Mbrëmësorja
24 gusht, Shën Bartolomeu, apostull
Mbrëmësorja
V Hyj, më eja në ndihmë!
P O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Duke shëndritë mes princërve
t’selisë pa masë të Hyjit,
Bartolomé, lëvdatat
dëgjoji e lutjet e tona.
Në ty i drejtoi Hyji
sytë e vet shumë të dashur,
që ty vëren të shquar
me çiltërsi të zemrës.
Profetët që i kënduan,
që e shpallin kohë të gjata,
ja mrekullisht Mesia
ty që gëzon të shfaqet.
Dhe ty ai të afrohet
me lidhje të tillë bese,
ku synon vuajtje kryqi,
të japë selitë e qiellit.
Mik dhe nxënës i Krishtit,
që mbretëron ndër shekuj,
jeton me Mjeshtrin, njerëzit
ringroh me jetë të Mjeshtrit.
Atij lumnia e lavdi i qofshin,
që me ndihmë tënde e merita
na dhëntë të përfitojmë
n’atdhé gëzime t’amshuara. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ju, nxënësit e mi, më keni qëndruar besnikë në momentin e tundimit.
Psalmi 116 /115/ (10-19)
Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *
»Jam i pafat për së tepërmi!«.
Në hutimin tim kam thënë: *
»Rrenacak është çdo njeri!«
Si do t’ia shpërblej Zotit *
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
Do të ngre gotën e shëlbimit *
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij.
E çmueshme është para Zotit *
vdekja e shenjtërve të tij.
O Zot, unë jam shërbëtori yt, †
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *
Ti i këpute hekurat e mi:
ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit, *
midis teje, o Jerusalem!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ju, nxënësit e mi, më keni qëndruar besnikë në momentin e tundimit.
Ant. 2 Unë jam në mes jush si shërbëtor i të gjithëve.
Psalmi 126 /125/ (1-6)
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz *
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
Asohere thuhej ndër paganë: *
»Zoti bëri për ta punë të mëdha!«
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *
e zemrat na u mbushën me gëzim!
Ktheji, o Zot, robërit tanë *
porsi përrenjtë e mesditës!
Ata që mbjellin me lot, *
deh, le të korrin me gëzim!
Në të shkuar ecnin e qanin *
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *
duke mbartur dorëzat e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Unë jam në mes jush si shërbëtor i të gjithëve.
Ant. 3 Nuk ju thërras shërbëtorë, por miq: sepse ju tregova gjithçka dëgjova prej Atit tim.
Kënga Krh. Ef 1, 3-10
Qoftë bekuar Hyji.*
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
në qiell në Krishtin.
Në Të na zgjodhi *
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
para Tij në dashuri.
Ai na parashënoi për vete *
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
me pëlqimin e vullnetit të vet
për nder të lavdisë së hirit të tij *
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
e fituam shpërblimin;
në Të na u falën fajet *
me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
bashkë me çdo urti e kuptim.
Ai na vuri në dijeni *
mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
qysh më parë ta kryente në Të
kur të plotësohej koha: *
të vërë çdo gjë
nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësitë *
që janë në qiell e në tokë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Nuk ju thërras shërbëtorë, por miq: sepse ju tregova gjithçka dëgjova prej Atit tim.
Leximi i shkurtër Krh. Ef 4, 11-13
Krishti i 'dha' disa apostuj, disa tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, do të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t'i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, deri që të gjithë t'ia arrijmë njësisë së fesë dhe njohjes së Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit.
Përgjigjja e shkurtër
C Shpallni në mes të popujve * mrekullitë e Zotit.
Shpallni në mes të popujve mrekullitë e Zotit.
D Kumtoni në mbarë kombet,
mrekullitë e Zotit.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Shpallni në mes të popujve mrekullitë e Zotit.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të vijë në lavdi, ju do të mbretëroni me të mbi dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të vijë në lavdi, ju do të mbretëroni me të mbi dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
Lutjet e besimtarëve
Të ndërtuar mbi themelin e apostujve, t’i lutemi Zotit, Hyjit të gjithëpushtetshëm, për popullin e tij të shenjtë dhe t'i drejtohemi duke i thënë:
O Zot, le të të bjerë në mend për Kishën tënde.
O Atë, ti deshe që Biri yt i ngjallur prej të vdekurve së pari t'u lajmërohet apostujve
— bëj që të jemi dëshmitarët e tij deri në mbarim të botës.
Birin tënd e dërgove në botë që të varfërve t'u shpallë lajmin e gëzueshëm të shëlbimit
— bëj që Ungjilli t'i predikohet çdo krijese.
Birin tënd e dërgove që ai ta mbjellë farën e fjalës
— bëj që edhe ne të cilët në vuajtje e mbjellim farën, me gëzim të korrim frytet e saj.
Ti e dërgove Birin tënd që me gjakun e vet ta pajtojë botën me ty
— bëj që të gjithë ne të marrim pjesë në pajtimin tënd me botën.
Birin tënd e vure në qiell në të djathtën tënde
— merri në Mbretërinë e të të lumturve të vdekurit tanë të dashur.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Forcoje fenë në ne, o Zot, që ta ndjekim Krishtin, Birin tënd, të cilin shën Bartolomeu apostull e pranoi me zemër të çiltër, e bëj që, me ndërmjetësinë e tij, Kisha jote të jetë për të gjithë popujt sakrament shëlbimi. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.