Mbrëmësorja
23 korrik, Shën Brigita, rregulltare
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
Të gjithë të lavdërojmë gruan
e fortë me shpirt burrnor,
që me lavdi shenjtërie,
kudo shkëlqen famëmadhe.
Nga dashuri e shenjtë plagosur,
ndërsa shkel gjëra të pavlefshme
të kësaj bote, drejt qiellit
rrugën e vështirë e kreu.
Mposht me agjërime trupin,
duke ushqyer mendjen
me ushqim t’ëmbël të lutjes,
shtie n’dorë gëzimet e qiellit.
Krisht Mbret, fuqi e të fortve,
që veç ti bën punë të mëdha,
me uratë të kësaj, të lypim,
dashamirës dëgjo lutësit.
Ty, Jezus, të qoftë lavdia,
që na jep të shpresojmë
së lumes shërbtore kushtet,
dhe çmimet e amshueme. Amen.
Ant. 1 Shëlbimi yt, o Zot, është i gjithë gëzimi im.
Psalmi 122 /121/ (1-9)
Përshëndetje Jerusalemit
Seç u gëzova kur më thanë: *
»Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!«
Ja, tashmë këmbët tona shkelën *
në dyert e tua, o Jerusalem!
O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri, *
thuaj se i tëri një cope të vetme je!
Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, †
sipas rregullores në Izrael *
për të kremtuar Emrin e Zotit.
Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë, *
selitë e shtëpisë së Davidit!
Lutuni për paqen e Izraelit: *
»U priftë e mbara atyre që të duan ty!
Mbretëroftë paqja në muret e tua *
dhe qetësia në pirgjet e tua!«
Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi *
do të them: »Paqja me ty!«
Për dashuri ndaj Shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë, *
do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Shëlbimi yt, o Zot, është i gjithë gëzimi im.
Ant. 2 Të forta sikur shkëmbi, fjalët e Zotit në zemrën e saj.
Psalmi 127 /126/ (1-5)
Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, *
kot mundohen ata që e ndërtojnë.
Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, *
kot rri zgjuar ai që e ruan.
Kot e keni të çoheni para drite *
dhe vonë të shkoni në pushim,
ju që e hani bukën e mundit: *
të dashurve të vet u jep edhe në gjumë.
Ja: bijtë janë dhuratë e Zotit, *
fryti i barkut është shpërblimi i tij.
Porsi shigjetat në dorën e trimit *
të tillë janë djemtë e rinisë.
Lum ai burrë që e mbushi kukurrën me të tillë: *
s’do të turpërohet kur të fjaloset me armiq në log.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Të forta sikur shkëmbi, fjalët e Zotit në zemrën e saj.
Ant. 3 Dora e Zotit është fuqia jote: do të jesh e bekuar në amshim.
Kënga Krh. Ef 1, 3-10
Qoftë bekuar Hyji.*
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
në qiell në Krishtin.
Në Të na zgjodhi *
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
para Tij në dashuri.
Ai na parashënoi për vete *
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
me pëlqimin e vullnetit të vet
për nder të lavdisë së hirit të tij *
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
e fituam shpërblimin;
në Të na u falën fajet *
me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
bashkë me çdo urti e kuptim.
Ai na vuri në dijeni *
mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
qysh më parë ta kryente në Të
kur të plotësohej koha: *
të vërë çdo gjë
nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësitë *
që janë në qiell e në tokë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Dora e Zotit është fuqia jote: do të jesh e bekuar në amshim.
Leximi i shkurtër Rom 8, 28-30
Ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur. Sepse, ata që ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi.
Përgjigjja e shkurtër
C Zoti të zgjodhi * dhe të parapëlqeu.
Zoti të zgjodhi * dhe të parapëlqeu.
D Në tendën e vet të bëri të banosh:
dhe të parapëlqeu.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Zoti të zgjodhi * dhe të parapëlqeu.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Keni braktisur çdo gjë për të më ndjekur: do të keni njëqind herë aq edhe jetën e amshuar.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Keni braktisur çdo gjë për të më ndjekur: do të keni njëqind herë aq edhe jetën e amshuar.
Lutjet e besimtarëve
Me ndërmjetësinë e çmueshme të të gjithë shenjtërve dhe shenjtëreshave të qiellit t’i lutemi Zotit:
Le të të bjerë ndër mend për Kishën tënde, o Zot.
Për hir të martireve të shenjta, që me forcë të krishterë mundën vdekjen,
— jepi Kishës sate, që gjendet në mes të vuajtjeve dhe vështirësive, fuqinë e Shpirtit tënd.
Për të gjitha ato që u shenjtëruan me hirin e sakramentit të martesës,
— jepi Kishës sate frytshmërinë apostolike.
Për të vejat, që e shndritën vetminë e tyre me lutje dhe me vepra dashurie,
— bëj që Kisha jote t’i dëshmojë botës fuqinë e misterioze të dashurisë dhe të lutjes.
Për nënat e shenjta, që i lindën dhe i edukuan fëmijët e tyre për një jetë të ndershme qytetare dhe për dëshminë e mbretërisë sate,
— bëj që Kisha jote t’i lindë të gjithë njerëzit në të vërtetën dhe në hirin tënd.
Për të gjitha gratë e shenjta, të cilat e merituan të kundrojnë dritën e fytyrës sate,
— bëj që vëllezërit e motrat tona të vdekura ta shijojnë gëzimin e jetës së pasosur.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
O Zot, Hyji ynë, ti ia zbulove shën Brigitës fshehtësitë qiellore ndërsa po i kundronte mundimet e Krishtit: bëj, që edhe ne, shërbëtorët e tu, të galdojmë plot gëzim në zbulimin e lavdisë sate. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.