Mbrëmësorja

Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E mërkurë

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   Hyj i gjithë shenjti i qiellit,

   që të ndritshmen qendër të rruzullit

   hijeshon me shkëlqim zjarri

   stolis duke i shtuar dritat.

 

   Të katërtën ditë vendose

   diskun e zjarrtë të diellit,

   e i jep rendit të hënës

   kthimet shëtitëse t’yjeve,

 

   Që netëve a ditës

   t’u jepje kufij ndarjeje,

   e në fillime të muajve

   shenjën tepër të njohur.

 

   Ndriço zemrën e njerëzve,

   fshiji ndyrësitë e mendjeve,

   zgjidhi prangat e fajeve

   shkuli ledhet e krimeve.

 

   Bëj, o Atë tërë i drejti,

   dhe o Bir, baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues për gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.

 

   Psalmi 126 /125/ (1-6) O Zot, gëzimi dhe shpresa jonë

 

   Mbasi jeni pjesëtarë në vuajtje, do të jeni edhe në ngushëllim (2 Kor 1, 7).

 

Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *

   na dukej si të ishim në ëndërr.

Atëherë goja na u mbush me gaz *

   e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!

 

Asohere thuhej ndër paganë: *

   »Zoti bëri për ta punë të mëdha!«

Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *

   e zemrat na u mbushën me gëzim!

 

Ktheji, o Zot, robërit tanë *

   porsi përrenjtë e mesditës!

Ata që mbjellin me lot, *

   deh, le të korrin me gëzim!

 

Në të shkuar ecnin e qanin *

   duke mbartur farën për ta mbjellë,

kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *

   duke mbartur dorëzat e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.

 

Ant. 2 Ndërtoje, o Zot, shtëpinë tonë, ruaje qytetin tënd.

 

   Psalmi 127 /126/ (1-5) Çdo përpjekje është e kotë pa ndihmën e Zotit

 

   Nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet. Ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit (1Kor 3, 7. 9).

 

Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, *

   kot mundohen ata që e ndërtojnë.

Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, *

   kot rri zgjuar ai që e ruan.

 

Kot e keni të çoheni para drite *

   dhe vonë të shkoni në pushim,

ju që e hani bukën e mundit: *

   të dashurve të vet u jep edhe në gjumë.

 

Ja: bijtë janë dhuratë e Zotit, *

   fryti i barkut është shpërblimi i tij.

Porsi shigjetat në dorën e trimit *

   të tillë janë djemtë e rinisë.

 

Lum ai burrë që e mbushi kukurrën me të tillë: *

   s’do të turpërohet kur të fjaloset me armiq në log.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Ndërtoje, o Zot, shtëpinë tonë, ruaje qytetin tënd.

 

Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.

 

   Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20

 

   Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.

 

E falënderojmë Hyjin, *

   Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,

sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *

   në trashëgimin e shenjtërve në dritë.

 

Ai na nxori nga pushteti i errësirës *

   dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,

në të cilin kemi shpërblimin *

   - faljen e mëkateve.

 

Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *

   i Parëlinduri - para çdo krijese.

Ai është para çdo gjëje *

   dhe çdo gjë qëndron në Të.

 

Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *

   në qiell e në dhe,

   çka shihet e çka nuk shihet.

 

Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *

   Ai është Fillimi,

i Parëlinduri ndër të vdekurit *

   - që të jetë në gjithçka i Pari.

 

Sepse Hyjit i pëlqeu

   të banojë në Të e tërë Plotësia *

   dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.

 

Në saje të Gjakut të kryqit të Tij,

   Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *

   qoftë në tokë, qoftë në qiell.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.

 

   Leximi i shkurtër Ef 3, 20-21

 

   Atij që në saje të fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë shumë më tepër se ne mund të kërkojmë ose edhe mund të mendojmë, Atij i qoftë Lavdia në Kishë e në Jezu Krishtin në të gjitha breznitë e jetës së jetëve. Amen.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C O Zot, shpëtimi im, * ki mëshirë për mua.

   O Zot, shpëtimi im, ki mëshirë për mua.

   D Mos më braktis me mëkatarët,

   ki mëshirë për mua.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   O Zot, shpëtimi im, ki mëshirë për mua.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm, i shenjtë është Emri i tij.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm, i shenjtë është Emri i tij.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

T’i lutemi Hyjit Atë, që e dërgoi Birin e vet për ta shëlbuar popullin e tij dhe përvujtërisht t’i brohorasim:

 

   Lavdia jote, o Zot, le të jetë në popullin tënd!

 

Të falënderojmë, o Atë, që na zgjodhe që prej amshimit që të jemi pjesëtarë në mbretërinë tënde:

dhe na thirre ta trashëgojmë lavdinë e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Bëj që të gjithë ata që e dëshirojnë Emrin tënd të shenjtë, të bashkohen në të vetmen të vërtetë:

dhe të ndizen me dashurinë tënde.

Krijues i botës, Biri yt deshi të punojë me duart e veta në Nazaret:

le të të bien në mend të gjithë ata që me djersë e fitojnë bukën e përditshme.

Bekoji ata që i janë kushtuar shërbimit të vëllezërve:

që të mos i lëshojë zemra për shkak të moskuptimeve.

Tregoje mëshirën tënde ndaj vëllezërve tanë të ndjerë:

pranoji në paqen tënde.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, burim i çdo të mire, na frymëzo me mendime të drejta dhe na ndihmo t’i vëmë në veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.