Mbrëmësorja
2 Nëntor, Shërbesa e të ndjerëve
MBRËMËSORJA
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Mbret i fuqisë së pamasë,
Krisht, ti lavdinë e Atit
dhe stolinë tonë duke e ngritur,
shigjetat e vdekjes theve.
Duke heqë dobësitë tona,
n’ luftën e madhe u hodhe,
vdekjen me t’ cilën fitoi gjarpri,
ti duke vdekë fitues e mposhte.
I fortë nga varri i ngritur,
ne me mister të Pashkës
përsëri nga mëkati të vdekur
n’jetë përgjithmonë përtërive.
Na jep jetën e hirit,
që kur të kthehesh dhëndër,
me llambë ne të pajisur
t’na gjesh për qiell të gatshëm.
Neve në dritë e prehje
gjyqtar i qetë pranona,
ne feja e Trinisë Shenjte
e dashnia na i hoqën prangat.
Vllezër e të gjithë thirri,
që tash nga trupi të zhveshur,
synojnë mbretrinë e Atit,
që ty t’ lavdërojnë pareshtur.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Zoti të ruan prej çdo të keqeje, ai e ruan jetën tënde.
Psalmi 121 /120/ (1-7)
Sytë e mi i çoj drejt maleve: *
prej nga do të më vijë mua ndihma?
Ndihma ime vjen prej Zotit, *
i cili krijoi qiellin e tokën.
S’do te lejojë të të merren këmbët, *
nuk do të kotet ai që të ruan.
Ja, s’do të kotet as s’do të flejë, *
ai që e ruan Izraelin.
Zoti është rojtari yt, †
Zoti është hija jote, *
Zoti është në të djathtën tënde!
Dielli nuk do të të bëjë keq ditën, *
as hëna natën.
Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe, *
Zoti do ta ruajë jetën tënde.
Zoti do të ruajë vajtjet e ardhjet e tua *
që tani e përgjithmonë e jetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zoti të ruan prej çdo të keqeje, ai e ruan jetën tënde.
Ant. 2 Nëse i shikon mëkatet, o Zot, kush do të qëndrojë para shikimit tënd?
Psalmi 130 /129/ (1-8)
Prej humnerës klitha tek ti, o Zot, *
o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu, *
zërin e lutjes sime.
Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, *
o Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por te ti gjendet falja *
që të dimë të të druajmë.
Shpresoj në ty, o Zot, *
shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret shpirti im Zotin *
më tepër se rojtarët agimin.
Më tepër se rojtarët agimin *
le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira *
dhe i madh është tek Ai shpërblimi.
Ai do ta nxjerrë Izraelin *
prej të gjitha paudhësive të tija.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Nëse i shikon mëkatet, o Zot, kush do të qëndrojë para shikimit tënd?
Ant. 3 Sikurse Ati, që ringjall dhe jep jetën, ashtu edhe Biri u jep jetën atyre që i do.
Kënga Fil 2, 6-11
Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *
barazinë e vet me Të
nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,
por ia mohoi vetvetes *
e mori natyrën e shërbëtorit
dhe u bë i ngjashëm me njerëz
dhe, për kah pamja e jashtme, *
dukej vetëm njeri.
E përuli vetveten
duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*
mu deri në vdekje në kryq.
Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *
dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër
që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *
i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë
dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *
‘Jezu Krishti është Zot!’
Në nder të Hyjit Atë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Sikurse Ati, që ringjall dhe jep jetën, ashtu edhe Biri u jep jetën atyre që i do.
Leximi i shkurtër Krh. 1 Kor 15, 55-57
‘O vdekje, ku është ngadhënjimi yt? Ku është, o vdekje, thimthi yt?' Thimthi i vdekjes mëkati; fuqia e mëkatit Ligji. Ta falënderojmë Hyjin që na e jep fitoren nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë.
Përgjigjja e shkurtër
C Në ty, o Zot, shpresova,
* nuk do të turpërohem kurrë.
Në ty, o Zot, shpresova,
nuk do të turpërohem kurrë.
D Do të galdoj me gëzim për shkak të mëshirës sate,
nuk do të turpërohem kurrë.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Në ty, o Zot, shpresova,
nuk do të turpërohem kurrë.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Ata që mi dha Ati do të vijnë tek unë; e atë që vjen tek unë, unë nuk do ta qes jashtë.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ata që mi dha Ati do të vijnë tek unë; e atë që vjen tek unë, unë nuk do ta qes jashtë.
Lutjet e besimtarëve
Krishti Zot do të shndërrojë trupin tonë të mjerë në shëmbëllesën e trupit të tij të lavdishëm. Atij t’ia drejtojmë lavdin tonë:
Ti je jeta dhe ringjallja jonë, o Zot.
O Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, ti që e ringjalle prej të vdekurve mikun tënd Lazrin,
— ringjalli në jetën dhe në lavdinë e amshuar të ndjerët, të cilët i shëlbove me çmimin e Gjakut tënd.
O Krisht, ti që i ngushëllove motrat e Lazrit dhe familjen e djaloshit e të vajzës së vdekur,
— ngushëlloji ata që qajnë për vdekjen e të dashurve të tyre.
O Krisht shëlbues, liroje trupin tonë të vdekshëm prej pushtetit të mëkatit,
— na e jep shpërblimin e jetës së pasosur.
O Krisht shëlbues, shikoji me mirësi ata që jetojnë pa shpresë, sepse nuk të njohin ty,
— jepu atyre besimin në ringjallje dhe në jetën e ardhshme.
Ti, që duke i hapur sytë e të verbrit, u shfaqe mrekullisht në shikimin e tij,
— zbulojua fytyrën tënde të vdekurve, të cilëve ende u mungon shikimi yt i lavdishëm.
O Zot, kur të shkatërrohet banesa jonë në këtë botë,
— na e përgatit një shtëpi të amshuar, jo të ndërtuar prej duarve të njeriut, në paqen e Jerusalemit të shenjtë.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Dëgjoje, o Hyj, lutjen që bashkësia e besimtarëve të tu ta lartëson në fenë e Zotit të ringjallur, dhe përforcoje në ne shpresën e lumtur se së bashku me vëllezërit e motrat tona të vdekura do të ringjallemi në Krishtin në një jetë të re. Nëpër të njëjtin Krisht.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.