Mbrëmësorja

1 nëntor, Të gjithë shenjtërit

 

MBRËMËSORJA II

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   O Krisht, shëlbuesi i t’gjithëve

   ruaji shërbëtorët e tu,

   zbutur nga lutjet shenjte

   të Virgjërës përherë të lume.

 

   Të lume dhe ju vallet

   e shpirtrave qiellorë,

   dëmet e shkuara e t’tashme

   dëboni dhe të ardhshmet.

 

   Profetë e apostuj t’Hyjit

   gjykatës të amshueshëm,

   përvuajtas po ju lypim

   shëlbim me lutjet tuaja.

 

   Martirë të ndritur t’Hyjit

   dhe dëshmitarë të pastër,

   ne me uratat tuaja

   na mbartni ndër qiellorët.

 

   Koret e virgjërave shenjte

   dhe i të gjithë murgarëve,

   së bashku me gjithë shenjtrit

   bëni pjestarë të Krishtit.

 

   Trinisë i qoftë lavdia,

   bashkoni zërat tuaja

   që asaj lavdet e duhura

   t’ia thurim gjallërisht. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.

 

Ant. 1 Dhe pashë para fronit një turmë të madhe, prej çdo kombi e fisi, dhe askush nuk mund t’i numëronte.

 

Psalmi 110 /109/ (1-5. 7)

 

I tha Zoti Zotit tim: *

   »Rri në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu *

   shtrojë për këmbët e tua!«

 

Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *

   sundo midis armiqve të tu!

 

Ty të përket më i larti pushtet *

   në ditën e fuqisë sate

në shkëlqime të shenjta *

   nga kraharori para Yllit të Dritës

   unë të linda.

 

Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *

   Ti je prift për amshim

   në mënyrën e Melkizedekut.«

 

Zoti është në të djathtën tënde, *

   i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.

 

Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *

   prandaj lart do ta ngrejë kokën.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Dhe pashë para fronit një turmë të madhe, prej çdo kombi e fisi, dhe askush nuk mund t’i numëronte.

 

Ant. 2 Hyji i provoi dhe i gjeti të denjë për vete: do ta pranojnë një kurorë të shkëlqyer prej dorës së Zotit.

 

Psalmi 116 /115/ (10-19)

 

Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *

   »Jam i pafat për së tepërmi!«.

Në hutimin tim kam thënë: *

   »Rrenacak është çdo njeri!«

 

Si do t’ia shpërblej Zotit *

   për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?

Do të ngre gotën e shëlbimit *

   e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

 

Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *

   në praninë e mbarë popullit të tij.

E çmueshme është para Zotit *

   vdekja e shenjtërve të tij.

 

O Zot, unë jam shërbëtori yt, †

   shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *

   Ti i këpute hekurat e mi:

 

ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *

   me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

 

Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *

   në praninë e mbarë popullit të tij,

në oborret e Shtëpisë së Zotit, *

   midis teje, o Jerusalem!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hyji i provoi dhe i gjeti të denjë për vete: do ta pranojnë një kurorë të shkëlqyer prej dorës së Zotit.

 

Ant. 3 Me gjakun tënd ti na shpërbleve, na thirre prej çdo populli dhe race, prej çdo gjuhe dhe kombësie: bëre prej nesh një mbretëri për Hyjin tonë.

 

Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12.

 

I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *

   të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,

 

sepse ti krijove gjithçka, †

   dhe me vullnetin tënd *

   gjithçka u bë dhe u krijua!

 

Ti je i denjë, o Zot,

   të marrësh librin *

   dhe t’ia zgjidhësh vulat,

 

sepse qe prerë †

   dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *

   njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,

 

dhe i bëre për Hyjin tonë

   mbretëri dhe priftërinj *

   dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.

 

I denjë është Qengji i prerë †

   të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *

   fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Me gjakun tënd ti na shpërbleve, na thirre prej çdo populli dhe race, prej çdo gjuhe dhe kombësie: bëre prej nesh një mbretëri për Hyjin tonë.

 

   Leximi i shkurtër 2 Kor 6, 16b; 7, 1

 

   Ne jemi Tempulli i Hyjit të gjallë, siç tha vetë Hyji: 'Do të banoj në ta e ndër ta do të eci, do të jem Hyji i tyre dhe ata populli im.

   Pasi ne i kemi këto premtime, të pastrohemi, o të dashurit e mi, nga çdo ndyrësi e trupit dhe e shpirtit, e ta përfundojmë shenjtërimin tonë në frikën e Hyjit.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Shenjtër të Zotit, * galdoni në Zotin.

   Shenjtër të Zotit, galdoni në Zotin.

   D Hyji ju zgjodhi si trashëgimi të vetën:

   galdoni, në Zotin.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Shenjtër të Zotit, galdoni në Zotin.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Mbretëri e lavdishme, ku shenjtërit kënaqen me Krishtin dhe me petka të bardha shkojnë pas Qengjit.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Mbretëri e lavdishme, ku shenjtërit kënaqen me Krishtin dhe me petka të bardha shkojnë pas Qengjit.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Me gëzim t’i lutemi Zotit, burim dhe shpërblim të çdo shenjtërie:

 

O Zot, na shpëto me ndërmjetësinë e shenjtërve të tu.

 

O Zot i madh, ti nëpër Krishtin apostujt i vure për themel të Kishës

— ruaji besimtarët e tu në mësimin e tyre.

Ti martirëve ua dhe fuqinë që për ty të dëshmojnë deri në gjakderdhje

— bëj që të krishterët të jenë dëshmitarë besnikë të Birit tënd.

Ti virgjrave të shenjta u dhe dhuratën e mrekullueshme që ta ndjekin Krishtin

— bëj që virgjëria e kushtuar të mos i mungojë Kishës si shenjë e veçantë të të mirave qiellore.

Ti në të gjithë shenjtërit e tregon pranishmërinë dhe mirësinë tënde,

— bëj që duke i nderuar ata, të ndihemi në bashkim me Ty.

Bëj që të vdekurit gjithnjë të banojnë me Virgjrën Mari, shën Jozefin dhe të gjithë shenjtërit

— dhe me ndërmjetësinë e tyre na prano edhe ne një ditë në lavdinë e shtëpisë sate.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti na dhe hirin t’i nderojmë meritat e të gjithë Shenjtërve në një festë të vetme: me ndërmjetësinë e përbashkët të të gjithëve, na dhuro mëshirën tënde të pakufi. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.