Mbrëmësorja

23 shtator, Shën Piu nga Pietralçina, meshtar

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   Jezus, shëlbues i t’gjithve,

   kurorë e amshuar qiellorësh,

   në këtë ditë më i mëshirshëm

   përkrahi zërat tona.

 

   Me anë t’zërit tënd të shenjtë

   lajmëtar hyjnor qartë foli,

   e çdo vit me madhështi

   kremton turma e devotshme.

 

   Nëpër ato që janë të shekullit

   kaloi me hap të qetë,

   ty besnik pa ndërprerë

   n’ udhë të shelbimit ndoqi.

 

   Por ndër qejfet e mrazta

   t’botës s’e ngjiti zemrën,

   bashkë me engjëj të qiellit

   i lumtur gëzon meritat.

 

   Çdo vit ndaj këtij mirëdashës

   na bëj të ndjekim gjurmët,

   nga lutja e këtij ne robërve

   na shlyej fajin e mëkatit.

 

   Ty, o Krisht, mbret shumë i drejtë

   lavdi të qoftë dhe Atit,

   bashkë me Shpirtin shenjtërues

   ndër shekujt e përhershëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë?

 

   Psalmi 27 /26/ I (1-6) Shpresa në Hyjin në rast rreziku

 

   Ja Tenda e Hyjit me njerëz (Zb 21, 3).

 

Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, *

   kë do të kem frikë?

Zoti është mbrojtësi i jetës sime, *

   para kujt do të dridhem?

 

Kur më sulen bakëqijtë *

   për të më ngrënë gjallë,

kundërshtarëve e armiqve të mi, *

   ora u liget dhe rrëzohen.

 

Le të çohet, në dashtë, edhe një ushtri e tërë *

   kundër meje: zemra nuk më trembet,

le të shpërthejë, në dashtë, edhe lufta kundër meje; *

   edhe atëherë jam plot shpresë.

 

Për një gjë të vetme i lutem Zotit, *

   vetëm atë ia kërkoj

që të jetoj në Shtëpinë e Zotit *

   të gjitha ditët e jetës sime,

 

që ta shijoj kënaqësinë e Zotit *

   e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

 

Zoti më fsheh në tendën e vet †

   në ditë të vështirë, *

   më strehon në vend të fshehtë.

 

E tani e lartësoj kryet *

   mbi armiqtë e mi që më rrethojnë,

në tendën e tij do të kushtoj fli gëzimi, *

   do t’i këndoj Zotit këngë hareje.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë?

 

Ant. 2 Fytyrën tënde, o Zot, unë e kërkoj, mos e fsheh fytyrën tënde prej meje.

 

   Psalmi 27 /26/ II (7-14) Lutja e të pafajshmit të përndjekur

 

   Disa u çuan e dëshmuan rrejshëm kundër Jezusit (Mk 14, 57).

 

Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime, *

   ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!

Për ty tha zemra ime: »Kërkojeni fytyrën time!« *

   »Fytyrën tënde, o Zot, po kërkoj.«

Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje, *

   mos e dëbo me felgrim shërbëtorin tënd!

Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz, *

   mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim!

 

Im atë e nëna ime hoqën dorë prej meje, *

   por Zoti më mori ndore.

 

Ma trego, o Zot, udhën tënde †

   dhe më drejto shtegut të drejtë *

   për shkak të armiqve të mi!

 

Mos më lësho në pamëshirën e kundërshtarëve të mi, †

   sepse u ngritën kundër meje dëshmitarë të rrejshëm, *

   të cilët shfryjnë dhunë.

 

Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit *

   në tokën e të gjallëve.

Shpreso në Zotin: bëhu burrë! *

   Ji zemërfortë e prite Zotin!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Fytyrën tënde, o Zot, unë e kërkoj, mos e fsheh fytyrën tënde prej meje.

 

Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.

 

   Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20

 

   Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.

 

E falënderojmë Hyjin, *

   Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,

sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *

   në trashëgimin e shenjtërve në dritë.

 

Ai na nxori nga pushteti i errësirës *

   dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,

në të cilin kemi shpërblimin *

   - faljen e mëkateve.

 

Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *

   i Parëlinduri - para çdo krijese.

Ai është para çdo gjëje *

   dhe çdo gjë qëndron në Të.

 

Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *

   në qiell e në dhe,

   çka shihet e çka nuk shihet.

 

Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *

   Ai është Fillimi,

i Parëlinduri ndër të vdekurit *

   - që të jetë në gjithçka i Pari.

 

Sepse Hyjit i pëlqeu

   të banojë në Të e tërë Plotësia *

   dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.

 

Në saje të Gjakut të kryqit të Tij,

   Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *

   qoftë në tokë, qoftë në qiell.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.

 

   Leximi i shkurtër Rom 8, 28-30

 

   Ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur. Sepse, ata që ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Zoti është i drejtë, * ai e do drejtësinë.

   Zoti është i drejtë, ai e do drejtësinë.

   D Ai i shikon të mirët me dashuri,

   ai e do drejtësinë.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Zoti është i drejtë, ai e do drejtësinë.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Shërbëtor i mirë dhe besnik, hyr në gëzimin e Zotërisë tënd.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. Shërbëtor i mirë dhe besnik, hyr në gëzimin e Zotërisë tënd.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Ta thërrasim Hyjin Atë, burimin e çdo shenjtërie, që me shembullin dhe me ndihmën e shenjtërve, të na ndihmojë të jetojmë në përputhje me pagëzimin tonë. Të themi së bashku:

 

   Na bëj të shenjtë, o Zot, sikurse ti vetë je i shenjtë.

 

Atë i shenjtë, ti dëshiron të quhemi dhe të jemi me të vërtetë bijtë e tu,

bëj që Kisha të të lavdërojë ty mbi mbarë tokën me dritën e shenjtërisë së saj.

Atë i shenjtë, ti që na fton të ecim denjësisht në rrugën e thirrjes sonë, kështu që të mund të të pëlqejmë ty në çdo gjë,

bëj që të sjellim fryte të begatshme të veprave të mira.

Atë i shenjtë, ti që na pajtove në Krishtin,

ruaji të gjithë ata që besojnë në emrin tënd, që të jenë një gjë e vetme me ty.

Atë i shenjtë, ti që na fton në gostinë e qiellit,

bëj që të rritemi në dashuri në tryezën e bukës së gjallë që zbriti nga qielli.

Atë i shenjtë, bëj që vëllezërit tanë të vdekur ta kundrojnë fytyrën tënde,

na bëj edhe ne të denjë për lavdinë tënde.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, me anë të një hiri të veçantë ti bëre që meshtari shën Pio (nga Pietralçina) të merrte pjesë në kryqin e Birit tënd, dhe nëpërmjet shërbesës së tij i përtërive mrekullitë e mëshirës sate; nëpërmjet ndërmjetësisë së tij, na e dhuro edhe neve, të bashkuar vazhdimisht me vuajtjet e Krishtit, që të arrijmë të lumtur në lavdinë e ringjalljes. Nëpër Zotin tonë.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.