Mbrëmësorja
24 qershor Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit
E kremte
Lutjet e mbrëmjes I
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)
Himni
Për t’mundur skllevrit tërë tejzat e zërit
ti bëjnë me ushtue çuditë e punëve tua,
zgjidhe mëkatin e buzve fajtore,
o Shën Joan.
Kur erdh nga qielli i epër Lajmëtari
ke yt atë se ti do lindësh njeri i madh,
emrin dhe vargun e jetës që do bëje
me radhë ia shfaqi.
Ai me dyshim n’premtimin e të Eprit
humbi në çast mënyrën e të folurit;
por kur u linde ia përtërive organet
e zërit t’shuar.
Strukur n’folenë e mbuluar të barkut
kishe ndier mbretin që në dhomë qëndronte;
këtej nëna e foshnjës për meritë të dyve
shfaqi të fshehtat.
Banorët e qiellit madhërojnë me lavde
ty, o Zot i thjeshtë e i barabartë n’Trini;
dhe ne si lutës ty të lypim falje:
fali t’shpërblyerit. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.
Ant. 1 Prej Elizabetës lindi Gjoni, pararendësi i Krishtit.
Psalmi 113 /112/ (1-9)
Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit, *
lavdërojeni, Emrin e Zotit!
Qoftë bekuar Emri i Zotit *
qysh tash e deri në amshim,
Që kur lind dielli e derisa perëndon *
qoftë bekuar Emri i Zotit!
I madhërueshëm është Zoti mbi të gjithë popujt, *
lavdia e tij i tejkalon qiejt
Kush është si Zoti, Hyji ynë, †
që fronin e ka në Lartësi, *
e nga lart vrojton qiellin e tokën?
Nga pluhuri e ngre skamnorin, *
nga llomi e lartëson të vobektin
për ta vënë të rrijë me princa, *
me princat e popullit të vet.
Ai bën të banojë beronja në shtëpi të vet *
nënë fëmijësh të gëzueshme.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Prej Elizabetës lindi Gjoni, pararendësi i Krishtit.
Ant. 2 Plakë dhe beronjë, Elizabeta e qiti në dritë Gjon Pagëzuesin.
Psalmi 146 /145/ (1-10)
Lavdëroje, shpirti im, Zotin! †
Do ta lavdëroj Zotin gjithë jetën time, *
derisa të jem, Hyjit tim do t’i këndoj.
Mos e vini shpresën tuaj në princa, *
në njeri që s’është i zoti të të shpëtojë.
Njeriu jep shpirt e kthehet në dheun e vet, *
brenda një dite humbasin synimet e tij.
I lumi ai që e ka ndihmën e Hyjit të Jakobit, *
që e ka shpresën në Zotin, Hyjin e vet,
i cili krijoi qiellin e Tokën, *
detin e gjithçka është në ta,
që e mban besnikërinë për amshim, †
që u jep të drejtën të nëpërkëmburve, *
u jep ushqimin të uriturve.
Zoti i çliron robërit, *
Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit, *
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët, †
u ndihmon bonjakëve e të vejave, *
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë, †
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Plakë dhe beronjë, Elizabeta e qiti në dritë Gjon Pagëzuesin.
Ant. 3 Prej të gjithë atyre që lindën prej gruaje nuk lindi kush më i madh se Gjon Pagëzuesi.
Qoftë bekuar Hyji.*
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
në qiell në Krishtin.
Në Të na zgjodhi *
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
para Tij në dashuri.
Ai na parashënoi për vete *
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
me pëlqimin e vullnetit të vet
për nder të lavdisë së hirit të tij *
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
e fituam shpërblimin;
në Të na u falën fajet *
me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
bashkë me çdo urti e kuptim.
Ai na vuri në dijeni *
mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
qysh më parë ta kryente në Të
kur të plotësohej koha: *
të vërë çdo gjë
nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësit *
që janë në qiell e në tokë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Prej të gjithë atyre që lindën prej gruaje nuk lindi kush më i madh se Gjon Pagëzuesi.
Leximi i shkurtër Vap 13, 23-25
Hyji, prej pasardhësve të Davidit, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin. Para ardhjes së Jezusit Gjoni i predikoi mbarë popullit të Izraelit pagëzimin e kthimit. E kur Gjoni po i jepte fund misionit të vet, thoshte: 'Unë nuk jam ai që ju mendoni se jam! Por, ja, pas meje po vjen, ai, të cilit unë nuk jam i denjë t'ia zgjidh të mbathurat e këmbëve.'
Përgjigjja e shkurtër
C Drejtoni shtigjet e Zotit, * përgatitni udhët e tija.
Drejtoni shtigjet e Zotit, përgatitni udhët e tija.
D Pas meje po vjen një, që ishte para meje:
përgatitni udhët e tija.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Drejtoni shtigjet e Zotit, përgatitni udhët e tija.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Në tempullin e Zotit, në të djathtën e lterit të kemit, Zakaria pa engjëllin Gabriel.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në tempullin e Zotit, në të djathtën e lterit të kemit, Zakaria pa engjëllin Gabriel.
Lutjet e besimtarëve
Me plot hare t’i lutemi Hyjit që Gjon Pagëzuesin e zgjodhi në mes të njerëzve që të kumtojë mbretërinë e Krishtit:
Drejtoji, o Zot, hapat tanë në shtigjet e paqes.
Gjonin e thirre nga kraharori i nënës për të përgatitur rrugën e Birit tënd
— na thirr edhe ne të shkojmë pas Zotërisë me zellin e Gjonit, i cili ia përgatiti rrugën.
Ti bëre që Gjon Pagëzuesi ta njohë Qengjin e Hyjit
— bëj që Kisha jote t’ua tregojë të gjithëve, dhe njerëzit e kohës sonë ta njohin.
Ti bëre që profeti yt të zvogëlohet, ndërsa Krishti të rritet
— bëj që edhe ne të zvogëlohemi, dhe ti të shfaqesh nëpër ne.
Nëpër mundimet e Gjonit deshe që të mbrohet e drejta
— na bëj të palëkundshëm në dëshminë e së vërtetës sate.
Le të të bjerë në mend për ata që kaluan nga kjo jetë
— vendosi në brigjet e dritës dhe e paqes.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Bëj, o Hyj i gjithëpushtetshëm, që familja jote të ecë udhës së shëlbimit nën udhëheqjen e shën Gjonit pararendës dhe të arrijë me siguri te Jezu Krishti, Zoti ynë, të cilin Gjoni e tregoi të pranishëm. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.