Mbrëmësorja
10 gusht, Shën Lorenci, diakon dhe martir
Lutjet e mbrëmjes
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
Kremtojmë ngadhnjimin e martirit t’Krishtit,
që përbuz t’vdekshmet dhunëti të botës,
ndihmon të zhveshurit, e u jep nevojtarëve
ushqime e pare.
N’zjarr heq tortura, i ndezur nga qëndresa
e fortë e zemrës mposht flakët kërcnuese
t’zjarreve pareshtur nga dashuria
e jetës së lumnueshme.
Shpirtin e mori kori i engjëllorëve,
në qiell e mbarti për ta kurorëzuar,
duke iu lutur Hyjit t’gjithpushtetshëm,
njerëzve t’u lehtësojë fajet.
Me urata e kushtu dendur pra të lypim:
lutu, o martir, për të gjithë nxirr falje,
ngrohtësi zemrash, dhe forcim besimi
gjithmonë t’qëndrueshëm.
Të gjithë të bëjmë t’ushtojë lavdia e Atit,
dhe e Birit tij si duhet t’ia përcjellim,
bashkë me të cilët mbretron dhe Krijuesi
Shpirti jetëdhënës. Amen
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Lorenci hyn në aradhet e martirëve, dëshmitar i Zotit tonë Jezu Krishtit.
Psalmi 123 /122/ (1-4) Shpresa e popullit është në Zotin
Dy të verbër... ia filluan të bërtasin: Zotëri, Biri i Davidit, ki mëshirë për ne! (Mt 20, 30).
Drejt teje po i lartësoj sytë e mi, *
drejt teje që banon në qiell.
Qe, porsi sytë e shërbëtorëve
drejt dorës së zotërinjve të vet, †
porsi sytë e shërbëtores *
drejt duarve të zonjës së vet,
ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, Hyjit tonë, *
derisa të ketë mëshirë për ne.
Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, *
sepse për së tepërmi na kanë mbuluar me përbuzje.
Sepse u ngi tepër më shpirti ynë
me përqeshje të të ngopurve, *
me përbuzje të krenarëve.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Lorenci hyn në aradhet e martirëve, dëshmitar i Zotit tonë Jezu Krishtit.
Ant. 2 Jam plot me gëzim pasi që u flijova me Krishtin.
Psalmi 124 /123/ (1-8) Ndihma jonë është në Emër të Zotit
Një natë Zoti i tha Palit në vegim: Mos u tremb... sepse unë jam me ty! (Vap 18, 9-10).
Po të mos kishte qenë Zoti me ne *
- le ta pohojë ballafaqe Izraeli -
po të mos kishte qenë Zoti me ne, *
kur njerëzit u ngritën kundër nesh:
atëherë do të na kishin përpirë gjallë, *
kur u mori flakë zemërimi kundër nesh.
Atëherë ujët do të na kishte marrë, *
rrjedha e përroit do të na kishte marrë,
do të na kishin mbytur *
valët e ujërave të tërbuara!
Qoftë bekuar Zoti
që s’na dha kafshatë *
për dhëmbët e tyre!
Shpirti ynë shpëtoi si trumcaku †
prej gracke të gjuetarëve: *
laku u këput e ne shpëtuam!
Ndihma jonë është në Emër të Zotit, *
që krijoi qiellin e Tokën.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Jam plot me gëzim pasi që u flijova me Krishtin.
Ant. 3 Të falënderoj, o Zot Jezus: sot do të hyj në shtëpinë tënde.
Kënga Krh. Ef 1, 3-10 Hyji shpëtimtar
Qoftë bekuar Hyji.*
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
në qiell në Krishtin.
Në Të na zgjodhi *
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
para Tij në dashuri.
Ai na parashënoi për vete *
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
me pëlqimin e vullnetit të vet
për nder të lavdisë së hirit të tij *
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
e fituam shpërblimin;
në Të na u falën fajet *
me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
bashkë me çdo urti e kuptim.
Ai na vuri në dijeni *
mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
qysh më parë ta kryente në Të
kur të plotësohej koha: *
të vërë çdo gjë
nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësitë *
që janë në qiell e në tokë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Të falënderoj, o Zot Jezus: sot do të hyj në shtëpinë tënde.
Leximi i shkurtër 1 Pjt 4, 13-14
Fort të dashur, gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare. Të lumët ju në qoftë se ju fyejnë për shkak të Emrit të Krishtit, sepse Shpirti i Lavdisë, i Hyjit, pushon në ju.
Përgjigjja e shkurtër
C O Hyj, ti na vure në sprovë * dhe na lirove.
O Hyj, ti na vure në sprovë dhe na lirove.
D Ti na sprovove me flakë, sikurse argjendin,
dhe na lirove.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Hyj, ti na vure në sprovë dhe na lirove.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Nata ime nuk e njeh errësirën; gjithçka shkëlqen nga drita.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Nata ime nuk e njeh errësirën; gjithçka shkëlqen nga drita.
Lutjet e besimtarëve
Në orën në të cilën Krishti, mbreti i martirëve, e dhuroi jetën e vet në darkën e Pashkëve dhe në fli të përgjakur përmbi kryq, le t’i ngritet atij lavdi i Kishës:
Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Krisht, shkaku dhe shembulli i çdo martirizimi, sepse na deshe deri në vdekje në kryq,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse i thirre mëkatarët e penduar në shpërblimin e jetës së pasosur,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse i urdhërove Kishës sate që të kushtonte gjakun e besëlidhjes së re dhe të amshuar, të derdhur për shpërblimin e mëkateve,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse në këtë ditë na dhe hirin që të jemi të qëndrueshëm në fe,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse shumë vëllezër e motra i bëre pjesëtarë të vdekjes sate shëlbimprurëse,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Dashuria e flaktë ndaj teje, o Zot, e bëri shën Lorencin diakon besnik në shërbesën tënde e të nderuar në martirizim: bëj që edhe ne të duam çka ai deshi e të zbatojmë çka ai na mësoi. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.