Mbrëmësorja

15 gusht, Të ngriturit e shën Marisë Virgjër në qiell

 

E kremte

 

Mbrëmësorja I

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   Gëzimi i botës, ylli i ri i qiellit,

   që krijon diellin, dhe në dritë qet prindin,

   jepu dorë t’shkarëve, jepu forcë jetëshkurtëve,

   o Mari virgjër.

 

   Ti dukesh qartë që je bërë shkallë për Hyjin

   ti mban të eprat, t’ultat merr i Larti;

   na jep dhuratat të jetojmë lartësirat

   e qiellit t’epër.

 

   Ty vallja e madhe e engjëjve të lumtur

   dhe e profetëve e çeta e apostujve,

   më të pëlqyeshmen ty veçon në radhën

   pas Hyjnisë Shenjte.

 

   Lavdi e përjetshme i qoftë Trinisë së Epër,

   që ty, o Virgjër, të dhuroi kurorën,

   dhe ty vendosi mbretreshë dhe nënë tonën

   vetë Perëndia. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Krishti i ngjitur në qiell, i hap mbrëtërinë e vet Nënës së tij krejt të pastër.

 

Psalmi 113 /112/ (1-9)

 

Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit, *

   lavdërojeni, Emrin e Zotit!

Qoftë bekuar Emri i Zotit *

   qysh tash e deri në amshim.

 

Që kur lind dielli e derisa perëndon *

   qoftë bekuar Emri i Zotit!

I madhërueshëm është Zoti mbi të gjithë popujt, *

   lavdia e tij i tejkalon qiejt.

 

Kush është si Zoti, Hyji ynë, †

   që fronin e ka në Lartësi, *

   e nga lart vrojton qiellin e tokën?

 

Nga pluhuri e ngre skamnorin, *

   nga llomi e lartëson të vobektin

për ta vënë të rrijë me princa, *

   me princat e popullit të vet.

 

Ai bën të banojë beronja në shtëpi të vet *

   nënë fëmijësh të gëzueshme.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Krishti i ngjitur në qiell, i hap mbrëtërinë e vet Nënës së tij krejt të pastër.

 

Ant. 2 Një grua e mbylli derën e qiellit, një grua e hap për ne: Maria, nëna e Zotit, aleluja.

 

Psalmi 147 (1-9)

 

Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, *

   madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!

Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua, *

   i bekoi bijtë e tu në ty!

 

Ai ua siguron kufijve të tu paqen, *

   ai të ushqen me palcën e grurit.

Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë, *

   lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

 

E hedh borën porsi lesh, *

   e derdh brymën porsi hi.

E lëshon breshrin porsi kafshatë, *

   kush mund të qëndrojë para të ftohtit të tij?

 

E dërgon fjalën e vet e ato shkrihen, *

   çon erën e vet e ujërat rrjedhin.

Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit, *

   drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.

 

Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër: *

   asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Një grua e mbylli derën e qiellit, një grua e hap për ne: Maria, nëna e Zotit, aleluja.

 

Ant. 3 Maria u ngrit përmbi qiej, lavdi Krishtit Zot, që jeton në shekuj!

 

Kënga Krh. Ef 1, 3-10

 

Qoftë bekuar Hyji.*

   Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,

i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *

   në qiell në Krishtin.

 

Në Të na zgjodhi *

   para krijimit të botës

që të jemi të shenjtë e të papërlyer *

   para Tij në dashuri.

 

Ai na parashënoi për vete *

   të jemi bij në shpirt

në saje të Jezu Krishtit *

   me pëlqimin e vullnetit të vet

 

për nder të lavdisë së hirit të tij *

   me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:

në Të, në saje të gjakut të tij, *

   e fituam shpërblimin;

 

në Të na u falën fajet *

   me anë të begatisë së hirit të tij,

të cilin Hyji e ndikoi në ne *

   bashkë me çdo urti e kuptim.

 

Ai na vuri në dijeni *

   mbi misterin e vullnetit të vet

synim që lirisht kishte vendosur *

   qysh më parë ta kryente në Të

 

kur të plotësohej koha: *

   të vërë çdo gjë

   nën kryesinë e Krishtit,

të gjithë qenësit *

   që janë në qiell e në tokë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Maria u ngrit përmbi qiej, lavdi Krishtit Zot, që jeton në shekuj!

 

   Leximi i shkurtër Rom 8, 30

 

   Ata që Hyji i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Është festë për engjëjt në qiell:

   * Maria u ngrit në lavdi.

   Është festë për engjëjt në qiell: Maria u ngrit në lavdi.

   D Lavdi dhe nder Hyjit tonë:

   Maria u ngrit në lavdi.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Është festë për engjëjt në qiell: Maria u ngrit në lavdi.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur: sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur: sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Hyjin, Atin e gjithëpushtetshëm, ta lavdërojmë, sepse na dha në Marinë një peng të sigurt ngushëllimi dhe shprese. Atij t’ia drejtojmë lutjen e përvujtë:

 

   Ndërmjetësoftë për ne Nëna e Birit tënd.

 

O Hyj, që bën mrekulli, Virgjrën Mari të pamëkat me trup dhe shpirt e bëre pjesëtare të lavdisë se Krishtit

drejtoji kah lavdia e amshuar zemrat e besimtarëve.

Marinë na e dhe për Nënë; bëj që me ndihmën e saj, të shërohen të sëmurët, të pikëlluarit të ngushëllohen, mëkatarët të falen

dhe të gjithë ta fitojnë paqen dhe shëlbimin.

Marinë e bëre Hirplote,

bëj që të gjithë të gëzohemi për dhuntitë e Shpirtit tënd.

Bëj që Kisha jote të mbetet e bashkuar në dashurinë tënde

dhe besimtarët të qëndrojnë në lutje së bashku me Marinë, nënën e Krishtit.

Marinë e kurorëzove për mbretëreshë në qiell

bëj që të vdekurit në mbretërinë tënde të gëzohen me shenjtërit e tu.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm e i amshuar, që e ngrite në lumturinë e qiellit me trup e me shpirt shën Marinë Virgjër, Nënën e papërlyer të Birit tënd; bëj t’i kemi gjithherë parasysh të mirat qiellore, që të bëhemi pjesëtarë të lumturisë së saj. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.