Mbrëmësorja
14 shtator, Lartësimi i Kryqit të shenjtë
MBRËMËSORJA II
V Hyj, më eja në ndihmë!
P O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Po na prijnë flamujt e mbretit,
shkëlqen misteri i kryqit,
ku vetë krijuesi i trupit
me trup është varë në atë kryq.
Ku, mbi të i plagosur
me majë mizore t’heshtës,
për të larë ne nga mëkati,
derdhi një rrëké të gjakut.
Dru e hijshme dhe e shkëlqyer,
stolisë me purpur mbreti,
nga trung fisnik e zgjedhur
sa gjymtyrë shenjte prekin.
E lume, krahë të cilës
rri varë vlera e gjithë botës,
që u bë ballancë e trupit,
e i hoqi plaçkën ferrit.
Altar e fli, po ju falem,
për lavdinë e mundimeve,
ku jeta i dha fund vdekjes,
e me vdekje ktheu prapë jetën.
Të falem Kryq shpresë e vetme,
në këtë kohë të mundimeve
shtoju hirin të drejtëve,
fajtorëve shlyeju krimet.
Ty gurrë shpëtimi, o Trini,
çdo shpirt të lavdëroftë ty;
ata që me Kryq shpëtove
ruaji përher për vete. Amen.
Ose një himn tjetër apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.
Ant. 1 I madh është misteri i kryqit! U mposht vdekja kur vdiq Autori i jetës.
Psalmi 110 /109/ (1-5. 7)
I tha Zoti Zotit tim: *
»Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e tu *
shtrojë për këmbët e tua!«
Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *
sundo midis armiqve të tu!
Ty të përket më i larti pushtet *
në ditën e fuqisë sate
në shkëlqime të shenjta *
nga kraharori para Yllit të Dritës
unë të linda.
Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *
Ti je prift për amshim
në mënyrën e Melkizedekut.«
Zoti është në të djathtën tënde, *
i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.
Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *
prandaj lart do ta ngrejë kokën.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 I madh është misteri i kryqit! U mposht vdekja kur vdiq Autori i jetës.
Ant. 2 E adhurojmë kryqin tënd, o Zot e kremtojmë mundimin tënd të lum; ki mëshirë për ne, ti që vuajte për ne.
Psalmi 116 /115/ (10-19)
Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *
»Jam i pafat për së tepërmi!«.
Në hutimin tim kam thënë: *
»Rrenacak është çdo njeri!«
Si do t’ia shpërblej Zotit *
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
Do të ngre gotën e shëlbimit *
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij.
E çmueshme është para Zotit *
vdekja e shenjtërve të tij.
O Zot, unë jam shërbëtori yt, †
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *
Ti i këpute hekurat e mi:
ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit, *
midis teje, o Jerusalem!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 E adhurojmë kryqin tënd, o Zot e kremtojmë mundimin tënd të lum; ki mëshirë për ne, ti që vuajte për ne.
Ant. 3 Të adhurojmë, o Krisht, dhe të bekojmë: sepse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën.
Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12.
I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *
të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,
sepse ti krijove gjithçka, †
dhe me vullnetin tënd *
gjithçka u bë dhe u krijua!
Ti je i denjë, o Zot,
të marrësh librin *
dhe t’ia zgjidhësh vulat,
sepse qe prerë †
dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *
njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,
dhe i bëre për Hyjin tonë
mbretëri dhe priftërinj *
dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.
I denjë është Qengji i prerë †
të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *
fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Të adhurojmë, o Krisht, dhe të bekojmë: sepse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën.
Leximi i shkurtër 1 Kor 1, 23-24
Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar ‑ për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit ‑ si për hebrenj si për grekë ‑ Krishtin ‑ fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit.
Përgjigjja e shkurtër
C Mbretëron Zoti mbi ty, * o kryq i lavdishëm.
Mbretëron Zoti mbi ty, o kryq i lavdishëm.
D Mbi drurin tënd i lau fajet tona në gjak,
o kryq i lavdishëm.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Mbretëron Zoti mbi ty, o kryq i lavdishëm.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. O kryq i shenjtë, shenjë e fitores dhe e shëlbimit, na udhëheq kah fitorja në lavdinë e Krishtit.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. O kryq i shenjtë, shenjë e fitores dhe e shëlbimit, na udhëheq kah fitorja në lavdinë e Krishtit.
Lutjet e besimtarëve
Me lutje plot shpresë t’i drejtohemi Shëlbuesit, i cili na shpërbleu me kryqin e vet:
Nëpër kryqin tënd na ngrit në mbretërinë tënde.
O Jezu Krisht, ti vetveten e përule duke u bërë shërbëtor në përngjasim me njerëz
— bëj që anëtarët e Kishës ta trashëgojnë përvujtërinë tënde.
O Krisht, ti u përvujtërove duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, madje deri në vdekje në kryq
— bëj që shërbëtorët e tu të jenë të dëgjueshëm, të durueshëm dhe të qëndrueshëm.
O Krisht, ty Hyji të lartësoi dhe ta dha emrin që është mbi çdo emër
— jepu besimtarëve të tu qëndrueshmëri deri në fund të jetës.
O Jezu Krisht, në emrin tënd duhet të përkulet çdo gju në qiell, në tokë e në nëntokë
— mbushi njerëzit me dashuri që të të adhurojnë në paqe.
O Jezu Krisht çdo gjuhë do të të dëshmojë se ti je Zot, në nder të Hyjit Atë
— pranoji vëllezërit tanë të vdekur në mbretërinë e lumturisë së amshuar.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti deshe që i Njëlinduri Biri yt të vdiste në Kryq për shëlbimin e të gjithë njerëzve: bëj që, pasi e njohëm këtu mbi tokë misterin e dashurisë së tij, t’i gëzojmë në qiell frytet e shpërblimit të tij. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.