Mbrëmësorja

Java e gjashtëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E diel

 

Mbrëmësorja I

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   O Zot, burimi i të gjitha sendeve,

   që në çdo gjë të kryer,

   hapësirën e mbarë tokës

   me të mira e dhunti mbushe.

 

   Kur krijove rruzullimin,

   thuhet se në fund more

   pushim, duke u dhënë punëve

   që ne me qejf të ngriheshim.

 

   Bëji tash vdekatarët

   t’i qajnë fajet e jetës,

   të qëndrojnë në virtyte

   e me mbarësi të shpërblehen.

 

   Që kur të nisë frika e madhe

   e gjykatësit të tmerrshëm,

   të gjithë me radhë të gëzohemi

   mbushur me dhunti paqeje.

 

   Na i jep, o Atë mëshirëploti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   që sundon në të gjithë shekujt. Amen.

 

Ant. 1 Paqja qoftë me ty, o Jerusalem!

 

   Psalmi 122 /121/ (1-9) Përshëndetje Jerusalemit, qytetit të shenjtë

 

   I jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë (Heb 12, 22).

 

Seç u gëzova kur më thanë: *

   »Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!«

Ja, tashmë këmbët tona shkelën *

   në dyert e tua, o Jerusalem!

 

O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri, *

   thuaj se i tëri një cope të vetme je!

 

Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, †

   sipas rregullores në Izrael *

   për të kremtuar Emrin e Zotit.

 

Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë, *

   selitë e shtëpisë së Davidit!

 

Lutuni për paqen e Izraelit: *

   »U priftë e mbara atyre që të duan ty!

Mbretëroftë paqja në muret e tua *

   dhe qetësia në pirgjet e tua!«

 

Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi *

   do të them: »Paqja me ty!«

Për dashuri ndaj Shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë, *

   do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Paqja qoftë me ty, o Jerusalem!

 

Ant. 2 Shpirti im e pret Zotin, më tepër se rojtari agimin.

 

   Psalmi 130 /129/ (1-8) Prej humnerës të thërras

 

   Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tija (Mt 1, 21).

 

Prej humnerës klitha te ti, o Zot, *

   o Zot, dëgjoje britmën time!

Le ta dëgjojnë veshët e tu, *

   zërin e lutjes sime.

 

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, *

   O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?

Por te ti gjendet falja *

   që të dimë të të druajmë.

 

Shpresoj në ty, o Zot, *

   shpirti im shpreson në premtimin e tij.

E pret shpirti im Zotin *

   më tepër se rojtarët agimin.

 

Më tepër se rojtarët agimin *

   le të shpresojë Izraeli në Zotin,

sepse te Zoti është mëshira *

   dhe i madh është tek Ai shpërblimi.

 

Ai do ta nxjerrë Izraelin *

   prej të gjitha paudhësive të tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Shpirti im e pret Zotin, më tepër se rojtari agimin.

 

Ant. 3 Qielli e toka le të përkulen para emrit të Krishtit Zot, aleluja.

 

   Kënga Fil 2, 6-11 Krishti, shërbëtor i Hyjit

 

Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *

   barazinë e vet me Të

   nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

 

por ia mohoi vetvetes *

   e mori natyrën e shërbëtorit

   dhe u bë i ngjashëm me njerëz

 

dhe, për kah pamja e jashtme, *

   dukej vetëm njeri.

 

E përuli vetveten

   duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*

   mu deri në vdekje në kryq.

 

Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *

   dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër

që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *

   i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

 

dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *

   ‘Jezu Krishti është Zot!’

   Në nder të Hyjit Atë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qielli e toka le të përkulen para emrit të Krishtit Zot, aleluja.

 

   Leximi i shkurtër 2 Pjt 1, 19-21

 

   U vërtetua fjala e profetëve dhe bëni shumë mirë që mbështeteni në të si në dritën që ndriçon në vend të errët - deri të zbardhë dita e të lindë Ylli i Dritës në zemrat tuaja. Para së gjithash dijeni mirë këtë: asnjë profeci që gjendet në Shkrimin shenjt nuk mund të shpjegohet sipas trillit të kujtdo, sepse askurrë nuk ndodhi ndonjë profeci me vullnet të njeriut, por njerëzit, të frymëzuar prej Shpirtit Shenjt, folën nga ana e Hyjit.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Që nga lindja e diellit gjer në perëndim *

   lavdërojeni emrin e Zotit.

   Që nga lindja e diellit gjer në perëndim

   lavdërojeni emrin e Zotit.

   D Lavdia e tij e madhe i tejkalon qiejt:

   lavdërojeni emrin e Zotit.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Që nga lindja e diellit gjer në perëndim

   lavdërojeni emrin e Zotit.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Viti A:

   Ant. Do të flas në shëmbëlltyra, do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi i botës.

 

   Viti B:

   Ant. Ejani edhe ju me mua në një vend të pabanuar, dhe pushoni pak në vetmi.

 

   Viti C:

   Ant. Jezusi hyri në një fshat dhe një grua, me emër Martë, e priti në shtëpi, dhe i shërbente.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Viti A:

   Ant. Do të flas në shëmbëlltyra, do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi i botës.

 

   Viti B:

   Ant. Ejani edhe ju me mua në një vend të pabanuar, dhe pushoni pak në vetmi.

 

   Viti C:

   Ant. Jezusi hyri në një fshat dhe një grua, me emër Martë, e priti në shtëpi, dhe i shërbente.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

T’i lutemi Krishtit, i cili është gëzimi i të gjithë atyre që në të shpresojnë dhe së bashku t’i themi:

 

   Na shiko, o Zot, dhe dëgjoje lutjen tonë!

 

Dëshmitar besnik, i parëlinduri prej vdekjes; ti me gjakun tënd i pastrove shpirtrat tanë:

bëj që përherë t’i kujtojmë mrekullitë e dashurisë sate.

Të gjithë ata që i ke thirrur të jenë lajmëtarë të ungjillit tënd:

bëj që të jenë të qëndrueshëm dhe shërbëtorë besnikë të mbretërisë sate.

Mbret i paqes, dërgojua Shpirtin tënd udhëheqësve të popullit:

le të kujdesen për të varfrit dhe të mjerët.

Bëhu ndihma e të gjithë atyre që vuajnë nga diskriminimi për shkak të kombësisë, të racës, të gjendjes shoqërore, të besimit ose të gjuhës,

bëj që t’i fitojnë të drejtat e veta dhe të tjerët ta pranojnë dinjitetin e tyre.

Të gjithë ata që në dashurinë tënde ndërruan jetë:

bëj që të jenë pjesëtarë të lumturisë, me të lumen Mari Virgjër dhe të gjithë shenjtërit e tu.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Ji i butë, o Zot, me shërbëtorët e tu dhe shtoji në ta dhuratat e hirit tënd, që të zellshëm për kah shpresa, feja dhe dashuria, t’i zbatojnë vazhdimisht dhe për pikërisht urdhërimet tua. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.