeni! Në shpresë jini të gëzueshëm, në vështirësi të durueshëm, në uratë të qëndrueshëm!
Përgjigjja e shkurtër
C Fjala jote, o Zot, * qëndron për amshim.
Fjala jote, o Zot, qëndron për amshim.
D Besnikëria jote në të gjitha breznitë:
qëndron për amshim.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Fjala jote, o Zot, qëndron për amshim.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim.
Lutjet e besimtarëve
Zoti vetë e ka forcuar popullin në shpresë. Prandaj me gëzim t’i brohorasim:
O Zot, ti je shpresa e popullit tënd!
Të falënderojmë, o Zot, sepse na e dhurove Birin tënd:
— në të na mbushe me thesarin e fjalës dhe të njohjes sate.
O Zot në dorën tënde janë zemrat e njerëzve:
— Krerëve të shteteve jepu mençuri që t’i udhëheqin popujt sipas urtisë sate.
Ti, u jep artistëve t’i shprehin rrezet e bukurisë sate:
— bëj që veprat e tyre t’i sjellin botës shpresë dhe gëzim.
Ti nuk lejon të jemi të sprovuar përtej forcave tona:
— forcoji të dobëtit, ngriti ata që kanë rënë.
Nëpërmjet Birit tënd ke premtuar se do të ringjallemi në ditën e fundit:
— pranoji në shtëpinë tënde vëllezërit tanë të ndjerë.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti deshe që të jemi bij të dritës: bëj që kurrë të mos na zotërojë errësira e gabimit, por të jemi përherë të shndritur me shkëlqimin e së vërtetës. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.