Mbrëmësorja

Java e dymbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E diel

 

Mbrëmësorja I

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   O Zot, burimi i të gjitha sendeve,

   që në çdo gjë të kryer,

   hapësirën e mbarë tokës

   me të mira e dhunti mbushe.

 

   Kur krijove rruzullimin,

   thuhet se në fund more

   pushim, duke u dhënë punëve

   që ne me qejf të ngriheshim.

 

   Bëji tash vdekatarët

   t’i qajnë fajet e jetës,

   të qëndrojnë në virtyte

   e me mbarësi të shpërblehen.

 

   Që kur të nisë frika e madhe

   e gjykatësit të tmerrshëm,

   të gjithë me radhë të gëzohemi

   mbushur me dhunti paqeje.

 

   Na i jep, o Atë mëshirëploti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   që sundon në të gjithë shekujt. Amen.

 

Ant. 1 Paqja qoftë me ty, o Jerusalem!

 

   Psalmi 122 /121/ (1-9) Përshëndetje Jerusalemit, qytetit të shenjtë

 

   I jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë (Heb 12, 22).

 

Seç u gëzova kur më thanë: *

   »Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!«

Ja, tashmë këmbët tona shkelën *

   në dyert e tua, o Jerusalem!

 

O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri, *

   thuaj se i tëri një cope të vetme je!

 

Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, †

   sipas rregullores në Izrael *

   për të kremtuar Emrin e Zotit.

 

Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë, *

   selitë e shtëpisë së Davidit!

 

Lutuni për paqen e Izraelit: *

   »U priftë e mbara atyre që të duan ty!

Mbretëroftë paqja në muret e tua *

   dhe qetësia në pirgjet e tua!«

 

Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi *

   do të them: »Paqja me ty!«

Për dashuri ndaj Shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë, *

   do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Paqja qoftë me ty, o Jerusalem!

 

Ant. 2 Shpirti im e pret Zotin, më tepër se rojtari agimin.

 

   Psalmi 130 /129/ (1-8) Prej humnerës të thërras

 

   Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tija (Mt 1, 21).

 

Prej humnerës klitha te ti, o Zot, *

   o Zot, dëgjoje britmën time!

Le ta dëgjojnë veshët e tu, *

   zërin e lutjes sime.

 

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, *

   O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?

Por te ti gjendet falja *

   që të dimë të të druajmë.

 

Shpresoj në ty, o Zot, *

   shpirti im shpreson në premtimin e tij.

E pret shpirti im Zotin *

   më tepër se rojtarët agimin.

 

Më tepër se rojtarët agimin *

   le të shpresojë Izraeli në Zotin,

sepse te Zoti është mëshira *

   dhe i madh është tek Ai shpërblimi.

 

Ai do ta nxjerrë Izraelin *

   prej të gjitha paudhësive të tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Shpirti im e pret Zotin, më tepër se rojtari agimin.

 

Ant. 3 Qielli e toka le të përkulen para emrit të Krishtit Zot, aleluja.

 

   Kënga Fil 2, 6-11 Krishti, shërbëtor i Hyjit

 

Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *

   barazinë e vet me Të

   nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

 

por ia mohoi vetvetes *

   e mori natyrën e shërbëtorit

   dhe u bë i ngjashëm me njerëz

 

dhe, për kah pamja e jashtme, *

   dukej vetëm njeri.

 

E përuli vetveten

   duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*

   mu deri në vdekje në kryq.

 

Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *

   dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër

që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *

   i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

 

dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *

   ‘Jezu Krishti është Zot!’

   Në nder të Hyjit Atë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qielli e toka le të përkulen para emrit të Krishtit Zot, aleluja.

 

   Leximi i shkurtër 2 Pjt 1, 19-21

 

   U vërtetua fjala e profetëve dhe bëni shumë mirë që mbështeteni në të si në dritën që ndriçon në vend të errët - deri të zbardhë dita e të lindë Ylli i Dritës në zemrat tuaja. Para së gjithash dijeni mirë këtë: asnjë profeci që gjendet në Shkrimin e shenjtë nuk mund të shpjegohet sipas trillit të kujtdo, sepse askurrë nuk ndodhi ndonjë profeci me vullnet të njeriut, por njerëzit, të frymëzuar prej Shpirtit Shenjt, folën nga ana e Hyjit.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Që nga lindja e diellit gjer në perëndim *

   lavdërojeni emrin e Zotit.

   Që nga lindja e diellit gjer në perëndim

   lavdërojeni emrin e Zotit.

   D Lavdia e tij e madhe i tejkalon qiejt:

   lavdërojeni emrin e Zotit.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Që nga lindja e diellit gjer në perëndim

   lavdërojeni emrin e Zotit.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Viti A:

   Ant. Kushdo pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim, se jam i tij.

 

   Viti B:

   Ant. Gjatë stuhisë së madhe Jezusi po flinte. Nxënësit bërtitën: Na shpëto, o Zot, se po mbytemi!

 

   Viti C:

   Ant. Po ju kush mendoni se jam unë, i pyeti Zoti. Ti je Mesia i Hyjit!

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Viti A:

   Ant. Kushdo pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim, se jam i tij.

 

   Viti B:

   Ant. Gjatë stuhisë së madhe Jezusi po flinte. Nxënësit bërtitën: Na shpëto, o Zot, se po mbytemi!

 

   Viti C:

   Ant. Po ju kush mendoni se jam unë, i pyeti Zoti. Ti je Mesia i Hyjit!

 

 

   Lutjet e besimtarëve

 

T’i lutemi Krishtit, i cili është gëzimi i të gjithë atyre që në të shpresojnë dhe së bashku t’i themi:

 

   Na shiko, o Zot, dhe dëgjoje lutjen tonë!

 

Dëshmitar besnik, i parëlinduri prej vdekjes; ti me gjakun tënd i pastrove shpirtrat tanë:

bëj që përherë t’i kujtojmë mrekullitë e dashurisë sate.

Të gjithë ata që i ke thirrur të jenë lajmëtarë të ungjillit tënd:

bëj që të jenë të qëndrueshëm dhe shërbëtorë besnikë të mbretërisë sate.

Mbret i paqes, dërgojua Shpirtin tënd udhëheqësve të popullit:

le të kujdesen për të varfrit dhe të mjerët.

Bëhu ndihma e të gjithë atyre që vuajnë nga diskriminimi për shkak të kombësisë, të racës, të gjendjes shoqërore, të besimit ose të gjuhës,

bëj që t’i fitojnë të drejtat e veta dhe të tjerët ta pranojnë dinjitetin e tyre.

Të gjithë ata që në dashurinë tënde ndërruan jetë:

bëj që të jenë pjesëtarë të lumturisë, me të lumen Mari Virgjër dhe të gjithë shenjtërit e tu.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Po të lutemi, o Zot, bëj ta kemi frikën e emrit tënd por edhe njëkohësisht ta duam, sepse kurrë nuk ua mungove drejtimin tënd atyre që i ke përforcuar në dashurinë tënde. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.