Mbrëmësorja

29 korrik, Shën Marta, Maria dhe Lazri

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

      Himni

 

      O Krisht, krijues dhe shpërblyes i çdo gjëje

      zotërues i tokës, detit dhe i yjeve,

      të gjithë atyre që të thurin lavde

      t’u zgjidhësh fajet.

 

      Ti që n’enë t’ brishta i fsheh xhevahiret,

      ti t’urtat femra e për fuqi të dobta,

      shpirtzjarrta i bëre e me fitore t’ famshme

      të triumfojnë.

 

      Këto me ndjenja delikate i shohim,

      dhe me kurora shenjë e mirë meritash,

      ti i bën ato banuese të përhershme

      t’ mbretërisë së epërme.

 

      Të Lartit Atë i qoftë nderi e virtyti,

      ty Birit lavdi e hyjnderim i lartë,

      dhe Shpirtit Shenjtë pushteti i barabartë

      tash e n’ amshim. Amen.

 

Ant. 1 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë?

 

   Psalmi 27 /26/ I (1-6) Shpresa në Hyjin në rast rreziku

 

   Ja Tenda e Hyjit me njerëz (Zb 21, 3).

 

Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, *

   kë do të kem frikë?

Zoti është mbrojtësi i jetës sime, *

   para kujt do të dridhem?

 

Kur më sulen bakëqijtë *

   për të më ngrënë gjallë,

kundërshtarëve e armiqve të mi, *

   ora u liget dhe rrëzohen.

 

Le të çohet, në dashtë, edhe një ushtri e tërë *

   kundër meje: zemra nuk më trembet,

le të shpërthejë, në dashtë, edhe lufta kundër meje; *

   edhe atëherë jam plot shpresë.

 

Për një gjë të vetme i lutem Zotit, *

   vetëm atë ia kërkoj

që të jetoj në Shtëpinë e Zotit *

   të gjitha ditët e jetës sime,

 

që ta shijoj kënaqësinë e Zotit *

   e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

 

Zoti më fsheh në tendën e vet †

   në ditë të vështirë, *

   më strehon në vend të fshehtë.

 

E tani e lartësoj kryet *

   mbi armiqtë e mi që më rrethojnë,

në tendën e tij do të kushtoj fli gëzimi, *

   do t’i këndoj Zotit këngë hareje.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë?

 

Ant. 2 Fytyrën tënde, o Zot, unë e kërkoj, mos e fsheh fytyrën tënde prej meje.

 

   Psalmi 27 /26/ II (7-14) Lutja e të pafajshmit të përndjekur

 

   Disa u çuan e dëshmuan rrejshëm kundër Jezusit (Mk 14, 57).

 

Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime, *

   ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!

Për ty tha zemra ime: »Kërkojeni fytyrën time!« *

   »Fytyrën tënde, o Zot, po kërkoj.«

Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje, *

   mos e dëbo me felgrim shërbëtorin tënd!

Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz, *

   mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim!

 

Im atë e nëna ime hoqën dorë prej meje, *

   por Zoti më mori ndore.

 

Ma trego, o Zot, udhën tënde †

   dhe më drejto shtegut të drejtë *

   për shkak të armiqve të mi!

 

Mos më lësho në pamëshirën e kundërshtarëve të mi, †

   sepse u ngritën kundër meje dëshmitarë të rrejshëm, *

   të cilët shfryjnë dhunë.

 

Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit *

   në tokën e të gjallëve.

Shpreso në Zotin: bëhu burrë! *

   Ji zemërfortë e prite Zotin!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Fytyrën tënde, o Zot, unë e kërkoj, mos e fsheh fytyrën tënde prej meje.

 

Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.

 

   Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20

 

   Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.

 

E falënderojmë Hyjin, *

   Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,

sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *

   në trashëgimin e shenjtërve në dritë.

 

Ai na nxori nga pushteti i errësirës *

   dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,

në të cilin kemi shpërblimin *

   - faljen e mëkateve.

 

Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *

   i Parëlinduri - para çdo krijese.

Ai është para çdo gjëje *

   dhe çdo gjë qëndron në Të.

 

Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *

   në qiell e në dhe,

   çka shihet e çka nuk shihet.

 

Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *

   Ai është Fillimi,

i Parëlinduri ndër të vdekurit *

   - që të jetë në gjithçka i Pari.

 

Sepse Hyjit i pëlqeu

   të banojë në Të e tërë Plotësia *

   dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.

 

Në saje të Gjakut të kryqit të Tij,

   Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *

   qoftë në tokë, qoftë në qiell.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.

 

      Leximi i shkurtër Rom 8, 28-30

 

      Ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur. Sepse, ata që ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi.

 

      Përgjigjja e shkurtër

 

      C Zoti të zgjodhi * dhe të parapëlqeu.

      Zoti të zgjodhi dhe të parapëlqeu.

      D Në tendën e vet të bëri të banosh,

      dhe të parapëlqeu.

      Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

      Zoti të zgjodhi dhe të parapëlqeu.

 

      Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Gëzon dhe galdon zemra ime në gëzimin e shëlbimit tim.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

      shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

      qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *

      ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

      për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

      hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

      i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

      të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

      duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

      në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. Gëzon dhe galdon zemra ime në gëzimin e shëlbimit tim.

 

      Lutjet e besimtarëve

 

Me ndërmjetësinë e çmueshme të të gjithë shenjtërve dhe shenjtëreshave të qiellit t’i lutemi Zotit:

 

      Le të të bjerë ndër mend për Kishën tënde, o Zot.

 

Për hir të martireve të shenjta, që me forcë të krishterë mundën vdekjen,

    jepi Kishës sate, që gjendet në mes të vuajtjeve dhe vështirësive, fuqinë e Shpirtit tënd.

Për të gjitha ato që u shenjtëruan me hirin e sakramentit të martesës,

    jepi Kishës sate frytshmërinë apostolike.

Për të vejat, që e shndritën vetminë e tyre me lutje dhe me vepra dashurie,

    bëj që Kisha jote t’i dëshmojë botës fuqinë e mistershme të dashurisë dhe të lutjes.

Për nënat e shenjta, që i lindën dhe i edukuan fëmijët e tyre për një jetë të ndershme qytetare dhe për dëshminë e mbretërisë sate,

    bëj që Kisha jote t’i lindë të gjithë njerëzit në të vërtetën dhe në hirin tënd.

Për të gjitha gratë e shenjta, të cilat e merituan të kundrojnë dritën e fytyrës sate,

    bëj që vëllezërit tanë e motrat tona të vdekura ta shijojnë gëzimin e jetës së pasosur.

 

      Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

      Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

      Lutja

 

      O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, Biri yt e pranoi mikpritjen që në shtëpinë e saj ia bëri shën Marta: na mëso, me ndërmjetësinë e saj të Marisë dhe të Lazrit, që edhe ne t’i shërbejmë Krishtit duke u ndihmuar vëllezërve që edhe ti të na pranosh në banesën qiellore. Nëpër Zotin.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.