Mbrëmësorja

31 korrik, Shën Injaci i Lojolës, meshtar

 

Mbrëmësorja

 

V.    Hyj, më eja në ndihmë!

P.    O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V.    Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P.    si ka qenë në fillim,

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Himni

 

      Princin e ushtrisë së madhe

      me lavd këndojnë Injacin,

      të qartë ndër fjalë, ndër vepra

      prijsin që nxit ushtarët.

 

      Me t’eprin mbret të qiejve

      vetëm me dashni i lidhur,

      me ushqye lavdinë e tij

      asgjë s’vlerësoi më kandshëm (gëzueshëm).

 

      Veten flijon dhe t’vetët,

      model i ushtrisë marshuese,

      të mbrojë drejtësinë e Krishtit

      të çajë hijet e fajeve.

 

      Nga Shpirti Shenjt këshilluar,

      shteg të sigurt shpëtimi

      gjurmues i lartë ndër shekuj

      shënon urti me dije.

 

      Nxënësit e vet dërguar

      n’brigjet e largta t’rruzullit,

      gjakon Kishën të gëzueshme

      ta lulëzojë n’gjitha kombet!

 

      Trinisë i qoftë lavdia,

      dhe bëftë ne t’fortë me ndjekur

      shembujt e këtij ushtari

      ngaherë për nder të Krishtit. Amen.

 

      Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Ma shëro shpirtin, o Zot, sepse mëkatova kundër teje.

 

   Psalmi 41 /40/ (2-14) Urata e të sëmurit

 

   Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë: 'njëri që po ha me mua' (Krh. Mk 14, 18).

 

I lumi ai që e kujton nevojtarin: *

   në ditë të vështirë Zoti do ta shpëtojë.

 

Zoti do ta ruajë, do ta kërthndez në jetë, †

   të lum do ta bëjë mbi tokë *

   dhe s’do ta lëshojë në duar të armiqve të vet.

 

Zoti do t’i çojë ndihmë mbi shtratin e dhembjeve të tij: *

   do ta përtërish në sëmundjen e tij.

 

Unë thashë: »Ki mëshirë për mua, o Zot, *

   ma shëro shpirtin, sepse mëkatova kundër teje.«

Armiqtë e mi flasin keq për mua: *

   »Kur do të vdesë e do t’i harrohet emri?«

 

Po edhe nëse vjen kush të më shohë, flet kotësi, *

   në zemër mbledh paudhësi, del përjashta e më vë në lojë.

 

Të gjithë armiqtë e mi pëshpëritin kundër meje së bashku *

   e ma mendojnë të keqen:

»Lëngatë e madhe e ka kapur! *

   Kë kap kjo sëmundje ai më nuk çohet!«

Po edhe miku im, në të cilin pata shpresë, *

   që hëngri bukën time, u çua kundër meje.

 

Por ti, o Zot, ki mëshirë për mua, *

   më shëro dhe unë do t’ua kthej huan!

Me këtë do ta marr vesh se më do *

   nëse nuk lejon të ngihet armiku im në mua,

 

e ma ngjet dorën për shkak të pafajësisë sime *

   dhe më lejon të rri në praninë tënde për amshim.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   prej amshimit në amshim. Amen. Amen.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ma shëro shpirtin, o Zot, sepse mëkatova kundër teje.

 

Ant. 2 Hyji i gjithësisë është me ne, strehim dhe shëlbim është Zoti ynë.

 

   Psalmi 46 /45/ (2-12) Zoti është strehimi dhe fuqia e popullit të vet

 

   Do t'ia ngjisin emrin Emanuel ‑ që do të thotë: Hyji me ne! (Mt 1, 23).

 

Hyji është për ne strehim dhe fuqi, *

   ndihmë gjithherë e gatshme në çdo vështirësi.

 

Prandaj as s’do të tutemi edhe nëse lëkundet toka *

   dhe nëse malet do të kapërdihen nga deti!

Le të gjëmojnë e le të përzihen ujërat e tij, *

   le të dridhen malet në furinë e tij!

 

Rrëketë e lumit do ta gëzojnë qytetin e Hyjit, *

   tendat e shenjta të të Lartit Zot.

 

Hyji është brenda nuk do të trandet askurrë, *

   Hyji i ndihmon herët në agim.

Ulëritën popujt, ranë mbretëritë, *

   bubulloi Zoti, toka u shkri!

