Mbrëmësorja

8 shtator, Lindja e shën Marisë Virgjër

 

mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Pason himni i përshtatshëm.

 

   Himni

 

   Lindëse e lume e Hyjit,

   shkëlqimi i njerëzimit,

   ne me anë tënde bëhemi

   të lirë e bij të dritës;

 

   Mari, virgjër mbretrore,

   me soj nga mbret Davidi,

   fisnike jo aq nga prindi

   sa nga rëndësia e mugullit.

 

   Ti ne, duke shkulë t’vjetrin,

   mbill me filiz të ri;

   nëpër ty qoftë njerëzimi

   një meshtari mbretërore.

 

   Ti ne nga lidhje t’shenjta

   me lutje na i zgjidh fajet;

   tue nxjerrë meritat tua

   na ço n’çmime të qiellit.

 

   Trinisë i qoftë lavdia,

   o Virgjër tërë fisnike,

   që ty thesar t’madhrishëm

   na jep me dhunti t’veta. Amen.

 

   Ose një himn tjetër apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.

 

Ant. 1 Prej trungut të Jeseut lulëzoi Virgjëra, që u bë nënë për virtyt të Shpirtit të Hyjit.

 

Psalmi 122 /121/ (1-9)

 

Seç u gëzova kur më thanë: *

   »Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!«

Ja, tashmë këmbët tona shkelën *

   në dyert e tua, o Jerusalem!

 

O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri, *

   thuaj se i tëri një cope të vetme je!

 

Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, †

   sipas rregullores në Izrael *

   për të kremtuar Emrin e Zotit.

 

Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë, *

   selitë e shtëpisë së Davidit!

 

Lutuni për paqen e Izraelit: *

   »U priftë e mbara atyre që të duan ty!

Mbretëroftë paqja në muret e tua *

   dhe qetësia në pirgjet e tua!«

 

Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi *

   do të them: »Paqja me ty!«

Për dashuri ndaj Shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë, *

   do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Prej trungut të Jeseut lulëzoi Virgjëra, që u bë nënë për virtyt të Shpirtit të Hyjit.

 

Ant. 2 Sot lindi Virgjëra Mari: hirplote, Hyji e shikoi, e përvujtë, Hyji e vizitoi.

 

Psalmi 127 /126/ (1-5)

 

Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, *

   kot mundohen ata që e ndërtojnë.

Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, *

   kot rri zgjuar ai që e ruan.

 

Kot e keni të çoheni para drite *

   dhe vonë të shkoni në pushim, -

ju që e hani bukën e mundit: *

   të dashurve të vet u jep edhe në gjumë.

 

Ja: bijtë janë dhuratë e Zotit, *

   fryti i barkut është shpërblimi i tij.

Porsi shigjetat në dorën e trimit *

   të tillë janë djemtë e rinisë.

 

Lum ai burrë që e mbushi kukurrën me të tillë: *

   s’do të turpërohet kur të fjaloset me armiq në log.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Sot lindi Virgjëra Mari: hirplote, Hyji e shikoi, e përvujtë, Hyji e vizitoi.

 

Ant. 3 Mari, Virgjëra Nënë e Hyjit, e bekuar dhe e denjë për çdo lavdërim, ne e kremtojmë lindjen tënde. Lute për ne Zotin.

 

Kënga Krh. Ef 1, 3-10

 

Qoftë bekuar Hyji.*

   Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,

i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *

   në qiell në Krishtin.

 

Në Të na zgjodhi *

   para krijimit të botës

që të jemi të shenjtë e të papërlyer *

   para Tij në dashuri.

 

Ai na parashënoi për vete *

   të jemi bij në shpirt

në saje të Jezu Krishtit *

   me pëlqimin e vullnetit të vet

 

për nder të lavdisë së hirit të tij *

   me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:

në Të, në saje të gjakut të tij, *

   e fituam shpërblimin;

 

në Të na u falën fajet *

   me anë të begatisë së hirit të tij,

të cilin Hyji e ndikoi në ne *

   bashkë me çdo urti e kuptim.

 

Ai na vuri në dijeni *

   mbi misterin e vullnetit të vet

synim që lirisht kishte vendosur *

   qysh më parë ta kryente në Të

 

kur të plotësohej koha: *

   të vërë çdo gjë

   nën kryesinë e Krishtit,

të gjithë qenësit *

   që janë në qiell e në tokë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Mari, Virgjëra Nënë e Hyjit, e bekuar dhe e denjë për çdo lavdërim, ne e kremtojmë lindjen tënde. Lute për ne Zotin.

 

   Leximi i shkurtër Rom 9, 4-5

 

   Këta janë izraelitët! Atyre u përket adoptimi, Lavdia, Besëlidhjet, Ligji, kulti, premtimet; të tyre janë edhe patriarkët, prej tyre, si njeri, është edhe Krishti, i cili është mbi çdo gjë, Hyji i bekuar në shekuj. Amen.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Të falemi Mari, hirplote, * Zoti me ty.

   Të falemi Mari, hirplote, Zoti me ty.

   D Je më e bekuar se të gjitha gratë

   dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd,

   Zoti me ty.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Të falemi Mari, hirplote, Zoti me ty.

 

Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Zoti e shikoi përvujtërinë e saj: dhe në lajmërimin e engjëllit Maria ngjizi Shëlbuesin e botës.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Zoti e shikoi përvujtërinë e saj: dhe në lajmërimin e engjëllit Maria ngjizi Shëlbuesin e botës.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Hyjin, Atin e gjithëpushtetshëm, ta lavdërojmë, sepse na dha në Marinë një peng të sigurt ngushëllimi dhe shprese. Atij t’ia drejtojmë lutjen e përvuajtur:

 

Ndërmjetësoftë për ne Nëna e Birit tënd.

 

O Hyj, që bën mrekulli, Virgjërën Mari të pamëkat me trup dhe shpirt e bëre pjesëtare të lavdisë së Krishtit,

drejtoji edhe zemrat e besimtarëve kah lavdia e amshuar.

Marinë na e dhe për Nënë; bëj që, me ndihmën e saj, të shërohen të sëmurët, të pikëlluarit të ngushëllohen, mëkatarët të falen,

dhe të gjithë ta fitojnë paqen dhe shëlbimin.

Marinë e mbushe me hire,

bëj që të gjithë të gëzohemi për dhuratat e Shpirtit tënd.

Bëj që Kisha jote të të jetë një zemre e një shpirt në dashuri:

dhe besimtarët të qëndrojnë në lutje së bashku me Marinë, nënën e Krishtit.

Marinë e kurorëzove për mbretëreshë në qiell

bëj që të vdekurit në mbretërinë tënde të gëzohen me shenjtërit e tu.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Na dhuro, o Zot, visarin e hirit tënd: pasi amësia e shën Marisë qe për ne fillimi i shëlbimit, bëj që festa e ditëlindjes së saj të na sjellë paqen e vërtetë. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.