Mbrëmësorja
7 tetor, Shën Maria Virgjër e Rruzares
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Lajmëtare e Mbretit t’epër
e lë shtëpinë atërore,
Terezë, në vise barbare
për të dhënë Krishtin ja gjakun.
Por ty të pret më e këndshme
vdekja, më i ëmbël të lyp dënimi;
me shigjetë të dashurisë hyjnore
goditur në plagë bie.
O fli e dashurisë,
ti zemrat tona ndizi
dhe popujt që të besojnë
liroji nga zjarri i ferrit.
Ty Jezus, dhëndri i virgjërave,
radhët e lume t’adhurofshin,
dhe me këngën e dasmës
të lavdërofshin në çdo shekull. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.
Psalmi 126 /125/ (1-6) O Zot, gëzimi dhe shpresa jonë
Mbasi jeni pjesëtarë në vuajtje, do të jeni edhe në ngushëllim (2 Kor 1, 7).
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz *
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
Asohere thuhej ndër paganë: *
»Zoti bëri për ta punë të mëdha!«
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *
e zemrat na u mbushën me gëzim!
Ktheji, o Zot, robërit tanë *
porsi përrenjtë e mesditës!
Ata që mbjellin me lot, *
deh, le të korrin me gëzim!
Në të shkuar ecnin e qanin *
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *
duke mbartur dorëzat e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.
Ant. 2 Ndërtoje, o Zot, shtëpinë tonë, ruaje qytetin tënd.
Psalmi 127 /126/ (1-5) Çdo përpjekje është e kotë pa ndihmën e Zotit
Nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet. Ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit (1Kor 3, 7. 9).
Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, *
kot mundohen ata që e ndërtojnë.
Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, *
kot rri zgjuar ai që e ruan.
Kot e keni të çoheni para drite *
dhe vonë të shkoni në pushim,
ju që e hani bukën e mundit: *
të dashurve të vet u jep edhe në gjumë.
Ja: bijtë janë dhuratë e Zotit, *
fryti i barkut është shpërblimi i tij.
Porsi shigjetat në dorën e trimit *
të tillë janë djemtë e rinisë.
Lum ai burrë që e mbushi kukurrën me të tillë: *
s’do të turpërohet kur të fjaloset me armiq në log.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ndërtoje, o Zot, shtëpinë tonë, ruaje qytetin tënd.
Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.
Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20
Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.
E falënderojmë Hyjin, *
Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,
sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *
në trashëgimin e shenjtërve në dritë.
Ai na nxori nga pushteti i errësirës *
dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
në të cilin kemi shpërblimin *
- faljen e mëkateve.
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *
i Parëlinduri - para çdo krijese.
Ai është para çdo gjëje *
dhe çdo gjë qëndron në Të.
Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *
në qiell e në dhe,
çka shihet e çka nuk shihet.
Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *
Ai është Fillimi,
i Parëlinduri ndër të vdekurit *
- që të jetë në gjithçka i Pari.
Sepse Hyjit i pëlqeu
të banojë në Të e tërë Plotësia *
dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.
Në saje të Gjakut të kryqit të Tij, †
Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *
qoftë në tokë, qoftë në qiell.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.
Leximi i shkurtër Gal 4, 4-5
Kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar Ligjit, që t'i shpërblente të nënshtruarit e Ligjit, që ne ta fitonim bijësinë në shpirt.
Përgjigjja e shkurtër
C Të falemi Mari, hirplote * Zoti me ty.
Të falemi Mari, hirplote Zoti me ty.
D Je më e bekuar se të gjitha gratë
dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd,
Zoti me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Të falemi Mari, hirplote Zoti me ty.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Maria meditonte në zemrën e vet ndodhitë e mrekullueshme të Birit të vet.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Maria meditonte në zemrën e vet ndodhitë e mrekullueshme të Birit të vet.
Lutjet e besimtarëve
Hyjin, Atin e gjithëpushtetshëm, ta lavdërojmë, sepse na dha në Marinë një peng të sigurt ngushëllimi dhe shprese. Atij t’ia drejtojmë lutjen e përvujtë:
Ndërmjetësoftë për ne Nëna e Birit tënd.
O Hyj, që bën mrekulli, Virgjërën Mari të pamëkat me trup dhe shpirt e bëre pjesëtare të lavdisë së Krishtit,
— drejtoji kah lavdia e amshuar edhe zemrat e besimtarëve.
Marinë na e dhe për Nënë; bëj që, me ndihmën e saj, të shërohen të sëmurët, të pikëlluarit të ngushëllohen, mëkatarët të falen,
— dhe të gjithë ta fitojnë paqen dhe shëlbimin.
Marinë e bëre Hirplote,
— bëj që të gjithë të gëzohemi për dhuntitë e Shpirtit tënd.
Bëj që Kisha jote të mbetet një zemre dhe e bashkuar në dashurinë tënde
— dhe besimtarët të qëndrojnë në lutje së bashku me Marinë, nënën e Krishtit.
Marinë e kurorëzove për mbretëreshë në qiell
— bëj që të vdekurit në mbretërinë tënde të gëzohen me shenjtërit e tu.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Hirin tënd, o Zot, ndikoje në shpirtin tonë: ti me anë të engjëllit lajmërues na vure në dijeni për mishërimin e Birit tënd, bëj që, në sajë të mundimit e të kryqit të Krishtit e me ndërmjetësinë e shën Marisë Virgjër, t’ia arrijmë lumturisë së ngjalljes. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.