Mbrëmësorja

Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E enjte

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   Hyj i fuqisë së madhe,

   qeniet lindur nga ujërat

   pjesërisht i ktheve në vorbull,

   pjesërisht në ajër i nxore.

 

   N’ujë duke lënë të zhyturat

   nën qiell duke vendosur të nxjerrat,

   që të dala nga një trung,

   të mbushin vende të ndryshme.

 

   Dhuroju të gjithë skllevërve,

   që i pastron vala e gjakut,

   të mos dinë gabime krimesh,

   të mos mbajnë mërzi vdekjeje.

 

   Që askënd të mos mposhtë faji,

   askënd të mos prishë vetëmburrja,

   të mos bjerë mendja e çartur,

   të mos e rrëzojë mendja e madhe.

 

   Bëj, o Atë tërë i shenjti,

   dhe, o Bir, baras me Atin

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues për gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Tek dera e shtëpisë sate, o Zot, shërbëtorët e tu brohorasin me galdim.

 

   Psalmi 132 /131/ I (1-10) Premtimet që Zoti i bëri Davidit

 

   Zoti Hyj do t'ia japë fronin e Davidit, atit të tij (Lk 1, 32).

 

Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi *

   e gjithë mirësia e tij,

si iu përbetua Zotit, *

   si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:

 

»Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, *

   nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,

nuk do t’u jap gjumë syve të mi, *

   s’do t’i lë të koten qepallat e mia,

 

pa e pasë gjetur një vend për Zotin, *

   një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.«

 

Ja, dëgjuam se është në Efratë, *

   e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!

Le të hyjmë në tendën e tij, *

   të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tij!

 

Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, *

   ti dhe arka e Pushtetit tënd!

Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, *

   shenjtërit e tu le të brohorisin me galdim.

 

Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, *

   mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Tek dera e shtëpisë sate, o Zot, shërbëtorët e tu brohorasin me galdim.

 

Ant. 2 Zoti e zgjodhi Sionin për banesë të vetën.

 

   Psalmi 132 /131/ II (11-18) Zgjedhja e Davidit dhe e Sionit

 

   Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e Pasardhësit të tij... që do të thotë Krishtit (Gal 3, 16).

 

Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, *

   assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:

»Bamin e kraharorit tënd *

   do ta vë mbi fronin tënd!

 

Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time *

   dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,

po edhe bijtë e tyre përgjithmonë *

   do të rrinë përmbi fronin tënd.«

 

Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, *

   e pëlqeu për banesë të veten:

»Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, *

   këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.

 

Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tij, *

   skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.

Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, *

   shenjtërit e tij do të brohorasin me galdim.

 

Atje do të bëj t’i ngallitë Pinjolli Davidit, *

   do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.

Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, *

   kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti e zgjodhi Sionin për banesë të vetën.

 

Ant. 3 Të gjithë popujt do të vijnë në shtëpinë tënde, o Zot, do ta adhurojnë Emrin tënd të shenjtë.

 

   Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a Gjyqi i Zotit

 

Po të falënderojmë, o Zotëri,

   Hyj i Gjithëpushtetshëm, *

   ty që je, ty që ishe,

 

sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *

   dhe e more mbretërimin!

 

Paganët u hidhëruan,

   por arriti zemërimi yt! *

   Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,

 

koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *

   profetët dhe shenjtërit

dhe për të gjithë ata që e druajnë Emrin tënd *

   - për të vegjël e të mëdhenj.

 

Ja, tani koha e shëlbimit,

   e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *

   dhe e sundimit të Krishtit të tij!

 

Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *

   që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

 

Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit

   dhe në saje të dëshmisë së vet: *

   nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.

 

Prandaj galdo, o qiell, *

   galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Të gjithë popujt do të vijnë në shtëpinë tënde, o Zot, do ta adhurojnë Emrin tënd të shenjtë.

 

   Leximi i shkurtër 1 Pjt 3, 8-9

 

   Jini të gjithë një mendimi, të dhimbshëm, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm, të përvujtë. Mos e ktheni të keqen me të keqe, as fyerjen me fyerje! Por përkundrazi, bekoni, sepse për këtë edhe u grishët: që të trashëgoni bekimin.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Ti na ushqen, o Zot, * me më të mirin grurë.

   Ti na ushqen, o Zot, me më të mirin grurë.

   D Na ngin me mjaltë të nxjerrë nga shkëmbi,

   me më të mirin grurë.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Ti na ushqen, o Zot, me më të mirin grurë.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Zoti i rrëzoi princat prej froneve të tyre, e i lartësoi të përvuajturit.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Zoti i rrëzoi princat prej froneve të tyre, e i lartësoi të përvuajturit.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Përshpirtërisht t’i lutemi Krishtit, Bariut dhe Ngushëlluesit të popullit të vet:

 

   O Zot, strehimi ynë, dëgjoje lutjen tonë!

 

Bekuar qofsh, o Zot, që na bëre pjesëtarë të familjes sate:

bëj që gjithmonë të jemi gjymtyrë të gjalla të Kishës së shenjtë.

Kujdesin për të gjitha Kishat, ia besove Papës tonë E.:

jepi fenë e palëkundshme, shpresën e gjallë, dashurinë e përkryer.

   Mëkatarëve jepu forcë që të kthehen:

të gjithëve jepu paqe dhe shëlbim.

Ti e përjetove mërgimin:

le të të bjerë ndër mend për të gjithë ata që jetojnë larg familjes dhe shtëpisë së vet.

Të gjithë të vdekurve që shpresuan në Ty:

jepu pushimin e pasosur.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, prej teje kemi guximi të të thërrasim ‘Atë’, përforcoje në ne shpirtin e bijësisë hyjnore, që të meritojmë të hyjmë në trashëgimin e premtuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.