Mbrëmësorja
24 qershor Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit
Lutjet e mbrëmjes II
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Për t’mundur skllevrit tërë tejzat e zërit
ti bëjnë me ushtue çuditë e punëve tua,
zgjidhe mëkatin e buzve fajtore,
o Shën Joan.
Kur erdh nga qielli i epër Lajmëtari
ke yt atë se ti do lindësh njeri i madh,
emrin dhe vargun e jetës që do bëje
me radhë ia shfaqi.
Ai me dyshim n’premtimin e të Eprit
humbi në çast mënyrën e të folurit;
por kur u linde ia përtërive organet
e zërit t’shuar.
Strukur n’folenë e mbuluar të barkut
kishe ndier mbretin që në dhomë qëndronte;
këtej nëna e foshnjës për meritë të dyve
shfaqi të fshehtat.
Banorët e qiellit madhërojnë me lavde
ty, o Zot i thjeshtë e i barabartë n’Trini;
dhe ne si lutës ty të lypim falje:
fali t’shpërblyerit. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.
Ant. 1 Qe një njeri i dërguar prej Hyjit: emri i tij ishte Gjon.
Psalmi 15 /14/ (1-5)
O Zot, e kush do të guxojë të hyjë në tendën tënde? *
Kush do të guxojë të banojë në malin tënd të shenjtë?
Vetëm ai që jeton me nder, *
që vepron me drejtësi
e prej zemrës flet të vërtetën, *
që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton, *
që shokun nuk e çnderon:
ai që bakeqin e mban për asgjë *
e i çmon ata që e druajnë Zotin,
ai që i përbehet dashamirit të vet
dhe ia mban fjalën, †
nuk jep të holla me kamatë *
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu *
kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Qe një njeri i dërguar prej Hyjit: emri i tij ishte Gjon.
Ant. 2 Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën.
Psalmi 112 /111/ (1-10)
Lum ai njeri që e druan Zotin, *
që kënaqet në urdhërimet e tij.
Fara e tij do të jetë e fortë mbi tokë, *
do të bekohet breznia e të drejtëve.
Pasuri e mirëqenie në shtëpinë e tij, *
drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.
Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë: *
i butë e i mëshirshëm është njeriu i drejtë.
I ëmbël është njeriu që përdëllen e huajon, †
punët e veta i kryen me ndërgjegje, *
ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.
Në kujtim të përhershëm mbetet i drejti, *
nuk i trembet lajmit të keq.
E patrandshme është zemra e tij me shpresë në Zotin, †
të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet *
armiqtë e vet i bën asgjë.
Është dorëdhënë, u fal skamnorëve; †
drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve, *
balli i tij ngallit për nder.
E sheh bakeqi dhe hidhërohet, †
me dhëmbë kërcëllon e vyshket. *
Dëshira e mëkatarëve shkon huq.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën.
Ant. 3 Gjoni ishte llambë që digjet dhe shkëlqen.
Kënga Krh. Zb 15, 3-4
Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †
o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *
Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
o Mbreti i popujve!
Kush të mos të druajë ty, o Zot, †
dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *
Ti i vetmi, je Shenjti!
Të gjitha kombet do të vijnë †
dhe do të adhurojnë para Teje, *
sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Gjoni ishte llambë që digjet dhe shkëlqen.
Leximi i shkurtër Vap 13, 23-25
Hyji, prej pasardhësve të Davidit, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin. Para ardhjes së Jezusit Gjoni i predikoi mbarë popullit të Izraelit pagëzimin e kthimit. E kur Gjoni po i jepte fund misionit të vet, thoshte: 'Unë nuk jam ai që ju mendoni se jam! Por, ja, pas meje po vjen ai, të cilit unë nuk jam i denjë t'ia zgjidh të mbathurat e këmbëve.'
Përgjigjja e shkurtër
C Drejtoni shtigjet e Zotit, * përgatitni udhët e tija.
Drejtoni shtigjet e Zotit, përgatitni udhët e tija.
D Pas meje po vjen një, që ishte para meje:
përgatitni udhët e tija.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Drejtoni shtigjet e Zotit, përgatitni udhët e tija.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Ky fëmijë është më shumë se një profet; për të Shëlbuesi tha: në mesin e të lindurve prej grash nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. Ky fëmijë është më shumë se një profet; për të Shëlbuesi tha: në mesin e të lindurve prej grash nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi.
Lutjet e besimtarëve
Me plot hare t’i lutemi Hyjit që Gjon Pagëzuesin e zgjodhi në mes të njerëzve që të kumtojë mbretërinë e Krishtit:
Drejtoji, o Zot, hapat tanë në shtigjet e paqes.
Gjonin e thirre nga kraharori i nënës për të përgatitur rrugën e Birit tënd
— na thirr edhe ne të shkojmë pas Zotërisë me zellin e Gjonit, i cili ia përgatiti rrugën.
Ti bëre që Gjon Pagëzuesi ta njohë Qengjin e Hyjit
— bëj që Kisha jote t’ua tregojë të gjithëve, dhe njerëzit e kohës sonë ta njohin.
Ti bëre që profeti yt të zvogëlohet, ndërsa Krishti të rritet
— bëj që edhe ne të zvogëlohemi, dhe ti të shfaqesh nëpër ne.
Nëpër mundimet e Gjonit deshe që të mbrohet e drejta
— na bëj të palëkundshëm në dëshminë e së vërtetës sate.
Le të të bjerë në mend për ata që kaluan nga kjo jetë
— vendosi në brigjet e dritës dhe të paqes.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti e dërgove shën Gjonin Pagëzues që ta përgatiste popullin për ardhjen e Mesisë Zot; dhuroja Kishës sate gëzimin shpirtëror dhe drejtoje shpirtin e të gjithë besimtarëve udhës së shëlbimit e të paqes. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.