Mbrëmësorja
16 shtator, Shën Korneli e Cipriani, martirë
MBRËMËSORJA
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Për nder t’shenjtërve, shokë, le të këndojmë
gëzime lavdie e bëma kreshnikie:
pse shpirti ndizet duke u thurur këngët
njerëzve ngadhënjyes.
Këta janë nga ata që u tremb bota e dobët,
pse këtë t’përtharë me lule të pafrytshme
ata e përbuzën krejt, dhe ndoqën ty,
Krisht, Mbret i mirë i qiejve.
Këta për ty duruan tmerre e tërbime:
prej tyre s’ndihen as zhurmë as ankime,
por n’zemër t’heshtur mendja e vetëdijshme
e ruan durimin.
Por cila gojë e gjuhë mund të rreshtojë
dhuntitë që ti u përgatitë martirëve?
Ata pajisen me dafina t’ndritshme
me gjak të kuq të rira.
Hyjni e vetme në tre vetë, të lutem,
të shlyesh fajet, të çlirosh prej krimesh,
skllevërve paqe e lirinë na jep neve
ndër gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Sa e mrekullueshme është dija jote për mua, o Zot.
Psalmi 139 /138/ I (1-12) Zoti sheh gjithçka
Kush e njohu mendimin e Zotit? Kush iu bë Atij këshilltar? (Rom 11, 34).
O Zot, ti më shqyrton e më njeh, *
ti di kur rri e kur ngrihem,
prej së largu i njeh mendimet e mia. *
Si në shtegtoj si në pushoj, ti më vëren,
ti i di të gjitha udhët e mia. †
Pa më ardhur ende fjala në majë të gjuhës, *
dhe, ja, ti, o Zot, i njeh të gjitha!
Përpara e pas ti, o Zot, më rrethon, *
ti e ke vënë mbi mua dorën tënde.
E mrekullueshme është dija jote për mua, *
tepër e lartë, s’jam në gjendje t’ia arrij.
Ku mund të shkoj larg prej shpirtit tënd, *
ku të iki larg prej pranisë sate?
Nëse ngjitem në qiell, ti atje je, *
nëse zbres në Nëntokë, edhe aty je.
Po t’i marr krahët e agimit *
e të shkoj të banoj në skajin e detit,
edhe atje dora jote do të më përcjellë *
e do të më mbajë e djathta jote.
Në thënça: »Le të më mbulojë së paku errësira *
edhe drita natë le të bëhet mbi mua!«,
por as terri s’është aspak terr për ty †
edhe nata është si dritë e ndritshme *
- për ty errësira është porsi drita!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Sa e mrekullueshme është dija jote për mua, o Zot.
Ant. 2 Ti më njeh në thellësi të zemrës, o Zot dhe i jep çdonjërit sipas veprave të tija.
Psalmi 139 /138/ II (13-18. 23-24) O Zot, ti më shqyrton dhe më njeh
Hyji nuk është larg asnjërit prej nesh... në Të jetojmë, lëvizim e jemi (Vap 17, 27. 28).
Ti je ai që m’i krijove veshkat, *
ti më ke endur në kraharorin e nënës!
Të lavdëroj pse më krijove kaq mrekullisht, †
të mrekullueshme janë veprat e tua, *
po, shpirti im mirë e di!
Eshtrat e mi nuk të mbetën të fshehur †
kur unë po trajtohesha në fshehtësi *
i endur në thellësinë e tokës.
Ende të patrajtuar më panë sytë e tu, †
në librin tënd ishin të shkruara të gjitha ditët: *
ishin të njehura megjithëse asnjë s’ishte ende prej tyre.
Tepër të çmueshme janë për mua, e Hyj, mendimet e tua, *
e panumërueshme është shuma e tyre!
Po t’i numëroja, janë më shumë se rëra! *
Po t’iu dilja në skaj, më mbeteshe prapë ti!
Më shqyrto, o Hyj, dhe njihe zemrën time, *
më sprovo e njihi shtigjet e mia
e shiko në mos ka në mua udhë kotësie *
dhe më kthe në udhën e amshueshme.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ti më njeh në thellësi të zemrës, o Zot dhe i jep çdonjërit sipas veprave të tija.
Ant. 3 Nëpër Krishtin gjithësia u krijua dhe çdo gjë qëndron në të.
Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20 Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.
E falënderojmë Hyjin, *
Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,
sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *
në trashëgimin e shenjtërve në dritë.
Ai na nxori nga pushteti i errësirës *
dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
në të cilin kemi shpërblimin *
- faljen e mëkateve.
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *
i Parëlinduri - para çdo krijese.
Ai është para çdo gjëje *
dhe çdo gjë qëndron në Të.
Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *
në qiell e në dhe,
çka shihet e çka nuk shihet.
Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *
Ai është Fillimi,
i Parëlinduri ndër të vdekurit *
- që të jetë në gjithçka i Pari.
Sepse Hyjit i pëlqeu
të banojë në Të e tërë Plotësia *
dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.
Në saje të Gjakut të kryqit të Tij, †
Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *
qoftë në tokë qoftë në qiell.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Nëpër Krishtin gjithësia u krijua dhe çdo gjë qëndron në të.
Leximi i shkurtër Krh. 1 Pjt 4, 13-14
Fort të dashur, gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare. Të lumët ju në qoftë se ju fyejnë për shkak të Emrit të Krishtit, sepse Shpirti i Lavdisë, i Hyjit, pushon në ju.
Përgjigjja e shkurtër
C Gëzohuni në Zotin; * galdoni, o të drejtë.
Gëzohuni në Zotin; galdoni, o të drejtë.
D Besimtarë të Zotit, brohoritni nga gëzimi;
galdoni, o të drejtë.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Gëzohuni në Zotin; galdoni, o të drejtë.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Kisha e Krishtit nëna jonë, flijimi i martirëve të nderon!
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. Kisha e Krishtit nëna jonë, flijimi i martirëve të nderon!
Lutjet e besimtarëve
Në orën në të cilën Krishti, mbreti i martirëve, e dhuroi jetën e vet në darkën e Pashkëve dhe në fli të përgjakur përmbi kryq, le t’i ngritet atij lavdi i Kishës:
Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Krisht, shkaku dhe shembulli i çdo martirizimi, sepse na deshe deri në vdekje në kryq,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse i thirre mëkatarët e penduar në shpërblimin e jetës së pasosur,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse i urdhërove Kishës sate që të kushtonte gjakun e besëlidhjes së re dhe të amshuar, të derdhur për shpërblimin e mëkateve,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse në këtë ditë na dhe hirin që të jemi të qëndrueshëm në fe,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse shumë vëllezër e motra i bëre pjesëtarë të vdekjes sate shëlbimprurëse,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti i dhe popullit tënd në shën Kornelin e Çiprianin barinj të zellshëm dhe martirë të guximshëm: bëj, me ndërmjetësinë e tyre, të forcohemi në fe dhe në qëndresë që veprimtaria jonë për bashkimin e krishterimit të dalë plot fryte. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.