Mbrëmësorja

29 shtator, Shën Mihaeli (Mhilli), Gabrieli dhe Rafaeli, kryeengjëj

 

Lutjet e mbrëmjes

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)

 

      Pason himni i përshtatshëm.

 

      Himni

 

      N’pallat mbretror, o Krisht, me ngulm të lypim

      na ço Mikelin engjëllin e paqes,

      që duke urdhur dendur të na shtohen

      gjitha mbarësitë.

 

      Engjëlli i forti Gabriel, që armikun

      e vjetër ta dëbojë, të fluturojë prej së larti,

      më shpesh me dashje t’vizitojë përkrahës

      tempullin tonë.

 

      Dhe na dërgo prej qiejve Rafaelin,

      engjëllin mjek t’shpëtimit, që të shërojë

      të gjithë të smurët, njëkohësisht t’udhëzojë

      veprimet tona.

 

      O Krisht, shkëlqimi i engjëjve të shenjtë,

      gjithnjë pranë nesh të jenë çetat e tyre,

      që bashkë më n’fund Trinisë në përjetësi

      t’i thurim këngët. Amen.

 

      Ose një himn tjetër apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.

 

Ant. 1 Lavdisë sate, o Hyj, i këndojnë engjëjt në lartësitë e qiellit.

 

Psalmi 8 (2-10)

 

O Zot, Zoti ynë, †

      sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun! *

      Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!

 

Prej gojës së ferishteve e të foshnjave †

      lavdinë e bëre gati kundër armiqve *

      që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës.

 

Kur e sodis qiellin - veprën e gishtave të tu, *

      hënën e yjet që ti i vendose,

çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, *

      biri i Adamit që të përkujdesesh për të?

 

E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, *

      e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,

i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. *

      Gjithçka vure nën këmbët e tija:

 

delet e kafshët të gjitha, *

      për më tepër edhe egërsirat e fushës,

shpendët e ajrit dhe peshqit e detit, *

      të gjitha që përshkojnë udhët e detit!

 

O Zot, Zoti ynë, *

      sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Lavdisë sate, o Hyj, i këndojnë engjëjt në lartësitë e qiellit.

 

Ant. 2 Për ty këndoj, o Zot, në praninë e engjëjve.

 

Psalmi 138 /137/ (1-8)

 

Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot, *

      sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.

Të këndoj në praninë e engjëjve, *

      adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.

 

E lavdëroj Emrin tënd †

      për dashurinë e besnikërinë tënde, *

      sepse e madhërove tesve premtimin tënd.

 

Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove, *

      shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.

Do të të lavdërojnë, o Zot, të gjithë mbretërit e tokës *

      sepse i dëgjuan premtimet e gojës sate.

 

Do t’i këndojnë udhët e Zotit, *

      sepse e madhe është lavdia e Zotit;

sepse i Lartë është Zoti e i shikon të përvujtët *

      e prej së largu i dallon krenarët.

 

Kur të më duhet të eci në mes të vështirësive, *

      ti ma ruaj jetën,

shtrije dorën kundër zemërimit të armiqve të mi *

      e më shpëto me të djathtën tënde.

 

Çka kam filluar, Zoti do ta kryejë për mua. †

      E amshueshme është, o Zot, mirësia jote: *

      mos e përbuz veprën e duarve të tua!

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Për ty këndoj, o Zot, në praninë e engjëjve.

 

Ant. 3 E pashë para fronit të Hyjit Qengjin e flijuar: dhe ndjeva zërin e shumë engjëjve.

 

Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20

 

E falënderojmë Hyjin, *

      Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,

sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *

      në trashëgimin e shenjtërve në dritë.

 

Ai na nxori nga pushteti i errësirës *

      dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,

në të cilin kemi shpërblimin *

      - faljen e mëkateve.

 

Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *

      i Parëlinduri - para çdo krijese.

Ai është para çdo gjëje *

      dhe çdo gjë qëndron në Të.

 

Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *

      në qiell e në dhe,

      çka shihet e çka nuk shihet.

 

Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *

      Ai është Fillimi,

i Parëlinduri ndër të vdekurit *

      - që të jetë në gjithçka i Pari.

 

Sepse Hyjit i pëlqeu

      të banojë në Të e tërë Plotësia *

      dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.

 

Në saje të Gjakut të kryqit të Tij, †

      Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *

      qoftë në tokë qoftë në qiell.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 E pashë para fronit të Hyjit Qengjin e flijuar: dhe ndjeva zërin e shumë engjëjve.

 

      Leximi i shkurtër Zb 1, 4b-5

 

      Paçi hir dhe paqe prej Atij që është, që ishte dhe që po vjen dhe prej shtatë shpirtrave që janë para fronit të Tij dhe prej Jezu Krishtit, Dëshmitarit besnik, të parëlindurit ndër të vdekur, Sunduesit të mbretërve të tokës! Atij që na do dhe që na çliroi nga mëkatet tona me gjak të vet.

 

      Përgjigjja e shkurtër

 

      C Ngritej te Zoti * aroma e kemit.

      Ngritej te Zoti aroma e kemit.

      D Prej dorës së engjëllit

      aroma e kemit.

      Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

      Ngritej te Zoti aroma e kemit.

 

      Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Engjëlli Gabriel i tha Marisë: Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

      shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

      qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *

      ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

      për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

      hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

      i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

      të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

      duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

      në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. Engjëlli Gabriel i tha Marisë: Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus.

 

      Lutjet e besimtarëve

 

T’i lutemi Zotit që, së bashku me engjëjt, të cilët e kryejnë vullnetin e tij, të jemi më të gatshëm që ta dëgjojmë zërin e tij:

 

      Ty po të lutemi, dëgjoje lutjen tonë.

 

Që nëpër duart e engjëjve porsi tym i erëkëndshëm lutjet tona të ngrihen tek ti.

—    Ty po të lutemi, dëgjoje lutjen tonë.

Që nëpër duart e engjëjve të tu, në lterin tënd të madhërishëm të sillen dhuratat tona.

—    Ty po të lutemi, dëgjoje lutjen tonë.

Që me morinë e ushtrisë qiellore të mund të shpallim lavdí Hyjit në lartësitë qiellore e paqe njerëzve përmbi tokë.

—    Ty po të lutemi, dëgjoje lutjen tonë.

Që në fund të jetës sonë të na marrin engjëjt dhe të na çojnë në atdheun qiellor.

—    Ty po të lutemi, dëgjoje lutjen tonë.

Që shën Mihaeli shpirtrat e të ndjerëve t’i qesë në dritën e përjetshme.

—    Ty po të lutemi, dëgjoje lutjen tonë.

 

      Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

      Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

      Lutja

 

      Në dijen tënde të mrekullueshme, o Zot, ti u përcakton detyrat përkatëse engjëjve dhe njerëzve: bëj të jemi të mbrojtur këtu mbi tokë prej atyre, që vazhdimisht në qiell shërbejnë para fytyrës sate. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.