Mbrëmësorja
Java e nëntëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
E diel
Mbrëmësorja I
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
O Zot, krijues i të gjithave
drejtues në botë, që ditën
e vesh me dritë të hijshme
e me hir të gjumit natën,
Prehja gjymtyrëve të këputura
t’u kthejë zellin e punës,
të lehtësojë mendjet e lodhura,
të heqë gjëmat ngashëruese.
Falë ditës që kaloi,
e uratëve në natë të re,
ndihmo fajtorët me anë të premtimit
me këngë shpalosim himnin.
Thellësisht të këndoftë zemra,
për Ty zëri të kumbojë,
Të dashtë dëshira e pastër,
t’adhuroftë mendja e përkorë.
Kur errësira e madhe
me net të mbulojë ditën,
feja të mos njohë terrin,
nga feja shkëlqeftë nata.
Na ruaj, Atë plot drejtësi,
dhe, o Bir, baras me Atin
bashkë me Shpirtin Ngushëllues,
që n’jetë të jetës je sundues. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Që kur lind dielli e derisa perëndon, qoftë bekuar Emri i Zotit!
Psalmi 113 /112/ (1-9) Lavdërojeni emrin e Zotit
I rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvujtët (Lk 1, 52).
Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit, *
lavdërojeni, Emrin e Zotit!
Qoftë bekuar Emri i Zotit *
qysh tash e deri në amshim.
Që kur lind dielli e derisa perëndon *
qoftë bekuar Emri i Zotit!
I madhërueshëm është Zoti mbi të gjithë popujt, *
lavdia e tij i tejkalon qiejt.
Kush është si Zoti, Hyji ynë, †
që fronin e ka në Lartësi, *
e nga lart vrojton qiellin e tokën?
Nga pluhuri e ngre skamnorin, *
nga llomi e lartëson të vobektin
për ta vënë të rrijë me princa, *
me princat e popullit të vet.
Ai bën të banojë beronja në shtëpi të vet *
nënë fëmijësh të gëzueshme.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Që kur lind dielli e derisa perëndon, qoftë bekuar Emri i Zotit!
Ant. 2 Do ta ngre gotën e shëlbimit e do të thërras Emrin e Zotit.
Psalmi 116 /115/ (10-19) Falënderim në tempull
Me anë të tij (Krishtit) t'i kushtojmë vazhdimisht Hyjit fli lavdie (Heb 13, 15).
Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *
»Jam i pafat për së tepërmi!«.
Në hutimin tim kam thënë: *
»Rrenacak është çdo njeri!«
Si do t’ia shpërblej Zotit *
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
Do të ngre gotën e shëlbimit *
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij.
E çmueshme është para Zotit *
vdekja e shenjtërve të tij.
O Zot, unë jam shërbëtori yt, †
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *
Ti i këpute hekurat e mi:
ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit, *
midis teje, o Jerusalem!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Do ta ngre gotën e shëlbimit e do të thërras Emrin e Zotit.
Ant. 3 Jezusi e përuli vetveten deri në vdekje; prandaj Hyji e lartësoi në lavdi.
Kënga Fil 2, 6-11 Krishti, shërbëtor i Hyjit
Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *
barazinë e vet me Të
nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,
por ia mohoi vetvetes *
e mori natyrën e shërbëtorit
dhe u bë i ngjashëm me njerëz
dhe, për kah pamja e jashtme, *
dukej vetëm njeri.
E përuli vetveten
duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*
mu deri në vdekje në kryq.
Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *
dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër
që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *
i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë
dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *
‘Jezu Krishti është Zot!’
Në nder të Hyjit Atë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Jezusi e përuli vetveten deri në vdekje; prandaj Hyji e lartësoi në lavdi.
Leximi i shkurtër Heb 13, 20-21
Hyji, burimi i paqes, që e nxori lart nga të vdekurit me anë të gjakut të Besëlidhjes së amshuar Bariun e madh të deleve, Zotin tonë Jezusin, ju bëftë të aftë për çdo vepër të mirë që ta kryeni vullnetin e tij! Ai bëftë në ne çka Atij i pëlqen, nëpër Jezu Krishtin, të cilit i qoftë lavdi në shekuj (të shekujve). Amen.
Përgjigjja e shkurtër
C Sa të mëdha janë * veprat e tua, o Zot!
Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot!
D Ti i bëre me mirësi dhe urti,
veprat e tua, o Zot!
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot!
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Viti A:
Ant. Kur u bë mbrëmje, Jezusi u ngjit vetëm në mal për t’u lutur.
Viti B:
Ant. I forcuar me atë shujtë, Elia udhëtoi dyzet ditë e dyzet net deri në malin e Hyjit.
Viti C:
Ant. Jini gati, porsi ata që presin Zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Viti A:
Ant. Kur u bë mbrëmje, Jezusi u ngjit vetëm në mal për t’u lutur.
Viti B:
Ant. I forcuar me atë shujtë, Elia udhëtoi dyzet ditë e dyzet net deri në malin e Hyjit.
Viti C:
Ant. Jini gati, porsi ata që presin Zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës.
Krishti tregoi mëshirë ndaj popullit të uritur dhe për të bëri vepra të mrekullueshme. Plot besim dhe përvujtëri ta lusim me përshpirtëri:
Na e trego, o Zot, dashurinë tënde!
O Zot, e pranojmë se të gjitha të mirat na vijnë prej teje:
— bëj që të mos kthehen te ti të pafrytshme, por le të sjellin fryte shëlbimi.
Ti që je drita dhe shpëtimi i të gjithë popujve, ruaji dëshmitarët që i ke dërguar nëpër tërë botën:
— ndize në ta zjarrin e Shpirtit tënd.
Bëj që të gjithë njerëzit të bashkëpunojnë për të formuar një botë të re:
— në përkim me aspiratat e ligjshme të përparimit në drejtësi dhe paqe.
Shërues i shpirtrave dhe trupave, shëroji të sëmurët dhe qëndro afër atyre që janë në çastin e vdekjes:
— me mirësinë tënde na mbush dhe na forco me dhuratën e dashurisë sate.
Të vdekurit, emrat e të cilëve janë të shënuar në librin e jetës:
— numëroji ndër të lumturit e tu.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, prej teje kemi guxim të të thërrasim Atë, përforcoje në ne shpirtin e bijësisë hyjnore që të meritojmë të hyjmë në trashëgimin e premtuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.