Mbrëmësorja

14 shtator, Lartësimi i Kryqit të shenjtë

 

Festë

 

MBRËMËSORJA I

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   Po na prijnë flamujt e mbretit,

   shkëlqen misteri i kryqit,

   ku vetë krijuesi i trupit

   me trup është varë në atë kryq.

 

   Ku, mbi të i plagosur

   me majë mizore t’heshtës,

   për të larë ne nga mëkati,

   derdhi një rrëké të gjakut.

 

   Dru e hijshme dhe e shkëlqyer,

   stolisë me purpur mbreti,

   nga trung fisnik e zgjedhur

   sa gjymtyrë shenjte prekin.

 

   E lume, krahë të cilës

   rri varë vlera e gjithë botës,

   që u bë ballancë e trupit,

   e i hoqi plaçkën ferrit.

 

   Altar e fli, po ju falem,

   për lavdinë e mundimeve,

   ku jeta i dha fund vdekjes,

   e me vdekje ktheu prapë jetën.

 

   Të falem Kryq shpresë e vetme,

   në këtë kohë të mundimeve

   shtoju hirin të drejtëve,

   fajtorëve shlyeju krimet.

 

   Ty gurrë shpëtimi, o Trini,

   çdo shpirt të lavdëroftë ty;

   ata që me Kryq shpëtove

   ruaji përher për vete. Amen.

 

Ant. 1 Jezusi, i kryqëzuari, u ringjall prej së vdekuri; ai na liroi, aleluja.

 

   Psalmi 147 /146/ (1-11)

 

Lavdërojeni Zotin, sepse është mirë, †

   është bukur t’i këndosh Hyjit tonë, *

   është kënaqësi ta lavdërosh si i ka hije!

 

Zoti e rindërton Jerusalemin, *

   i bashkon izraelitët e mërguar!

Ai i shëron zemrat e copëtuara, *

   i lidh plagët e tyre!

 

Ai e njeh numrin e yjeve *

   dhe e thërret secilin me emër.

 

I madh është Zoti ynë, i gjithëpushtetshëm, *

   e pakufishme është dija e tij.

Zoti i lartëson të përvujtët, *

   kurse përdhe i shtron keqbërësit.

 

Këndojani Zotit këngën e falënderjes, *

   bini harpës për nder të Hyjit tonë!

 

Ai me re e mbulon qiellin *

   dhe ia përgatit dheut shiun.

 

Bën të rritet maleve bari *

   edhe bimë për të mirën e njeriut.

 

Ai u jep ushqime bagëtive, *

   deri edhe zogjve të korbave kur ia kërkojnë.

S’i jep rëndësi fuqisë së kalit, *

   s’i merr parasysh kërçikët e trimit:

 

Zotit i pëlqejnë ata që e druajnë, *

   ata që shpresojnë në mirësinë e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Jezusi, i kryqëzuari, u ringjall prej së vdekuri; ai na liroi, aleluja.

 

Ant. 2 Në zemrën e qytetit të shenjtë ngrihet pema e jetës; gjethet e saj i shërojnë njerëzit, aleluja.

 

   Psalmi 147 (1-9)

 

Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, *

   madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!

Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua, *

   i bekoi bijtë e tu në ty!

 

Ai ua siguron kufijve të tu paqen, *

   ai të ushqen me palcën e grurit.

Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë, *

   lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

 

E hedh borën porsi lesh, *

   e derdh brymën porsi hi.

E lëshon breshrin porsi kafshatë, *

   kush mund të qëndrojë para të ftohtit të tij?

 

E dërgon fjalën e vet e ato shkrihen, *

   çon erën e vet e ujërat rrjedhin.

Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit, *

   drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.

 

Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër: *

   asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. 2 Në zemrën e qytetit të shenjtë ngrihet pema e jetës; gjethet e saj i shërojnë njerëzit, aleluja.

 

Ant. 3 Lavdia jonë është kryqi i Zotit tonë Jezu Krishtit.

 

Kënga Fil 2, 6-11

 

   Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *

   barazinë e vet me Të

   nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

 

por ia mohoi vetvetes *

   e mori natyrën e shërbëtorit

   dhe u bë i ngjashëm me njerëz

 

dhe, për kah pamja e jashtme, *

   dukej vetëm njeri.

 

E përuli vetveten

   duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, *

   mu deri në vdekje në kryq.

 

Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *

   dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër

 

që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *

   i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

 

dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *

   ‘Jezu Krishti është Zot!’

   Në nder të Hyjit Atë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lavdia jonë është kryqi i Zotit tonë Jezu Krishtit.

 

   Leximi i shkurtër 1 Kor 1, 23-24

 

   Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar ‑ për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit ‑ si për hebrenj si për grekë ‑ Krishtin ‑ fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Zoti po kthehet: * në qiell paraqitet shenja e tij.

   Zoti po kthehet: në qiell paraqitet shenja e tij.

   D Lirimi juaj është i afërt:

   në qiell paraqitet shenja e tij

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Zoti po kthehet: në qiell paraqitet shenja e tij.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Krishti duhej të vuante: tash u ngjall së vdekuri që të hyjë në lavdi.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Krishti duhej të vuante: tash u ngjall së vdekuri që të hyjë në lavdi.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Me lutje plot shpresë t’i drejtohemi Shëlbuesit, i cili na shpërbleu me kryqin e tij:

 

   Nëpër kryqin tënd na ngrite në mbretërinë tënde.

 

O Jezu Krisht, ti vetveten e përule duke u bërë shërbëtor në përngjasim me njerëz

bëj që anëtarët e Kishës ta trashëgojnë përvujtërinë tënde.

O Krisht, ti u përvujtërove duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, madje deri në vdekje në kryq

bëj që shërbëtorët e tu të jenë të dëgjueshëm, të durueshëm dhe të qëndrueshëm.

O Krisht, ty Hyji të lartësoi dhe ta dha emrin që është mbi çdo emër

jepu besimtarëve të tu qëndrueshmëri deri në fund të jetës.

O Jezu Krisht, në emrin tënd duhet të përkulet çdo gju në qiell, në tokë e në nëntokë

mbushi njerëzit me dashuri që të të adhurojnë në paqe.

O Jezu Krisht çdo gjuhë do të dëshmojë se ti je Zot, në nder të Hyjit Atë

pranoji vëllezërit tanë të vdekur në mbretërinë e lumturisë së amshuar.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti deshe që i Njëlinduri Biri yt të vdiste në Kryq për shëlbimin e të gjithë njerëzve: bëj që, pasi e njohëm këtu mbi tokë misterin e dashurisë së tij, t’i gëzojmë në qiell frytet e shpërblimit të tij. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.