Mbrëmësorja

Java e pesëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E diel

 

Mbrëmësorja I

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   O Zot, krijues i të gjithave

   drejtues në botë, që ditën

   e vesh me dritë të hijshme

   e me hir të gjumit natën,

 

   Prehja gjymtyrëve të këputura

   t’u kthejë zellin e punës,

   të lehtësojë mendjet e lodhura,

   të heqë gjëmat ngashëruese.

 

   Falë ditës që kaloi,

   e uratëve në natë të re,

   ndihmo fajtorët me anë të premtimit

   me këngë shpalosim himnin.

 

   Thellësisht të këndoftë zemra,

   për Ty zëri të kumbojë,

   Të dashtë dëshira e pastër,

   t’adhuroftë mendja e përkorë.

 

   Kur errësira e madhe

   me net të mbulojë ditën,

   feja të mos njohë terrin,

   nga feja shkëlqeftë nata.

 

   Na ruaj, Atë plot drejtësi,

   dhe, o Bir, baras me Atin

   bashkë me Shpirtin Ngushëllues,

   që n’jetë të jetës je sundues. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Që kur lind dielli e derisa perëndon, qoftë bekuar Emri i Zotit!

 

   Psalmi 113 /112/ (1-9) Lavdërojeni emrin e Zotit

 

   I rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvujtët (Lk 1, 52).

 

Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit, *

   lavdërojeni, Emrin e Zotit!

Qoftë bekuar Emri i Zotit *

   qysh tash e deri në amshim.

 

Që kur lind dielli e derisa perëndon *

   qoftë bekuar Emri i Zotit!

I madhërueshëm është Zoti mbi të gjithë popujt, *

   lavdia e tij i tejkalon qiejt.

 

Kush është si Zoti, Hyji ynë, †

   që fronin e ka në Lartësi, *

   e nga lart vrojton qiellin e tokën?

 

Nga pluhuri e ngre skamnorin, *

   nga llomi e lartëson të vobektin

për ta vënë të rrijë me princa, *

   me princat e popullit të vet.

 

Ai bën të banojë beronja në shtëpi të vet *

   nënë fëmijësh të gëzueshme.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Që kur lind dielli e derisa perëndon, qoftë bekuar Emri i Zotit!

 

Ant. 2 Do ta ngre gotën e shëlbimit e do të thërras Emrin e Zotit.

 

   Psalmi 116 /115/ (10-19) Falënderim në tempull

 

   Me anë të tij (Krishtit) t'i kushtojmë vazhdimisht Hyjit fli lavdie (Heb 13, 15).

 

Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *

   »Jam i pafat për së tepërmi!«.

Në hutimin tim kam thënë: *

   »Rrenacak është çdo njeri!«

 

Si do t’ia shpërblej Zotit *

   për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?

Do të ngre gotën e shëlbimit *

   e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

 

Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *

   në praninë e mbarë popullit të tij.

E çmueshme është para Zotit *

   vdekja e shenjtërve të tij.

 

O Zot, unë jam shërbëtori yt, †

   shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *

   Ti i këpute hekurat e mi:

 

ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *

   me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

 

Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *

   në praninë e mbarë popullit të tij,

në oborret e Shtëpisë së Zotit, *

   midis teje, o Jerusalem!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Do ta ngre gotën e shëlbimit e do të thërras Emrin e Zotit.

 

Ant. 3 Jezusi e përuli vetveten deri në vdekje; prandaj Hyji e lartësoi në lavdi.

 

   Kënga Fil 2, 6-11 Krishti, shërbëtor i Hyjit

 

Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *

   barazinë e vet me Të

   nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

por ia mohoi vetvetes *

   e mori natyrën e shërbëtorit

   dhe u bë i ngjashëm me njerëz

 

dhe, për kah pamja e jashtme, *

   dukej vetëm njeri.

 

E përuli vetveten

   duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*

   mu deri në vdekje në kryq.

 

Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *

   dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër

 

që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *

   i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

 

dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *

   ‘Jezu Krishti është Zot!’

   Në nder të Hyjit Atë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Jezusi e përuli vetveten deri në vdekje; prandaj Hyji e lartësoi në lavdi.

 

   Leximi i shkurtër Heb 13, 20-21

 

   Hyji, burimi i paqes, që e nxori lart nga të vdekurit me anë të gjakut të Besëlidhjes së amshuar Bariun e madh të deleve, Zotin tonë Jezusin, ju bëftë të aftë për çdo vepër të mirë që ta kryeni vullnetin e tij! Ai bëftë në ne çka Atij i pëlqen, nëpër Jezu Krishtin, të cilit i qoftë lavdi në shekuj (të shekujve). Amen.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Sa të mëdha janë * veprat e tua, o Zot!

   Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot!

   D Ti i bëre me mirësi dhe urti,

   veprat e tua, o Zot!

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot!

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Viti A:

   Ant. Jezusi hipi në barkë dhe u foli shumë gjëra në shëmbëlltyra.

 

   Viti B:

   Ant. Jezusi i thirri të Dymbëdhjetët e nisi t’i dërgojë dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë.

 

   Viti C:

   Ant. Kështu shkruan në Ligj: Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, dhe të afërmin tënd porsi vetveten.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Viti A:

   Ant. Jezusi hipi në barkë dhe u foli shumë gjëra në shëmbëlltyra.

 

   Viti B:

   Ant. Jezusi i thirri të Dymbëdhjetët e nisi t’i dërgojë dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë.

 

   Viti C:

   Ant. Kështu shkruan në Ligj: Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, dhe të afërmin tënd porsi vetveten.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Krishti tregoi mëshirë ndaj popullit të uritur dhe për të bëri vepra të mrekullueshme. Plot besim dhe përvujtëri ta lusim me përshpirtëri:

 

   Na e trego, o Zot, dashurinë tënde!

 

O Zot, e pranojmë se të gjitha të mirat na vijnë prej teje:

bëj që të mos kthehen te ti të pafrytshme, por le të sjellin fryte shëlbimi.

Ti që je drita dhe shpëtimi i të gjithë popujve, ruaji dëshmitarët që i ke dërguar nëpër tërë botën:

ndize në ta zjarrin e Shpirtit tënd.

Bëj që të gjithë njerëzit të bashkëpunojnë për të formuar një botë të re:

në përkim me aspiratat e ligjshme të përparimit në drejtësi dhe paqe.

Shërues i shpirtrave dhe trupave, shëroji të sëmurët dhe qëndro afër atyre që janë në çastin e vdekjes:

me mirësinë tënde na mbush dhe na forco me dhuratën e dashurisë sate.

Të vdekurit, emrat e të cilëve janë të shënuar në librin e jetës:

numëroji ndër të lumturit e tu.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti ua tregon dritën e së vërtetës sate atyre që të humbur enden andej e këndej, për t’i kthyer në udhën tënde: bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë të flakin çka i kundërshton këtij emri, e të pranojnë çka i përket. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.