Mbrëmësorja
1 nëntor, Të gjithë shenjtërit
MBRËMËSORJA I
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
O Krisht, shëlbuesi i t’gjithëve
ruaji shërbëtorët e tu,
zbutur nga lutjet shenjte
të Virgjërës përherë të lume.
Të lume dhe ju vallet
e shpirtrave qiellorë,
dëmet e shkuara e t’tashme
dëboni dhe të ardhshmet.
Profetë e apostuj t’Hyjit
gjykatës të amshueshëm,
përvuajtas po ju lypim
shëlbim me lutjet tuaja.
Martirë të ndritur t’Hyjit
dhe dëshmitarë të pastër,
ne me uratat tuaja
na mbartni ndër qiellorët.
Koret e virgjërave shenjte
dhe i të gjithë murgarëve,
së bashku me gjithë shenjtrit
bëni pjestarë të Krishtit.
Trinisë i qoftë lavdia,
bashkoni zërat tuaja
që asaj lavdet e duhura
t’ia thurim gjallërisht. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.
Ant. 1 Për shenjtërit e tu, o Hyj, shkëlqen një dritë e amshuar dhe një jetë e pafund, aleluja.
Psalmi 113 /112/ (1-9)
Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit, *
lavdërojeni, Emrin e Zotit!
Qoftë bekuar Emri i Zotit *
qysh tash e deri në amshim,
Që kur lind dielli e derisa perëndon *
qoftë bekuar Emri i Zotit!
I madhërueshëm është Zoti mbi të gjithë popujt, *
lavdia e tij i tejkalon qiejt
Kush është si Zoti, Hyji ynë, †
që fronin e ka në Lartësi, *
e nga lart vrojton qiellin e tokën?
Nga pluhuri e ngre skamnorin, *
nga llomi e lartëson të vobektin
për ta vënë të rrijë me princa, *
me princat e popullit të vet.
Ai bën të banojë beronja në shtëpi të vet *
nënë fëmijësh të gëzueshëm.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Për shenjtërit e tu, o Hyj, shkëlqen një dritë e amshuar dhe një jetë e pafund, aleluja.
Ant. 2 Jerusalem, qytet i Hyjit, bijtë e tu do të jenë gëzimi yt: të gjithë do të jenë të bekuar dhe të bashkuar pranë Zotit, aleluja.
Psalmi 147 (1-9)
Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, *
madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!
Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua, *
i bekoi bijtë e tu në ty!
Ai ua siguron kufijve të tu paqen, *
ai të ushqen me palcën e grurit.
Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë, *
lajmi i tij vrapon me shpejtësi.
E hedh borën porsi lesh, *
e derdh brymën porsi hi.
E lëshon breshrin porsi kafshatë, *
kush mund të qëndrojë para të ftohtit të tij?
E dërgon fjalën e vet e ato shkrihen, *
çon erën e vet e ujërat rrjedhin.
Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit, *
drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.
Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër: *
asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Jerusalem, qytet i Hyjit, bijtë e tu do të jenë gëzimi yt: të gjithë do të jenë të bekuar dhe të bashkuar pranë Zotit, aleluja.
Ant. 3 Shenjtërit e këndojnë një këngë të re para Hyjit dhe para Qengjit: himni i tyre jehon përmbi tokë, aleluja.
Kur këndohet kjo këngë, atëherë Aleluja mund të përsëritet disa herë çdo dy apo katër rreshta.
Kënga Krh. Zb 19, 1-7 Dasma e Qengjit
Aleluja!
Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, *
(C Aleluja.)
sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij *
(C Aleluja.)
të gjithë ju që e druani - të vegjël e të mëdhenj!
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Mbretëron Zoti, *
(C Aleluja.)
Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi!
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Le të galdojmë e të brohorasim *
(C Aleluja.)
dhe t’i japim lavdi Atij.
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Sepse erdhi Dasma e Qengjit! *
(C Aleluja.)
Gati është Nusja e tij.
C Aleluja (aleluja).
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Shenjtërit e këndojnë një këngë të re para Hyjit dhe para Qengjit: himni i tyre jehon përmbi tokë, aleluja.
Leximi i shkurtër Heb 12, 22-24a
I jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë, Jerusalemit qiellor: numrit të pamasë të engjëjve të bashkuar në festë, bashkimit të parëlindurve, emrat e të cilëve janë të shkruar në qiell, Hyjit - Gjyqtarit të të gjithëve, shpirtrave të të drejtëve që ia arritën përsosmërisë, Jezusit - Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re dhe Gjakut stërpikës që flet më mirë se gjaku i Abelit.
Përgjigjja e shkurtër
C Galdojnë të drejtët * në praninë e Zotit.
Galdojnë të drejtët në praninë e Zotit.
D Gëzim i madh e galdim i pakufi
në praninë e Zotit.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Galdojnë të drejtët në praninë e Zotit.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Të brohorit kori i apostujve edhe turma e panjollë e martirëve; zërat e profetëve bashkohen në lavdinë tënde; Kisha e shenjtërve e shpall lavdinë tënde: Trini e Shenjtë, një i vetmi Hyj!
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Të brohorit kori i apostujve edhe turma e panjollë e martirëve; zërat e profetëve bashkohen në lavdinë tënde; Kisha e shenjtërve e shpall lavdinë tënde: Trini e Shenjtë, një i vetmi Hyj!
Lutjet e besimtarëve
Me gëzim t’i lutemi Zotit, burim dhe shpërblim të çdo shenjtërie:
O Zot, na shpëto me ndërmjetësinë e shenjtërve të tu.
O Zot i madh, ti nëpër Krishtin apostujt i vure për themel të Kishës
— ruaji besimtarët e tu në mësimin e tyre.
Ti martirëve ua dhe fuqinë që për ty të dëshmojnë deri në gjakderdhje
— bëj që të krishterët të jenë dëshmitarë besnikë të Birit tënd.
Ti virgjrave të shenjta u dhe dhuratën e mrekullueshme që ta ndjekin Krishtin
— bëj që virgjëria e kushtuar të mos i mungojë Kishës si shenjë e veçantë të të mirave qiellore.
Ti në të gjithë shenjtërit e tregon pranishmërinë dhe mirësinë tënde,
— bëj që duke i nderuar ata, të ndihemi në bashkim me Ty.
Bëj që të vdekurit gjithnjë të banojnë me Virgjrën Mari, shën Jozefin dhe të gjithë shenjtërit
— dhe me ndërmjetësinë e tyre na prano edhe ne një ditë në lavdinë e shtëpisë sate.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti na dhe hirin t’i nderojmë meritat e të gjithë Shenjtërve në një festë të vetme: me ndërmjetësinë e përbashkët të të gjithëve, na dhuro mëshirën tënde të pakufi. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.