Mbrëmësorja
30 shtator, Shën Jeronimi, meshtar dhe Mësues i Kishës
mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Pason himni i përshtatshëm.
Himni
Me lavd gazmor i këndojmë Hieronimit,
t’na rrezatojë si ylli i përmendur
për meritë dije e njëkohësisht për vepra
jete të fortë e t’ashpër.
Duke rrëmuar fjalët e fesë e dogmat
e shenjta u orvat t’i shtrijë sa më të qarta,
ja armiqtë, si luan i vrullshëm, i nxitur
t’i mposhtë me zë të mprehtë.
Plot gjallëri i dërsitur lëroi fushat
e blerta t’Shkrimit shenjt zbritur prej qiellit,
prej këtyre i pasur u zbuloi të gjithëve
ushqime t’ëmbla hirit.
Duke lakmuar heshtjen e këndshme të shkretisë,
te djepi i Hyjit qëndroi gjithnjë zgjuar,
duke munduar trupin me ngulm t’i kushtohej
Atit dhuratë e fli.
Zot shumë i mirë, t’kërkojmë me shpirt nga lutjet
e dijetarit t’madh drejtona e ngrohna,
që ne të mundim lavdet e gëzueshme
t’këndojmë ty n’gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 U përmbushtë shpresa e lume, u shfaqtë lavdia e Shëlbuesit tonë!
Psalmi 62 /6l/ (2-13) Vetëm në Hyjin është paqja jonë
Dhe Hyji, në të cilin e kemi shpresën, ju mbushtë me çdo gëzim e paqe në besimin tuaj (Rom 15, 13).
Vetëm në Hyjin pusho, shpirti im, *
sepse prej tij vjen shpëtimi im
Vetëm ai është qeta ime e shpëtimi im, *
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!
Deri kur do të suleni kundër një njeriu, †
do ta rrëzoni të gjithë së bashku *
si murin e prishur, si gardhin e thyer?
Synojnë ta rrëzojnë prej së larti, †
kënaqësinë e gjejnë në rrenë. *
Me gojë bekojnë e me zemër mallkojnë.
Vetëm në Hyjin pusho, o shpirti im, *
vetëm në të qëndron shpresa ime!
Vërtet vetëm Ai është Hyji im e shpëtimi im, *
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!
Në Hyjin është shëlbimi im e nderi im, *
në Hyjin shpresa e fuqisë sime, strehimi im në Hyjin.
Shpreso në të gjithmonë, o popull, †
atij hapi zemrën, *
sepse Hyji është strehimi ynë.
Vërtet si avull janë bijtë e Adamit, *
rrenë e thjeshtë bijtë e njeriut:
në qoftë se hipin në peshore, *
të gjithë dalin më të lehtë se tymi!
Ruaj se shpresoni në dhunë, *
ruaj se ju rren preja;
në pasuri kur ato shtohen *
mos e ngjitni zemrën për to!
Hyji një herë foli, *
unë këto dy herë dëgjova:
»Pushteti i përket Hyjit, *
yti, o Zot, është përdëllimi!
Ti shpërblen gjithkënd *
sipas veprave që të ketë bërë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 U përmbushtë shpresa e lume, u shfaqtë lavdia e Shëlbuesit tonë!
Ant. 2 Ndriçoftë fytyra jote mbi ne, o Zot, na jep bekimin tënd.
Psalmi 67 /66/ (2-8) Mbarë popujt le ta madhërojnë Zotin
Ta dini të gjithë: Shëlbimi i Hyjit u është drejtuar popujve paganë (Vap 28, 28).
Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë, *
bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,
që në tokë të njihet udha e tij, *
në të gjitha kombet shpëtimi i tij.
Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj, *
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
Le të galdojnë e le brohorasin popujt, †
sepse popujt i gjykon me drejtësi, *
sepse kombet mbi tokë ti i sundon.
Të lavdërofshin mbarë popujt, o Hyj, *
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
Toka e dha frytin e vet: *
na bekoftë Hyji, Hyji ynë!
