Mbrëmësorja

22 korrik, Shën Maria Magdalenë

 

Lutjet e mbrëmjes

 

V.    Hyj, më eja në ndihmë!

P.    O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V.    Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P.    si ka qenë në fillim,

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Himni

 

      O grua e lumtur, ylli i Magdalës,

      ty nderojmë t’gjithë me kultin e devotshëm,

      që Krishti vetë u lidh me ty me besën

      e fortë dashnie.

 

      Kur zu në ty pushteti i tij të shfaqet

      duke dëbue me tmerr fuqitë e djajve,

      me fe më t’madhe ti gëzon të lidhesh

      me atë që kryen nderet.

 

      Nga këtu varet në ty forca shtytëse

      që të qëndrosh me ngulm te kambët e Mjeshtrit

      gjithnjë atë duke e shoqruar zellshëm

      me kujdes t’flakët.

 

      Ti vajton Hyjin, dhe me aht te Kryqi

      i qëndron pranë me përkushti e ndezur,

      ti i ter gjymtyrët tërë dashni dhe e lyen

      pa iu nda varrit.

 

      Ata që i lindi dashuria e Krishtit,

      na bëj për jetë t’u jemi shokë n’triumfe,

      edhe të Dashurit tërësisht së bashku

      t’i thurim lavdet. Amen.

 

Ant. 1 Jezusi e pyeti Marinë Magdalenë: pse po qan, moj fisnike? Kë po kërkon?

 

Psalmi 122 /121/    (1-9)

 

Përshëndetje Jerusalemit

 

Seç u gëzova kur më thanë: *

      »Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!«

Ja, tashmë këmbët tona shkelën *

      në dyert e tua, o Jerusalem!

 

O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri, *

      thuaj se i tëri një cope të vetme je!

 

Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, †

      sipas rregullores në Izrael *

      për të kremtuar Emrin e Zotit.

 

Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë, *

      selitë e shtëpisë së Davidit!

 

Lutuni për paqen e Izraelit: *

      »U priftë e mbara atyre që të duan ty!

Mbretëroftë paqja në muret e tua *

      dhe qetësia në pirgjet e tua!«

 

Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi *

      do të them: »Paqja me ty!«

Për dashuri ndaj Shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë, *

      do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 1 Jezusi e pyeti Marinë Magdalenë: Pse po qan, moj fisnike? Kë po kërkon?

 

Ant. 2 E morën Zotërinë tim e nuk di ku e vunë.

 

Psalmi 127 /126/ (1-5)

 

Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, *

      kot mundohen ata që e ndërtojnë.

Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, *

      kot rri zgjuar ai që e ruan.

 

Kot e keni të çoheni para drite *

      dhe vonë të shkoni në pushim,

ju që e hani bukën e mundit: *

      të dashurve të vet u jep edhe në gjumë.

Ja: bijtë janë dhuratë e Zotit, *

      fryti i barkut është shpërblimi i tij.

Porsi shigjetat në dorën e trimit *

      të tillë janë djemtë e rinisë.

 

Lum ai burrë që e mbushi kukurrën me të tillë: *

      s’do të turpërohet kur të fjaloset me armiq në log.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 2 E morën Zotërinë tim e nuk di ku e vunë.

 

Ant. 3 Jezusi i ringjallur e thirri: Mari! Ajo u kthye e i tha: Mësues!

 

Kënga Krh. Ef 1, 3-10

 

Qoftë bekuar Hyji.*

      Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,

i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *

      në qiell në Krishtin.

 

Në Të na zgjodhi *

      para krijimit të botës

që të jemi të shenjtë e të papërlyer *

      para Tij në dashuri.

 

Ai na parashënoi për vete *

      të jemi bij në shpirt

në saje të Jezu Krishtit *

      me pëlqimin e vullnetit të vet

 

për nder të lavdisë së hirit të tij *

      me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:

në Të, në saje të gjakut të tij, *

      e fituam shpërblimin;

 

në Të na u falën fajet *

      me anë të begatisë së hirit të tij,

të cilin Hyji e ndikoi në ne *

      bashkë me çdo urti e kuptim.

 

Ai na vuri në dijeni *

      mbi misterin e vullnetit të vet

synim që lirisht kishte vendosur *

      qysh më parë ta kryente në Të

 

kur të plotësohej koha: *

      të vërë çdo gjë

      nën kryesinë e Krishtit,

të gjithë qenësitë *

      që janë në qiell e në tokë.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 3 Jezusi i ringjallur e thirri: Mari! Ajo u kthye e i tha: Mësues!

 

      Leximi Leximi i shkurtër Rom 8, 28-30

 

      Ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur. Sepse, ata që ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi.

 

      Përgjigjja e shkurtër

 

      C Mari, mos qaj: * Zoti u ngjall prej të vdekurve.

      Mari, mos qaj: Zoti u ngjall prej të vdekurve.

      D Shko e shpallu vëllezërve të mi:

      Zoti u ngjall prej të vdekurve.

      Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

      Mari, mos qaj: Zoti u ngjall prej të vdekurve.

 

      Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Maria shkoi që t’u shpallte apostujve: E pashë Zotërinë, aleluja.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

      shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

      qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *

      ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

      për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

      hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

      i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

      të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

      duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

      në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. Maria shkoi që t’u shpallte apostujve: E pashë Zotërinë, aleluja.

 

      Lutjet e besimtarëve

 

Me ndërmjetësinë e çmueshme të të gjithë shenjtërve dhe shenjtëreshave të qiellit t’i lutemi Zotit:

 

      Le të të bjerë ndër mend për Kishën tënde, o Zot.

 

Për hir të martireve të shenjta, që me forcë të krishterë mundën vdekjen,

    jepi Kishës sate, që gjendet në mes të vuajtjeve dhe vështirësive, fuqinë e Shpirtit tënd.

Për të gjitha ato që u shenjtëruan me hirin e sakramentit të martesës,

    jepi Kishës sate frytshmërinë apostolike.

Për të vejat, që e shndritën vetminë e tyre me lutje dhe me vepra dashurie,

    bëj që Kisha jote t’i dëshmojë botës fuqinë e mistershme të dashurisë dhe të lutjes.

Për nënat e shenjta, që i lindën dhe i edukuan fëmijët e tyre për një jetë të ndershme qytetare dhe për dëshminë e mbretërisë sate,

    bëj që Kisha jote t’i lindë të gjithë njerëzit në të vërtetën dhe në hirin tënd.

Për të gjitha gratë e shenjta, të cilat e merituan të kundrojnë dritën e fytyrës sate,

    bëj që vëllezërit tanë e motrat tona të vdekura ta shijojnë gëzimin e jetës së pasosur.

 

      Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

      Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

      Lutja

 

      O Hyj i gjithëpushtetshëm, dhe i amshuar, Jezu Krishti, Biri yt, ia besoi Marisë Magdalenë ta kumtojë e para gëzimin e Pashkëve: bëj, që edhe ne, me ndihmën e shembullin e saj, ta shpallim Krishtin e ngjallur e një ditë ta kundrojmë në lavdinë tënde. Nëpër Zotin.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.