Mbrëmësorja

11 gusht, Shën Klara, virgjër

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   Jezus, kurora e virgjërave,

   që ajo Nënë të ngjizi,

   që veç një Virgjër t’lindi,

   shpirtmirë prano këto urata.

 

   Ti kullot mes zambakëve

   rrethuar nga vallja e virgjërave,

   dhëndër plot lavd i hijshëm,

   duke u dhënë çmime nuseve.

 

   Ngado të shkosh, virgjëresha

   të ndjekin, dhe me lavde

   enden duke kënduar pas teje,

   jehojnë himne t’ëmbla.

 

   Ty të lutemi, të rritesh

   më gjerë në mendjet tona,

   që të mos njohim fare

   plagët e zvetënimit.

 

   Jezus, lindur nga Virgjëra

   lavdi të qoftë bashkë me Atin,

   dhe me Shpirtin jetëdhënës

   ndër shekujt e përhershëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Rrethoje popullin tënd, o Zot, tani e përgjithmonë.

 

   Psalmi 125 /124/ (1-5) Hyji e ruan popullin e vet

 

   Mbarë Izraeli i Hyjit, pastë paqe e mëshirë prej Hyjit! (Gal 6, 16).

 

Kush shpreson në Zotin është si mali Sion: *

   s’ka gjë që e tund, mbetet për amshim!

 

Malet e rrethojnë Jerusalemin: †

   edhe Zoti rreth e rreth i rri popullit të vet *

   qysh tash e për amshim.

 

Askurrë s’do të sundojë skeptri i të pafeve †

   mbi trashëgimin e të drejtëve *

   që të drejtët të mos i shtrijnë duart në paudhësi.

 

Bëju mirë, o Zot, njerëzve të mirë *

   edhe atyre që e kanë zemrën të drejtë.

 

Kurse ata që shkojnë udhëve të ligësisë †

   le t’i zhbijë Zoti bashkë me keqbërësit. *

   Paqja qoftë mbi Izraelin!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Rrethoje popullin tënd, o Zot, tani e përgjithmonë.

 

Ant. 2 Nëse nuk bëheni si fëmijë, me zemër të re dhe jetë të re, nuk do të hyni në mbretërinë e qiellit.

 

    Psalmi 131 /130/ (1-3) Shpreso në Zotin sikurse foshnja shpreson në nënën e vet

 

   Pranoni t'ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë (Mt 11, 29).

 

O Zot, nuk krenohet zemra ime *

   as s’madhështohen sytë e mi,

as nuk jepem pas punëve të mëdha, *

   as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.

 

Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, †

   si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës, *

   si kërthi është shpirti im në mua.

 

Le të shpresojë Izraeli në Zotin *

   tani e për gjithmonë e jetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Nëse nuk bëheni si fëmijë, me zemër të re dhe jetë të re, nuk do të hyni në mbretërinë e qiellit.

 

Ant. 3 Na bëre, o Zot, popull mbretërish dhe priftërinj për Hyjin tonë.

 

   Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12. Himni i të shëlbuarve

 

I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *

   të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,

 

sepse ti krijove gjithçka,

   dhe me vullnetin tënd *

   gjithçka u bë dhe u krijua!

Ti je i denjë, o Zot,

   të marrësh librin *

   dhe t’ia zgjidhësh vulat,

 

sepse qe prerë †

   dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *

   njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,

 

dhe i bëre për Hyjin tonë

   mbretëri dhe priftërinj *

   dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.

 

I denjë është Qengji i prerë †

   të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *

   fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Na bëre, o Zot, popull mbretërish dhe priftërinj për Hyjin tonë.

 

   Leximi i shkurtër Krh. 1 Kor 7, 32. 34

 

   I pamartuari kujdeset për punët e Zotit: si t'i pëlqejë Zotit. Po edhe gruaja e pamartuar dhe virgjëresha kujdeset për punët e Zotit, që të jetë e shenjtë [e] me trup e me shpirt.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Hyjnë me gëzim virgjërat * në dasmën e Qengjit.

   Hyjnë me gëzim virgjërat në dasmën e Qengjit.

   D Janë të udhëhequra në pallatin e mbretit,

   në dasmën e Qengjit.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Hyjnë me gëzim virgjërat në dasmën e Qengjit.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Eja nusja e Krishtit, pranoje kurorën që Zoti të ka bërë gati.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Eja nusja e Krishtit, pranoje kurorën që Zoti të ka bërë gati.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Ta lavdërojmë me gëzim Krishtin Zot, që e lartësoi virgjërinë e zgjedhur për shkak të mbretërisë së qiellit, dhe atij t’ia drejtojmë lutjen tonë:

 

   O Krisht, dhëndri i virgjërave, dëgjoje lutjen tonë.

 

O Krisht, ti je dhëndri i vetëm i Kishës. Ti deshe që ajo të të dalë përpara sikur virgjër e pastër,

bëj që të jetë gjithmonë e shenjtë dhe e papërlyer.

O Zot, virgjërat e shenjta të erdhën në takim me dritëzat e ndezura,

mos lejo që njerëzve të shuguruar t’u mungojë drita e besnikërisë dhe e dashurisë.

O Zot, për ty Kisha, virgjër dhe nënë, e ruajti të patëmetë fenë e saj,

bëj që të gjithë të krishterët t’i mbesin besnikë fjalës sate.

Ti që na e jep gëzimin ta kremtojmë kujtimin e lavdishëm të virgjërës së shenjtë E.,

bëj që gjithmonë t’i gëzohemi ndërmjetësisë së saj.

Ti që virgjërat e shenjta i pranove në dasmën tënde,

bëj që besimtarët e vdekur të marrin pjesë në gazmendin e gostisë së amshuar.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Në mëshirën tënde, o Zot, ti e frymëzove shën Klarën me dashuri ndaj varfërisë ungjillore, bëj që, me ndërmjetësinë e saj, t’i përngjajmë Krishtit, të varfër dhe të përvujtë, që një ditë të sodisin ty në gëzimin e përsosur të Mbretërisë qiellore. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.