Mbrëmësorja
4 gusht, Shën Gjon Maria Vianney, meshtar
MBRËMËSORJA
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
O burrë i lartë, me pamje të ndritshme
virtyti, prano himnin,
që kur me t’drejtë t’lavdëron,
këndon mrekullitë e Hyjit.
Qe Kryeprift i amshuar
me Zotin bashkoi sojin
e njerëzve, e me paqe të re
e besë për jetë na lidhi.
Ai ty parashikues të bëri
mbarështues në shërbesë të vet,
për t’i dhënë lavdi Atit
dhe jetë grigjës së vet.
Duke arritur lartësirën
e këtij kulmi mbretëror,
ti që me fjalë e vepra
dijetar, meshtar, dhe fli.
Vendosur mes qiellorëve
kujtoje Kishën shenjte,
që të gjitha dhentë të lypin
të lumen kullotë të Krishtit.
Lavdi i qoftë Trinisë Shenjte,
që me dhunti e nderime
ty për shërbesë të zellshme
të thurë gëzime të denja. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Nuk mund t’i shërbeni Zotit dhe pasurisë, thotë Zoti.
Psalmi 49 /48/ Pasuria s’është asgjë
Vështirë do të hyjë i pasuri në Mbretërinë e qiellit (Mt 19, 23).
I (1-13)
Dëgjoni këto, o popuj të gjithë, *
dëgjoni të gjithë banorët e tokës:
vegjëli e bujarë, *
të pasur e të vobektë së bashku:
goja ime do t’ju shpallë dijen, *
zemra ime mendime urtësie.
Fjalëve të urta do t’u vë veshin, *
me këngë do të zbuloj gjëra të fshehta.
Përse të trembem në ditë të këqija, *
kur të më rrethojë paudhësia që më vë pritë?
Ata shpresojnë në pasuritë e veta *
mburren me kamjen e madhe të veten.
E pra, njeriu s’është i zoti ta shpërblejë vetveten, *
askush s’mund t’ia paguajë Hyjit shpërblimin:
çmimi i jetës është tepër i shtrenjtë *
dhe askurrë nuk mund të paguhet,
që njeriu të jetojë gjithmonë *
e të mos e shohë gropën e varrit.
Por do t’i shohë duke vdekur të dijshmit: †
vdes i marri, vdes i patenzoni: *
të tjerëve ua lënë pasuritë e veta!
Varret e tyre - shtëpia e tyre e përhershme: †
banesë e tyre brezni pas breznie, *
megjithëse tokat e veta i quajtën me emër të vet.
Edhe njeriu në mirëqenie erret e nuk njeh, †
krahasohet me kafshët që cofin *
dhe është i ngjashëm me to.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Nuk mund t’i shërbeni Zotit dhe pasurisë, thotë Zoti.
Ant. 2 Bashkojini visaret tuaja në qiell, thotë Zoti.
II (14-21) Pasuria njerëzore nuk shpëton
I marrë... ç'grumbullove kujt do t'i mbesë?' Lum ai që kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin (Krh. Lk 12, 20. 21).
I tillë është fati i atyre që shpresojnë në vetvete, *
mbarimi i atyre që me gojë ia bëjnë qejfin vetes.
Porsi delet rresht zbresin në Nëntokë, *
Vdekjen do ta kenë bari.
Do të zbresin me rrëmbim në varr, †
duka e tyre me shpejt do të mbarojë: *
Nëntoka do të jetë vendbanimi i tyre.
Ndërsa Hyji do ta shpëtojë shpirtin tim, *
nga kthetrat e Nëntokës vërtet do të më marrë te vetja.
Mos u tut kur ndokush pasurohet, *
kur i rritet gjëja e shtëpisë së tij:
kur të vdesë asgjë s’do të marrë me vete, *
me të s’do të zbresë pasuria e tij.
Sa qe gjallë njëmend thuhej se qe i lum: *
»Do të të lavdërojnë se ia bëre qejfin vetes«,
por edhe ai do të shkojë të bashkohet me etër, *
të cilët kurrë më s’do ta shohin dritën e diellit.