Na bekoftë Hyji! *
Frikë e paçin mbarë skajet e botës!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ndriçoftë fytyra jote mbi ne, o Zot, na jep bekimin tënd.
Ant. 3 Nëpër Krishtin u krijua gjithësia, dhe çdo gjë qëndron në të.
Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20
Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurish.
E falënderojmë Hyjin, *
Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,
sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *
në trashëgimin e shenjtërve në dritë.
Ai na nxori nga pushteti i errësirës *
dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
në të cilin kemi shpërblimin *
- faljen e mëkateve.
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *
i Parëlinduri - para çdo krijese.
Ai është para çdo gjëje *
dhe çdo gjë qëndron në Të.
Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *
në qiell e në dhe,
çka shihet e çka nuk shihet.
Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *
Ai është Fillimi,
i Parëlinduri ndër të vdekurit *
- që të jetë në gjithçka i Pari.
Sepse Hyjit i pëlqeu
të banojë në Të e tërë Plotësia *
dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.
Në saje të Gjakut të kryqit të Tij, †
Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *
qoftë në tokë qoftë në qiell.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Nëpër Krishtin u krijua gjithësia, dhe çdo gjë qëndron në të.
Leximi i shkurtër 1 Pjt 5, 1-4
Eprorëve, që janë ndër ju u sjell vërejtje unë, epror edhe vetë bashkë me ta dhe dëshmitar i mundimeve të Krishtit edhe pjesëtar i Lavdisë që do të zbulohet: ruani grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikëqyreni jo përdhunë, por vullnetarisht, si do Hyji; jo për hir të fitesës së ndytë, por me shpirt gatishmërie, jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por si shembull i grigjës. E kur të shfaqet Kryebariu, do ta merrni kurorën e lavdisë, që kurrë nuk vyshket.
Përgjigjja e shkurtër
C Mik i vërtetë i vëllezërve të tu,
* lutu për popullin tënd.
Mik i vërtetë i vëllezërve të tu, lutu për popullin tënd.
D E dhe jetën për vëllezër,
lutu për popullin tënd.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Mik i vërtetë i vëllezërve të tu, lutu për popullin tënd.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Mësues i fesë dhe dritë e Kishës, shën Jeronim, ti i shqyrtove me dashuri fshehtësitë e Zotit: lute për ne Krishtin Zot.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. Mësues i fesë dhe dritë e Kishës, shën Jeronim, ti i shqyrtove me dashuri fshehtësitë e Zotit: lute për ne Krishtin Zot.
Lutjet e besimtarëve
Ta falëndrojmë Krishtin, Fjalën e bëre njeri, që na e solli porosinë e lumtur të shëlbimit. Atij t’i klithim:
Fjala jote, o Zot, le të na japë jetë.
O Jezu Krisht, ti që i do njerëzit, na dërgove njerëz që të na qesin në të vërtetën tënde,
— bëj që e vërteta jote në ne të bëhet jetë.
Ti na e dhe Shpirtin tënd që të na udhëheqë në të vërtetën
— mos lejo që ta humbim besnikërinë ndaj Shpirtit tënd por nëpër udhëheqjen e tij t’u përgjigjemi shenjave të kohës sonë.
Të gjithë popujt i thirre që të jenë vëllezër e motra në ty
— bëj që edhe populli ynë të shkojë kah dashuria më e madhe ndaj njeriut dhe ta realizojë mbretërinë e dashurisë.
Ti na i dërgove barinjtë dhe mësuesit që të na ndihmojnë në rrugën e shëlbimit
— bëj që t’i rrinë besnikë të vërtetës dhe dashurisë sate.
Ti ua premtove të gjithëve shëlbimin
— pranoji në pushimin e pasosur të gjithë të vdekurit tanë të dashur.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti i dhurove shën Jeronimit meshtar një njohje të thellë depërtuese të Shkrimit të shenjtë: bëj që populli yt të ushqehet përherë me fjalën tënde dhe ta gjejë në të gurrën e jetës. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.