Mbrëmësorja

15 tetor, Shën Tereza e Jezusit, virgjër dhe Mësuese e Kishës

 

MBRËMËSORJA

 

   Himni

 

   Kjo është dita, ku i bardhë

   si pëllumbeshë, në qiej

   ndër tempuj të shenjtëruar

   flutroi shpirti i Terezës.

 

   Dëgjoi zërat e dhëndrit:

   “Motër, nga maja e Karmelit

   eja n’gostinë e Qengjit;

   n’kunorë të lumnisë eja”.

 

   Ty, Jezus, dhëndri i virgjërave,

   radhët e lume adhurofshin,

   dhe me këngë martesore

   lavdrofshin në gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Në ty shpresoj, o Zot, dashuria ime dhe strehimi im.

 

   Psalmi 144 /143/ I (1-8) Lutja e Mbretit për fitore dhe për paqe

 

   Duart e tija e filluan luftën kur ai e mundi mbretërinë e së keqes. Ai tha: Keni besim në mua, unë e munda botën! (Krh. Gjn 16, 33) (Shën Ilari).

 

Qoftë bekuar Zoti, ndihmëtari im †

   që m’i mëson duart për luftim *

   e gishtërinjtë për luftë.

 

Mëshira ime dhe kështjella ime, *

   strehimi im dhe çlirimtari im,

shqyti im pas të cilit fshihem, *

   ai që popullin tim e vë nën sundimin tim.

 

O Zot, e ç’është njeriu që t’i japësh rëndësi, *

   biri i njeriut që të kujdesesh për të?

Njeriu i përngjan avullit, *

   ditët e tij si hija që kalon.

 

O Zot, priri qiejt e tu e zbrit, *

   preki malet e ato le të tymojnë.

Gjuaj rrufe e shpërndaji armiqtë, *

   flakëro shigjetat dhe shpartalloji!

 

Shtrije dorën tënde prej së larti †

   më shpëto e më nxirr prej ujërave të mëdha, *

   prej kthetrave të bijve të huaj,

 

goja e të cilëve gënjeshtra veç flet, *

   e djathta e të cilëve ngrihet për t’u betuar në rrenë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Në ty shpresoj, o Zot, dashuria ime dhe strehimi im.

 

Ant. 2 Lum ai popull që Hyjin e ka Zot!

 

   Psalmi 144 /143/ II (9-15) Lutja e Mbretit

 

   Hyji na ngjalli në Jezu Krishtin që ta tregojë në shekujt e ardhshëm pasurinë e patregueshme të hirit të tij nëpërmes mirësisë së tij ndaj nesh (krh. Ef 2, 6. 7).

 

O Zot, për ty do ta këndoj një këngë të re, *

   për ty do të luaj në harpën dhjetë kordash,

sepse mbretërve ti u jep fitoren, *

   e shpëton Davidin, shërbëtorin tënd,

   prej shpatës vrastare.

 

Më shpëto e më liro *

   prej kthetrave të bijve të të huajve,

goja e të cilëve gënjeshtra veç flet, *

   e djathta e të cilëve ngrihet për t’u betuar në rrenë.

 

Bëj që fëmijët tanë të jenë porsi pema *

   që rritet në rininë e vet,

bijat tona porsi shtyllat e këndeve, *

   të hijshme porsi shtyllat e Tempullit.

 

Drithnikët tanë mbushi plot e përplot *

   me gjithfarë frytesh me mbushulli,

 

dhentë tona me mijëra u shtofshin, †

   të panumërta nëpër fushat tona, *

   gjedhet tona të majme e të shëndosha.

 

Rrënime as sulme mos pastë në muret tona, *

   as vaj e gjëmë ndër sheshet tona!

 

Lum ai popull që i ka këto të mira, *

   lum ai popull që Hyjin e ka Zot!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Lum ai popull që Hyjin e ka Zot!

 

Ant. 3 Ja tani koha e shëlbimit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë.

 

   Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a Gjyqi i Zotit

 

Po të falënderojmë, o Zotëri,

   Hyj i Gjithëpushtetshëm, *

   ty që je, ty që ishe,

 

sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *

   dhe e more mbretërimin!

 

Paganët u hidhëruan, †

   por arriti zemërimi yt! *

   Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,

 

koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *

   profetët dhe shenjtërit

dhe për të gjithë ata që e druajnë Emrin tënd *

   - për të vegjël e të mëdhenj.

 

Ja, tani koha e shëlbimit, †

   e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *

   dhe e sundimit të Krishtit të tij!

 

Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *

   që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

 

Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit †

   dhe në saje të dëshmisë së vet: *

   nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.

 

Prandaj galdo, o qiell, *

   galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ja tani koha e shëlbimit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë.

 

   Leximi i shkurtër Krh. 1 Kor 7, 32. 34

 

   I pamartuari kujdeset për punët e Zotit: si t'i pëlqejë Zotit. Po edhe gruaja e pamartuar dhe virgjëresha kujdeset për punët e Zotit, që të jetë e shenjtë [e] me trup e me shpirt.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Hyjnë me gëzim virgjërat * në dasmën e Qengjit.

   Hyjnë me gëzim virgjërat në dasmën e Qengjit.

   D Janë të udhëhequra në pallatin e mbretit,

   në dasmën e Qengjit.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Hyjnë me gëzim virgjërat në dasmën e Qengjit.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Eja nusja e Krishtit, pranoje kurorën që Zoti të ka bërë gati.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

   Ant. Eja nusja e Krishtit, pranoje kurorën që Zoti të ka bërë gati.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Ta lavdërojmë me gëzim Krishtin Zot, që e lartësoi virgjërinë e zgjedhur për shkak të mbretërisë së qiellit, dhe atij t’ia drejtojmë lutjen tonë:

 

   O Krisht, dhëndri i virgjërave, dëgjoje lutjen tonë.

 

O Krisht, ti je dhëndri i vetëm i Kishës. Ti deshe që ajo të të dalë përpara sikur virgjër e pastër,

— bëje gjithmonë të shenjtë dhe të papërlyer.

O Zot, virgjërat e shenjta të erdhën në takim me dritëzat e ndezura,

— mos lejo që njerëzve të shuguruar t’u mungojë drita e besnikërisë dhe e dashurisë.

O Zot, për ty Kisha, virgjër dhe nënë, e ruajti të patëmetë fenë e saj,

— bëj që të gjithë të krishterët t’i mbesin besnikë fjalës sate.

Ti që na e jep gëzimin ta kremtojmë kujtimin e lavdishëm të shën Terezës virgjërës së shenjtë,

— bëj që gjithmonë t’i gëzohemi ndërmjetësisë së saj.

Ti që virgjërat e shenjta i pranove në dasmën tënde,

— bëj që besimtarët e vdekur të marrin pjesë në gazmendin e gostisë së amshuar.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti me frymëzimin e Shpirtit tënd e mësove shën Terezën të tregojë në Kishën tënde një udhë të re përsosmërie, bëj që edhe ne të gjejmë në mësimin e saj ushqimin shpirtëror e të ndizemi flakë nga dëshira e shenjtërisë së vërtetë. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.