Njeriu që jeton marrëzisht ndër kënaqje, nuk kupton; †
krahasohet me kafshët që theren, *
dhe është i ngjashëm me to.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Bashkojini visaret tuaja në qiell, thotë Zoti.
Ant. 3 Lavdi ty, Qengj i prerë, ty nderi dhe pushteti në shekuj.
Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12. Himni i të shëlbuarve
I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *
të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,
sepse ti krijove gjithçka, †
dhe me vullnetin tënd *
gjithçka u bë dhe u krijua!
Ti je i denjë, o Zot,
të marrësh librin *
dhe t’ia zgjidhësh vulat,
sepse qe prerë †
dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *
njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,
dhe i bëre për Hyjin tonë
mbretëri dhe priftërinj *
dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.
I denjë është Qengji i prerë †
të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *
fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lavdi ty, Qengj i prerë, ty nderi dhe pushteti në shekuj.
Leximi i shkurtër 1 Pjt 5, 1-4
Eprorëve, që janë ndër ju u sjell vërejtje unë, epror edhe vetë bashkë me ta dhe dëshmitar i mundimeve të Krishtit edhe pjesëtar i Lavdisë që do të zbulohet: ruani grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikëqyreni jo përdhunë, por vullnetarisht, si do Hyji; jo për hir të fitesës së ndytë, por me shpirt gatishmërie, jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por si shembull i grigjës. E kur të shfaqet Kryebariu, do ta merrni kurorën e lavdisë, që kurrë nuk vyshket.
Përgjigjja e shkurtër
C Mik i vërtetë i vëllezërve të tu,
* lutu për popullin tënd.
Mik i vërtetë i vëllezërve të tu, lutu për popullin tënd.
D E dhe jetën për vëllezër,
lutu për popullin tënd.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Mik i vërtetë i vëllezërve të tu, lutu për popullin tënd.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Mbarështues besnik dhe i urtë, i vënë prej Zotit si udhëheqës i familjes së tij, ti e shpërndave ushqimin e jetës.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Mbarështues besnik dhe i urtë, i vënë prej Zotit si udhëheqës i familjes së tij, ti e shpërndave ushqimin e jetës.
Lutjet e besimtarëve
Lavdi i qoftë Krishtit, të caktuar kryeprift për njerëzit para Hyjit. Të bashkuar në lutjen e mbrëmjes, ta thërrasim emrin e tij:
Shpëtoje popullin tënd, o Zot.
Ti që në Kishën tënde zgjove barinj të shenjtë dhe të urtë,
— bëj që bashkësia e krishterë të jetë gjithmonë e udhëhequr prej njerëzve të urtë dhe bujarë.
Ti ia fale mëkatet popullit tënd për shkak të lutjeve të barinjve të shenjtë, që ndërmjetësonin sikurse Moisiu,
— për hir të meritave të tyre pastroje dhe ripërtërije gjithmonë Kishën tënde.
Në mes të vëllezërve i zgjodhe frymëzuesit dhe udhëheqësit e popullit tënd dhe i shugurove me vulën e Shpirtit Shenjt,
— mbushi me dhuratat e tua ata që i vure në udhëheqje të Kishës së shenjtë.
Ti, që je trashëgimi i apostujve dhe i pasardhësve të tyre,
— bëj që mos të birret askush prej atyre që i shëlbove me gjakun tënd.
Ti që nëpërmjet barinjve të Kishës kujdesesh për besimtarët e tu, që askush të mos rrëmbehet prej dorës sate,
— bëj që ipeshkvijtë, meshtarët dhe besimtarët e ndjerë të mblidhen të gjithë në gëzimin e mbretërisë sate.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm e i mëshirshëm, ti na dhe në shën Gjonin Vianney, meshtar, një shembull të mrekullueshëm për zell baritor; bëj që, me ndërmjetësinë e tij, t’i fitojmë për Krishtin me dashuri vëllezërit tanë dhe bashkë me ta të arrijmë lumturinë e pasosur. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.