 

Zoti i Ushtrive është me ne, *

   strehimi ynë, Hyji i Jakobit!

 

Ejani e shikoni veprat e Zotit *

   - mrekullitë që i bëri ai përmbi dhe!

 

Ndalon luftërat deri në skajet e tokës, †

   do t’i thyejë harqet, do t’i copëtojë armët, *

   mburojat në zjarr do t’i djegë.

Ndaluni e shihni se unë jam Hyji, *

   i madhërueshëm mbi popuj, i madhërueshëm mbi tokë!

 

Me ne është Zoti, Hyji i Ushtrive, *

   strehimi ynë, Hyji i Jakobit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hyji i gjithësisë është me ne, strehim dhe shëlbim është Zoti ynë.

 

Ant. 3 Të gjitha kombet do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot.

 

   Kënga Krh. Zb 15, 3-4 Himn adhurimi dhe lavdi

 

Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua,

   o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *

   Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,

   o Mbreti i popujve!

 

Kush të mos të druaj ty, o Zot,

   dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *

   Ti i vetmi je Shenjti!

 

Të gjitha kombet do të vijnë

   dhe do të adhurojnë para Teje, *

   sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Të gjitha kombet do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot.

 

      Leximi i shkurtër 1 Pjt 5, 1-4

 

      Eprorëve, që janë ndër ju u sjell vërejtje unë, epror edhe vetë bashkë me ta dhe dëshmitar i mundimeve të Krishtit edhe pjesëtar i Lavdisë që do të zbulohet: ruani grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikëqyreni jo përdhunë, por vullnetarisht, si do Hyji; jo për hir të fitesës së ndytë, por me shpirt gatishmërie, jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por si shembull i grigjës. E kur të shfaqet Kryebariu, do ta merrni kurorën e lavdisë, që kurrë nuk vyshket.

 

      Përgjigjja e shkurtër

 

      C Mik i vërtetë i vëllezërve të tu,

      * lutu për popullin tënd.

      Mik i vërtetë i vëllezërve të tu, lutu për popullin tënd.

      D E dhe jetën për vëllezër,

      lutu për popullin tënd.

      Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

      Mik i vërtetë i vëllezërve të tu, lutu për popullin tënd.

 

      Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Nëse një njeri është pronar i botës, por e humb jetën e vet, çfarë fitimi ka?

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

      shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

      qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

      ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

      për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

      hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

      i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

      e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

      duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

      në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Nëse një njeri është pronar i botës, por e humb jetën e vet, çfarë fitimi ka?

 

      Lutjet e besimtarëve

 

Lavdi i qoftë Krishtit, të caktuar kryeprift për njerëzit para Hyjit. Të bashkuar në lutjen e mbrëmjes, ta thërrasim emrin e tij:

 

      Shpëtoje popullin tënd, o Zot.

 

Ti që në Kishën tënde zgjove barinj të shenjtë dhe të urtë,

    bëj që bashkësia e krishterë të jetë gjithmonë e udhëhequr prej njerëzve të urtë dhe bujarë.

Ti ia fale mëkatet popullit tënd për shkak të lutjeve të barinjve të shenjtë, që ndërmjetësonin sikurse Moisiu,

    për hir të meritave të tyre pastroje dhe ripërtërije gjithmonë Kishën tënde.

Në mes të vëllezërve i zgjodhe frymëzuesit dhe udhëheqësit e popullit tënd dhe i shugurove me vulën e Shpirtit Shenjt,

    mbushi me dhuratat e tua ata që i vure në udhëheqje të Kishës së shenjtë.

Ti, që je trashëgimi i apostujve dhe i pasardhësve të tyre,

    bëj që mos të birret askush prej atyre që i shëlbove me gjakun tënd.

Ti që nëpërmjet barinjve të Kishës kujdesesh për besimtarët e tu, që askush të mos rrëmbehet prej dorës sate,

    bëj që ipeshkvijtë, meshtarët dhe besimtarët e ndjerë të mblidhen të gjithë në gëzimin e mbretërisë sate.

 

      Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

      Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

      Lutja

 

      O Hyj, ti në Kishën tënde e ngrite shën Injacin për të përhapur në botë më të madhin lavdinë tënde: bëj që edhe ne, me ndihmën e shembullin e tij, të luftojmë luftën e mirë të Ungjillit këtu mbi tokë për ta fituar si ai kurorën e shenjtërisë. Nëpër Zotin.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.