Mbrëmësorja
28 tetor, Shën Simoni dhe Shën Juda, apostuj
MBRËMËSORJA
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Ngazëllimi i përbashkët i himnit
të ngrejë lart ju, Apostuj,
që i njëjti hir ju mbledh,
një lavdi kurorzon.
Nga flakë qiellore i nxitur,
pas gjurmëve të Krishtit,
ecën, Simon, e atë e shpall
përshkuar nga zell i shkathët.
Yt vëlla prej gjaku, ithtar
e vëlla në shpirt i Krishtit,
ti Judë, predikon Mjeshtrin,
me shkrime mëson vëllezrit.
Asnjëri nuk friksohet
me derdhë gjakun e pastër,
i shquar për t’vërtetën
qoftë dëshmitar dhe flije.
O yje t’epra t’qiellit,
na jepni n’vështirësira
t’fuqishëm me besim t’pathyeshëm
të synojmë ndër qiellorët.
Atit në përjetësi lavdia,
Birit dhe Ngushllimtarit,
n’lumni tyre qiellore
për jetë bashkë të gëzojmë. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ju, nxënësit e mi, më keni qëndruar besnikë në momentin e tundimit.
Psalmi 116 /115/ (10-19)
Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *
»Jam i pafat për së tepërmi!«.
Në hutimin tim kam thënë: *
»Rrenacak është çdo njeri!«
Si do t’ia shpërblej Zotit *
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
Do të ngre gotën e shëlbimit *
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij.
E çmueshme është para Zotit *
vdekja e shenjtërve të tij.
O Zot, unë jam shërbëtori yt, †
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *
Ti i këpute hekurat e mi:
ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit, *
midis teje, o Jerusalem!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Ju, nxënësit e mi, më keni qëndruar besnikë në momentin e tundimit.
Ant. 2 Unë jam në mes jush si shërbëtor i të gjithëve.
Psalmi 126 /125/ (1-6)
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz *
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
Asohere thuhej ndër paganë: *
»Zoti bëri për ta punë të mëdha!«
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *
e zemrat na u mbushën me gëzim!
Ktheji, o Zot, robërit tanë *
porsi përrenjtë e mesditës!
Ata që mbjellin me lot, *
deh, le të korrin me gëzim!
Në të shkuar ecnin e qanin *
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *
duke mbartur duajt e vet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 2 Unë jam në mes jush si shërbëtor i të gjithëve.
Ant. 3 Nuk ju thërras shërbëtorë, por miq: sepse ju tregova gjithçka dëgjova prej Atit tim.
Kënga Krh. Ef 1, 3-10
Qoftë bekuar Hyji.*
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
në qiell në Krishtin.
Në Të na zgjodhi *
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
para Tij në dashuri.
Ai na parashënoi për vete *
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
me pëlqimin e vullnetit të vet
për nder të lavdisë së hirit të tij *
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
e fituam shpërblimin;
në Të na u falën fajet *
me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
bashkë me çdo urti e kuptim.
Ai na vuri në dijeni *
mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
qysh më parë ta kryente në Të
kur të plotësohej koha: *
të vërë çdo gjë
nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësitë *
që janë në qiell e në tokë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3 Nuk ju thërras shërbëtorë, por miq: sepse ju tregova gjithçka dëgjova prej Atit tim.
Leximi i shkurtër Krh. Ef 4, 11-13
Krishti i ‘dha' disa apostuj, disa tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, do të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t'i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, deri që të gjithë t'ia arrijmë njësisë së fesë dhe njohjes së Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit.
Përgjigjja e shkurtër
C Shpallni në mes të popujve * mrekullitë e Zotit.
Shpallni në mes të popujve mrekullitë e Zotit.
D Kumtoni në mbarë kombet,
mrekullitë e Zotit.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Shpallni në mes të popujve mrekullitë e Zotit.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të vijë në lavdi, ju do të mbretëroni me të mbi dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. Në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të vijë në lavdi, ju do të mbretëroni me të mbi dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
Lutjet e besimtarëve
Të ndërtuar mbi themelin e apostujve, t’i lutemi Zotit, Hyjit të gjithëpushtetshëm, për popullin e tij të shenjtë dhe t'i drejtohemi duke i thënë:
O Zot, le të të bjerë në mend për Kishën tënde.
O Atë, ti deshe që Biri yt i ngjallur prej të vdekurve së pari t'u lajmërohet apostujve
— bëj që të jemi dëshmitarët e tij deri në mbarim të botës.
Birin tënd e dërgove në botë që të varfërve t'u shpallë lajmin e gëzueshëm të shëlbimit
— bëj që Ungjilli t'i predikohet çdo krijese.
Birin tënd e dërgove që ai ta mbjellë farën e fjalës
— bëj që edhe ne të cilët në vuajtje e mbjellim farën, me gëzim të korrim frytet e saj.
Ti e dërgove Birin tënd që me gjakun e vet ta pajtojë botën me ty
— bëj që të gjithë ne të marrim pjesë në pajtimin tënd me botën.
Birin tënd e vure në qiell në të djathtën tënde
— merri në Mbretërinë e të të lumturve të vdekurit tanë të dashur.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti bëre që me anë të predikimit të apostujve të tu të njohim emrin tënd: bëj që, me anë të uratës së shën Simonit e Judës, Kisha jote vazhdimisht të shkojë duke u rritur me pranimin e Ungjillit prej popujve të rinj. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.