Mbrëmësorja

Java e pesëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E diel

 

Mbrëmësorja II

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

Krijues i lartë i dritës,

që shfaq dritën e ditëve

që në zanafillë blaton burimin

e dritës së re të botës.

 

Që n’agim urdhëron ditën

t’ia lëshojë vendin mbrëmjes,

derdhet kaosi i zi,

lutjet me lot dëgjoji;

 

Mendja e rënduar nga krimi

të mos mbesë pa shpërblim të jetës,

ndërsa asgjë s’e mendon të përjetshme

veten e lidh pas fajesh.

 

Të trokasë në zemër të qiejve,

të nxjerrë çmimin jetëdhënës;

çdo dëmi le t’i shmangemi,

çdo ligësi të pastrojmë.

 

Na jep, o Atë plot drejtësi,

dhe o Bir baras me Atin,

me Shpirtin Ngushëllimtar

sundues ndër të gjithë shekujt. Amen

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 I tha Zoti Zotit tim: Rri në të djathtën time, aleluja.

 

   Psalmi 110 /109/ (1-5. 7) Mesia, mbret dhe meshtar

 

   Duhet që Ai të mbretërojë derisa t'i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij (1 Kor 15, 25).

 

I tha Zoti Zotit tim: *

   »Rri në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu *

   shtrojë për këmbët e tua!«

 

Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *

   sundo midis armiqve të tu!

 

Ty të përket më i larti pushtet *

   në ditën e fuqisë sate

në shkëlqime të shenjta *

   nga kraharori para Yllit të Dritës

   unë të linda.

 

Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *

   Ti je prift për amshim

   në mënyrën e Melkizedekut.«

 

Zoti është në të djathtën tënde, *

   i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.

 

Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *

   prandaj lart do ta ngrejë kokën.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 I tha Zoti Zotit tim: Rri në të djathtën time, aleluja.

 

Ant. 2 I kumtojmë mrekullitë e tua e të falënderojmë, o Zot.

 

   Psalmi 111 /110/ (1-10) Veprat e mëdha të Zotit

 

   Të mëdha dhe të madhërishme janë veprat e tua, o Zot i Gjithëpushtetshëm (Krh. Zb 15, 3).

 

Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin, *

   në kuvendin e të drejtëve, në mbledhjen e tyre.

 

Të mëdha janë veprat e Hyjit, *

   për t’u shqyrtuar prej atyre që i duan.

Stoli e shkëlqim është vepra e tij, *

   drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.

 

U ngreh përmendore mrekullive të veta, *

   i mëshirshëm e mëshirëdhënës është Zoti.

U jep ushqim atyre që e druajnë, *

   kurrë s’e harron Besëlidhjen e vet.

 

Popullit të vet ia kumtoi fuqinë e veprave të veta, *

   duke ua dhuruar pronën e paganëve.

 

Veprat e duarve të tij janë drejtësi e besnikëri, *

   urdhërimet e tij janë të vërteta,

të qëndrueshme në jetë të jetëve, *

   të themeluara mbi të vërtetën e drejtësinë.

 

Shpërblim i dha popullit të vet, *

   Besëlidhjen e vet e bëri të amshueshme:

 

i shenjtë dhe i tmerrshëm është Emri i tij. *

   Fillimi i dijes është frika e Zotit,

janë të mençur të gjithë ata që veprojnë sipas saj, *

   lavdia e Tij qëndron për amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 I kumtojmë mrekullitë e tua e të falënderojmë, o Zot.

 

Ant. 3 Hyji mbretëron: atij i qoftë lavdia, aleluja, aleluja.

 

   Kur këndohet kjo këngë, atëherë Aleluja mund të përsëritet disa herë çdo dy apo katër strofa.

 

   Kënga Krh. Zb 19, 1- Dasma e Qengjit

 

Aleluja!

Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, *

(C Aleluja.)

sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij *

(C Aleluja.)

të gjithë ju që e droni - të vegjël e të mëdhenj!

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Mbretëron Zoti, *

(C Aleluja.)

Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi!

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Le të galdojmë e të brohorasim *

(C Aleluja.)

dhe t’i japim lavdi Atij.

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Sepse erdhi Dasma e Qengjit! *

(C Aleluja.)

Gati është Nusja e tij.

C Aleluja (aleluja).

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Hyji mbretëron: atij i qoftë lavdia, aleluja, aleluja.

 

   Leximi i shkurtër 1 Pjt 1, 3-5

 

   Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të madhe në saje të ngjalljes prej të vdekurish të Jezu Krishtit, për shpresën jetësore, për trashëgim të pashkatërrueshëm, të panjollë e të pavyeshkshëm që e ruajti për ju në qiell; për ju që jeni të ruajtur me fuqinë e Hyjit në saje të fesë për shëlbim që është gati të zbulohet në kohën e fundit.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C I bekuar je ti, o Zot, * në lartësitë e qiellit.

   I bekuar je ti, o Zot, në lartësitë e qiellit.

   D Ty të qoftë nderi dhe lavdia në shekuj,

   në lartësitë e qiellit.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   I bekuar je ti, o Zot, në lartësitë e qiellit.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Viti A:

   Ant. Jezusi u tha nxënësve të vet: Ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit.

 

   Viti B:

   Ant. Pa bukë, as strajcë, as para bakri në brez, nxënësit, prej shtëpie në shtëpi, u predikonin njerëzve kthimin kah Zoti.

 

   Viti C:

   Ant. Kujdesu për të afërmin tënd: dhe çka të shpenzosh për të do ta kthej kur të kthehem.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Viti A:

   Ant. Jezusi u tha nxënësve të vet: Ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit.

 

   Viti B:

   Ant. Pa bukë, as strajcë, as para bakri në brez, nxënësit, prej shtëpie në shtëpi, u predikonin njerëzve kthimin kah Zoti.

 

   Viti C:

   Ant. Kujdesu për të afërmin tënd: dhe çka të shpenzosh për të do ta kthej kur të kthehem.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Me zemra të gëzuara t’i lutemi Zotit, i cili botën e krijoi, e ripërtëriu me shëlbimin e vet dhe e përcjell me dashuri:

 

   Ripërtërij, o Zot, veprat e dashurisë sate!

 

Të lavdërojmë, o Zot i madh, për fuqinë tënde, me të cilën e krijove gjithësinë:

dhe për provaninë tënde që shfaqet në jetën e njerëzve.

Nëpërmjet Birit tënd, Princit të paqes dhe Ngadhënjyesit mbi vdekje:

lirona nga pikëllimi dhe frika.

Të gjithë atyre që e duan drejtësinë:

jepua mundësinë që të bashkëpunojnë në ndërtimin e një bote të re në paqe të vërtetë.

Ndihmo të shtypurit, liroji të burgosurit, ngushëlloji të mjerët, jepu bukë të uriturve, forcoji të dobëtit:

në gjithçka tregoje ngadhënjimin e kryqit.

Birin tënd pas vdekjes dhe varrimit, mrekullisht e ringjalle në jetë dhe lavdi:

bëj që ata që vdiqën së bashku me Të, të arrijnë në lumturi te Ti.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti ua tregon dritën e së vërtetës sate atyre që të humbur enden andej e këndej, për t’i kthyer në udhën tënde: bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë të flakin çka i kundërshton këtij emri, e të pranojnë çka i përket. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.