Mbrëmësorja

6 gusht - Shndërrimi i Zotit

 

MBRËMËSORJA II

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   Dritë lindur prej ndriçimit,

   Jezus, shëlbues i shekullit,

   denjou shpirtmirë të marrësh (presësh)

   lëvdata e uratë prej lutësve.

 

   N’fytyrë më i zjarrtë se dielli,

   me rrobë i bardhë si bora,

   në mal dëshmuesve t’denjë

   krijuesi i madh iu duke.

 

   T’vjetrit profetë të fshehur

   nxënësve t’ri u bën t’njohur,

   madhërisht u dhe dy palëve

   për Zot ty me besue.

 

   Zëri atëror prej qiellit

   ty Bir të vet të thirri,

   që ne besnikë me zemër

   rrëfejmë ty mbret të qiejve.

 

   Dikur për ne të humburit

   me u veshë me mish denjove,

   jepu gjymtyrëve tona t’bëhen

   pjestarë të trupit tënd t’lumnueshëm.

 

   Ne ty të thurim lavdet

   që je Biri i dashur,

   dhe i Atit dhe i Shpirtit

   zbulon shkëlqimi i lavdishëm. Amen.

 

Ant. 1 Jezusi i mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin i çoi në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre.

 

Psalmi 110 /109/ (1-5. 7)

 

I tha Zoti Zotit tim: *

   »Rri në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu *

   shtrojë për këmbët e tua!«

 

Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *

   sundo midis armiqve të tu!

 

Ty të përket më i larti pushtet *

   në ditën e fuqisë sate

në shkëlqime të shenjta *

   nga kraharori para Yllit të Dritës

   unë të linda.

 

Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *

   Ti je prift për amshim

   në mënyrën e Melkizedekut.«

 

Zoti është në të djathtën tënde, *

   i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.

 

Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *

   prandaj lart do ta ngrejë kokën.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Jezusi i mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin i çoi në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre.

 

Ant. 2 Një re e shndritshme i mbuloi apostujt; një zë nga reja tha: Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër.

 

Psalmi 121 /120/ (1-7)

 

Sytë e mi i çoj drejt maleve: *

   prej nga do të më vijë mua ndihma?

Ndihma ime vjen prej Zotit, *

   i cili krijoi qiellin e tokën.

 

S’do te lejojë të të merren këmbët, *

   nuk do të kotet ai që të ruan.

Ja, s’do të kotet as s’do të flejë, *

   ai që e ruan Izraelin.

 

Zoti është rojtari yt, †

   Zoti është hija jote, *

   Zoti është në të djathtën tënde!

 

Dielli nuk do të të bëjë keq ditën, *

   as hëna natën.

Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe, *

   Zoti do ta ruajë jetën tënde.

 

Zoti do të ruajë vajtjet e ardhjet e tua *

   që tani e përgjithmonë e jetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Një re e shndritshme i mbuloi apostujt; një zë nga reja tha: Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër.

 

Ant. 3 Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi u urdhëroi: Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.

 

Kënga Krh. 1Tim 3, 16

 

Misteri i Krishtit

 

C Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin.

 

Ai u dëftua në natyrën e njeriut, *

   u shfajësua me Shpirtin Shenjt.

C Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin.

 

U vrojtua nga engjëjt, *

   u predikua ndër paganë.

C Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin.

 

U besua nga bota, *

   u ngrit në lavdi.

C Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi u urdhëroi: Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.

 

   Leximi i shkurtër Rom 8, 16-17

 

   Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë ‑ atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Shkëlqim dhe madhëri para Hyjit tonë.

   * Aleluja, aleluja.

   Shkëlqim dhe madhëri para Hyjit tonë. Aleluja, aleluja.

   D Fuqi dhe bukuri në shenjtëroren e tij,

   Aleluja, aleluja.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Shkëlqim dhe madhëri para Hyjit tonë. Aleluja, aleluja.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Posa e dëgjuan zërin, ranë me fytyrë përdhé e u trembën për së tepërmi. Jezusi u afrua, i preku e tha: Çohuni e mos u trembni, aleluja.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Posa e dëgjuan zërin, ranë me fytyrë përdhé e u trembën për së tepërmi. Jezusi u afrua, i preku e tha: Çohuni e mos u trembni, aleluja.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Besnikërisht t’i lutemi Shpëtimtarit tonë, i cili në mal, para nxënësve, mrekullisht u shndërrua:

 

   O Zot, dritë e vërtetë, shndrite errësirën tonë.

 

Krisht, me shndërrimin tënd i bëre gati nxënësit për provën e mundimit tënd,

bëj që Kisha jote, e kulluar nëpër vështirësitë dhe tundimet, të marrë pjesë në lavdinë e fitores sate.

Krisht, me vete more Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin dhe i çove në mal të lartë; bekoji papën tonë E. dhe ipeshkvin tonë E.,

shtoje në ta fenë në ringjalljen, që popullit tënd t’i shërbejnë me qetësi dhe forcë.

Krisht, me shkëlqimin e fytyrës sate në mal shndrite Moisiun dhe Elinë, ndriçoje popullin Hebre, të cilin e zgjodhe për vete në Besëlidhjen e Vjetër

bëj që të arrijë plotësinë e shëlbimit.

Krisht, botës iu shkëlqeve kur mbi ty shndriti lavdia e Atit,

le të ecin në dritën tënde të gjithë popujt.

Krisht, Ti do të shndërrosh trupin tonë të shkatërrueshëm, në përngjasimin e trupit tënd të lavdishëm,

bëj që të hyjnë në lavdinë tënde vëllezërit dhe motrat tona të vdekura.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, në shndërrimin e lavdishëm të Njëlindurit Birit tënd e përforcove me dëshmimin e Moisiut e të Elisë të vërtetën e fesë dhe mrekullisht e parashënove bijësinë tonë hyjnore: bëj ta dëgjojmë zërin e Birit tënd që të bëhemi pjesëtarë në jetën e tij të pavdekshme. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.