Mbrëmësorja
29 qershor Shën Pjetri e Pali, apostuj
Mbrëmësorja II
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
O Romë e Lumtur, që je veshur me purpur
gjaku të çmueshëm të sa e sa princave;
Ti ia kalon për bukuri tërë botës
jo për lavdinë tënde, por për meritë të shenjtërve,
që i preve në fyt me shpata të gjakosura.
Tashti pra ju, o martirë të lavdishëm,
Pjetër i lumë e Pal, zambaku i botës,
ushtarë ngadhënjimtarë n’oborr qiellor
me lutjet tuaja jetëdhënëse na forconi
nga të gjitha të ligat, në parajsë na çoni.
Atit Lavdi në shekuj të pamatur,
ty, Bir, të qoftë nderimi dhe sundimi,
dhe Shpirtit Shenjt vlerësimi dhe pushteti;
Trinisë i qoftë shpëtimi i pandashëm
ndër shekujt e pafund të të gjithë shekujve. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ju, nxënësit e mi, më keni qëndruar besnikë në momentin e tundimit.
Psalmi 116 /115/ (10-19)
Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *
»Jam i pafat për së tepërmi!«.
Në hutimin tim kam thënë: *
»Rrenacak është çdo njeri!«
Si do t’ia shpërblej Zotit *
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
Do të ngre gotën e shëlbimit *
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij.
E çmueshme është para Zotit *
vdekja e shenjtërve të tij.
O Zot, unë jam shërbëtori yt, †
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *
Ti i këpute hekurat e mi:
ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit, *
midis teje, o Jerusalem!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Ju, nxënësit e mi, më keni qëndruar besnikë në momentin e tundimit.
Ant. 2 Unë mburrem me dobësitë e mia, që të banojë në mua fuqia e Krishtit.
Psalmi 126 /125/ (1-6)
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz *
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
Asohere thuhej ndër paganë: *
»Zoti bëri për ta punë të mëdha!«
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *
e zemrat na u mbushën me gëzim!
Ktheji, o Zot, robërit tanë *
porsi përrenjtë e mesditës!
Ata që mbjellin me lot, *
deh, le të korrin me gëzim!
Në të shkuar ecnin e qanin *
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *
duke mbartur dorëzat e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 2 Unë mburrem me dobësitë e mia, që të banojë në mua fuqia e Krishtit.
Ant. 3 Ti je bari i grigjës së Krishtit, dhe i pari ndër apostuj: ty të janë besuar çelësat e mbretërisë.
Kënga Krh. Ef 1, 3-10
Qoftë bekuar Hyji.*
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
në qiell në Krishtin.
Në Të na zgjodhi *
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
para Tij në dashuri.
Ai na parashënoi për vete *
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
me pëlqimin e vullnetit të vet
për nder të lavdisë së hirit të tij *
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
e fituam shpërblimin;
në Të na u falën fajet *
me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
bashkë me çdo urti e kuptim.
Ai na vuri në dijeni *
mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
qysh më parë ta kryente në Të
kur të plotësohej koha: *
të vërë çdo gjë
nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësitë *
që janë në qiell e në tokë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3 Ti je bari i grigjës së Krishtit, dhe i pari ndër apostuj: ty të janë besuar çelësat e mbretërisë.
Leximi i shkurtër 1 Kor 15, 3-5. 8
Më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi i shenjtë. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin e shenjtë. Iu duk Kefës e pastaj të Dymbëdhjetëve. Më së fundi mu dëftua edhe mua ‑ dështakut.
Përgjigjja e shkurtër
C Me guxim të madh * e shpallën fjalën e Zotit.
Me guxim të madh e shpallën fjalën e Zotit.
D Dëshmitarët e ngjalljes së Krishtit,
e shpallën fjalën e Zotit.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Me guxim të madh e shpallën fjalën e Zotit.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Pjetri, i pari ndër apostuj, dhe Pali, mësuesi i paganëve, na mësojnë, o Zot, ligjin tënd.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Pjetri, i pari ndër apostuj, dhe Pali, mësuesi i paganëve, na mësojnë, o Zot, ligjin tënd.
Lutjet e besimtarëve
Krishti mbi themelin e apostujve dhe profetëve ndërtoi Kishën e vet. Atij t’i drejtohemi me lutje:
O Zot, ndihmoji popullit tënd.
Ti e thirre peshkatarin, Pjetrin, që të bëhet peshkatar njerëzish
— mos pusho të zgjedhësh veprimtarë të Ungjillit që të shëlbohen mbarë popujt.
I urdhërove detit të fashitet që të mos fundoset lundra e nxënësve
— ruaje Kishën tënde nga çdo rrezik dhe jepi fuqi papës tonë E.
Pas ngjalljes grigjën tënde të shpërndarë e bashkove rreth Pjetrit
— Bari i mirë, bashkoji të gjithë popujt në një vathë të vetme.
Palin apostull e dërgove të kumtojë ungjillin popujve
— bëj që fjala e shpëtimit t’i predikohet çdo krijese.
Çelësat e mbretërisë qiellore ia dorëzove Kishës sate
— hapi dyert e qiellit për të gjithë ata që kanë shpresuar në mëshirën tënde.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Zot, ti na gëzon me të kremten e nderuar të shën Pjetrit e shën Palit, apostuj: jepi Kishës sate një besnikëri të përsosur ndaj mësimit të tyre, pasi prej tyre ajo mori lajmin e parë të fesë. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.