Mbrëmësorja

Java e katërmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E enjte

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   Hyj, që me ndriçim t’pastër

   dritën shestove, o Zot,

   ne lumninë tënde lypim

   nësa dita n’kthesë përkulet.

 

   Tani dielli n’muzg shpejtuar

   nxiton n’prendim të vet,

   me terrinë mbështjell botën

   tue mbajtë radhën e vet.

 

   Mirëpo, ti o Zot i lartë,

   shërbtorët tu që luten

   lodhur nga puna e ditës

   mos i lër n’terr të ndrydhen.

 

   Që jo t’errësuar në mendje

   të na ikë koha e ditës,

   por me hir tënd të mbrojtur

   të shohim dritë fatmadhe.

 

   Bëj, o Atë, tërë i drejti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushllimtar

   sundues ndër gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Të vendosa si dritë për popuj: ti do ta çosh shëlbimin deri në skaj të botës.

 

   Psalmi 72 /71/ Pushteti i Mesisë

 

   I hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrë (Mt 2, 11).

 

   I (1-11)

 

O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd *

   dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi *

   e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.

 

Malet le t’i sjellin paqen popullit *

   e kodrat drejtësinë.

 

Ai do t’i gjykojë të vobektët e popullit, †

   do t’i shpëtojë bijtë e skamnorit *

   do ta përulë shpifësin.

 

Ai do të jetojë sa dielli e hëna, *

   nga breznia në brezni.

Do të zbresë porsi vesa mbi bar, *

   porsi shiu që e lag tokën.

 

Në ditët e tij do të lulëzojë drejtësia *

   dhe paqe e madhe derisa të jetë Hëna.

 

Do të sundojë prej detit në det, *

   prej Lumit e deri në skajin e botës.

Para tij do të bien përmbys banorët e shkretëtirës, *

   kundërshtarët e tij do të lëpijnë dheun.

 

Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve

   dhurata do të sjellin, *

   mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat,

të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien *

   e popujt mbarë do t’i shërbejnë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Të vendosa si dritë për popuj: ti do ta çosh shëlbimin deri në skaj të botës.

 

Ant. 2 Zoti do t’u jep të drejtën të varfërve: ai do t’i shpëtojë prej shtypjes.

 

   Psalmi 72 /71/ II (12-19) Mbretëria e paqes dhe e bekimit

 

   Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin (Mk 16, 15).

 

Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan, *

   të varfrin që nuk ka ndihmëtar.

Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin, *

   dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.

 

Do t’i shpëtojë prej padrejtësisë e dhunës, *

   gjaku i tyre do të jetë i çmueshëm përpara tij.

 

Do të jetojë e do t’i jepet prej arit të Arabisë, †

   gjithmonë do të luten për të, *

   gjithë ditën do ta bekojnë.

 

Toka do të japë drithëra me shumicë, *

   në maja të maleve do të valëviten kallëzit,

porsi Libani frytet e tokës, *

   do të lulëzojnë porsi bari i tokës banorët e qytetit.

 

Qoftë bekuar emri i tij në shekuj, *

   sa të jetë Dielli mos iu harroftë emri!

Nëpër të do të bekohen të gjitha fiset e dheut, *

   të gjithë paganët të lumtur do ta quajnë.

 

Qoftë bekuar Zoti Hyj, Hyji i Izraelit, *

   që i vetmi bën mrekulli!

 

Qoftë bekuar Emri i tij i madhërueshëm, †

   toka mbarë u mbushtë me lavdinë e tij. *

   Amen! Amen!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti do t’u jep të drejtën të varfërve: ai do t’i shpëtojë prej shtypjes.

 

Ant. 3 Ja tani koha e shëlbimit dhe e mbretërisë së Hyjit tonë.

 

   Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a Gjyqi i Zotit

 

Po të falënderojmë, o Zotëri,

   Hyj i Gjithëpushtetshëm, *

   ty që je, ty që ishe,

 

sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *

   dhe e more mbretërimin!

 

Paganët u hidhëruan,

   por arriti zemërimi yt! *

   Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,

 

koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *

   profetët dhe shenjtërit

dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd *

   - për të vegjël e të mëdhenj.

 

Ja, tani koha e shëlbimit,

   e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *

   dhe e sundimit të Krishtit të tij!

 

Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *

   që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

 

Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit

   dhe në saje të dëshmisë së vet: *

   nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.

 

Prandaj galdo, o qiell, *

   galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ja tani koha e shëlbimit dhe e mbretërisë së Hyjit tonë.

 

   Leximi i shkurtër 1 Pjt 1, 22-23

 

   Pasi i pastruat shpirtrat tuaj duke e pasë dëgjuar të vërtetën për t’u dashur sinqerisht si vëllezër: doni njëri-tjetrin me gjithë shpirt dhe me dashuri të vërtetë, sepse u rilindët jo me farë që prishet, por që nuk merr mort kurrë: me fjalën e Hyjit të gjallë e të amshuar.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Zoti është bariu im: * asgjë nuk më mungon.

   Zoti është bariu im: asgjë nuk më mungon.

   D Më mballon kullotave të gjelbra,

   asgjë nuk më mungon.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Zoti është bariu im: asgjë nuk më mungon.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Atë që ka uri për drejtësi, Zoti e mbush me të mira.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Atë që ka uri për drejtësi, Zoti e mbush me të mira.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Të përshkuar me mirënjohje, t’i lartësojmë shpirtrat tanë drejt Zotit, Shëlbuesit tonë, që e bekon popullin e vet me çdo bekim shpirtëror:

 

   Bekoje, o Zot, popullin tënd!

 

O Hyj i mëshirshëm, mbroje papën tonë E. dhe ipeshkvin tonë E.:

ruaji të palëkundshëm për Kishën tënde.

Ruaje, o Zot, atdheun tonë:

lirona prej të gjitha të këqijave.

Thirr shumë fëmijë në tryezën tënde:

le të shkojnë pas teje dhe le të ndjekin pastërtinë, varfërinë dhe dëgjesën tënde.

Ruaji, o Zot, shërbëtorët dhe shërbëtoret e tua, të cilët t’u kushtuan me kushtin e virgjërisë:

bëj që me bujari të të ndjekin ty, Qengjin hyjnor.

Le të pushojnë të vdekurit në paqen e amshuar

dhe le të forcohet lidhja e tyre me ne përmes shkëmbimit të të mirave shpirtërore.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Zot i mëshirshëm, dëgjoje popullin tënd, të bashkuar në lutje, dhe kujdesohu për ne, dhe pasi na dhe hirin e besimit, të na japësh edhe trashëgimin e amshuar bashkë me Birin tënd të ngjallur. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.