Mbrëmësorja
Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
E premte
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
O Zot, krijuesi i njeriut,
që vendos çdo gjë vetëm,
u jep urdhër të prodhojë dheut,
zvarranikëve e llojeve t’egra.
Që trupa të mëdhenj sendesh
të gjallë me gojë t’urdhëruesit,
që t’i shërbejmë me rregull
ia dhe njeriut me urdhër.
Mbaj larg shërbëtorëve të tu
çdo gjë të papastri,
ja tu nënshtrohet ligjeve,
ja të futet në vepra të mira.
Jep çmimet e gëzimeve
jep shpërblimet e hireve,
zgjidhi prangat e grindjes,
forco lidhjet e paqes.
Bëj, o Atë krejt i drejti,
dhe o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
sundues në të gjithë shekujt. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 I madh është Zoti, Hyji ynë, mbi të gjitha hyjnitë.
Psalmi 135 /134/ I (1-12) Lavdërojeni Zotin që bën mrekulli
Populli që Hyji e fitoi për vete, i shpall veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme (Krh. 1 Pjt 2, 9).
Lëvdojeni Emrin e Zotit, *
lëvdojeni ju, o shërbëtorët e Zotit,
që qëndroni në Shtëpinë e Zotit, *
në oborret e Shtëpisë së Hyjit tonë!
Lavdëroni Zotin sepse i mirë është Zoti, *
këndoni Emrit të tij sepse është i ëmbël!
Sepse Zoti e zgjodhi Jakobin për vete, *
Izraelin për pronën e vet.
Unë e di mirë se i madh është Zoti, *
Hyji ynë është mbi gjithë hyjtë.
Gjithçka do Zoti bën në qiell e në tokë, *
në det e në të gjitha humnerat.
Bën të mblidhen retë prej skajeve të tokës, †
me vetëtima e prodhon shiun, *
erën e nxjerr nga vendet e strehimit.
Ai Egjiptit ia mbyti të parëlindurit *
si të njerëzve ashtu edhe të bagëtive.
Bëri shenja e mrekulli midis teje, o Egjipt, *
kundër faraonit e të gjithë shërbëtorëve të tij.
Shfarosi një numër të madh paganësh, *
vrau sa mbretër të fortë:
Sehonin, mbretin e amorrenjve
e Ogun, mbretin e Basanit, *
i rroposi të gjitha mbretëritë e Kanaanit,
e tokën, pronën e tyre, *
ia dha Izraelit, popullit të vet, për trashëgim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 I madh është Zoti, Hyji ynë, mbi të gjitha hyjnitë.
Ant. 2 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin, këndoji himne Emrit të tij.
Psalmi 135 /134/ II (13-21) Vetëm Zoti është i madh dhe i amshuar
Fjala ishte Hyj... u bë njeri e banoi ndër ne (Krh. Gjn 1, 1. 14).
O Zot, Emri yt është i madhërueshëm, *
kujtimi yt, o Zot, prej breznie në brezni!
Zoti e mbron popullin e vet, *
ka mëshirë për shërbëtorët e vet.
Idhujt e paganëve janë ar e argjend, *
prodhim i duarve të njerëzve:
e kanë gojën, por nuk flasin, *
i kanë sytë, por nuk shohin,
i kanë veshët, por s’dëgjojnë, *
as nuk kanë frymë në gojën e tyre.
Porsi ata do të jenë edhe ata që i punuan, *
të gjithë ata që shpresojnë në ta.
Shtëpia e Izraelit, bekoje Zotin, *
shtëpia e Aronit, bekoje Zotin,
shtëpia e Levit, bekoje Zotin, *
bekojeni Zotin të gjithë ju, që e druani Zotin!
Nga Sioni qoftë bekuar Zoti *
që banon në Jerusalem. Aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin, këndoji himne Emrit të tij.
Ant. 3 Mbarë popujt do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot.
Kënga Krh. Zb 15, 3-4 Himn adhurimi dhe lavdi
Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †
o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *
Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
o Mbreti i popujve!
Kush të mos të druajë ty, o Zot, †
dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *
Ti i vetmi je Shenjti!
Të gjitha kombet do të vijnë †
dhe do të adhurojnë para Teje, *
sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Mbarë popujt do të të vijnë e do të adhurojnë, o Zot.
Leximi i shkurtër Jak 1, 2-4
Çmoni për gëzim të vërtetë, vëllezërit e mi, kur t’ju ndodhë të sprovoni çdo lloj vështirësie, duke e ditur se prova e fesë suaj lind qëndrueshmërinë. Por qëndresa le të ushtrohet me përpikëri që të jeni të përkryer dhe të përsosur pa farë të mete.
Përgjigjja e shkurtër
C Krishti na do, * ai na liroi me gjakun e vet.
Krishti na do, ai na liroi me gjakun e vet.
D Bëri prej nesh një mbretëri,
dhe meshtarë për Hyjin tonë,
ai na liroi me gjakun e vet.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Krishti na do, ai na liroi me gjakun e vet.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Zoti u ndihmoi bijve të vet e sjellë ndër mend mëshirën.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti u ndihmoi bijve të vet duke sjellë ndër mend mëshirën.
Lutjet e besimtarëve
T’ia drejtojmë lutjen tonë Krishtit, të cilin Ati për mëkatet tona e dorëzoi dhe për shfajësimin tonë e ringjalli. T’i brohorasim:
Ki mëshirë, o Krisht, ndaj popullit tënd!
Dëgjoje, o Krisht, lutjen që ta drejtojmë dhe na i fal mëkatet:
— na jep falje dhe paqe.
Përmes apostullit ke thënë: “Ku është shumëzuar mëkati, fort dhe bollshëm mbizotëron hiri”:
— na i fal neve të gjitha mëkatet.
Shumë kemi mëkatuar, o Krisht, por hirin tënd të pafund e dëshirojmë:
— na kthe dhe do të shëlbohemi.
Shpëtoje, o Krisht, popullin tënd prej mosbesimit:
— bëj që të pëlqejë ty në gjithçka.
Derën e parrizit ia ke hapur cubit, i cili të ka pranuar për shpëtimtar:
— mos ua mbyll derën e parajsës të vdekurve tanë të dashur.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti na jep shëlbimin dhe na e dhuro bijësinë në shpirt; shiko me mirësi mbi bijtë e dashurisë sate, të cilët besojnë në Krishtin, e na jep lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.