Mbrëmësorja
4 nëntor, Shën Karl Boromeo, ipeshkëv
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Shkëlqen ndër qiej meshtari i përmendur,
ylli i dijetarëve lëshon dritë e flakë,
duke shpërndarë ndriçim t’paprekur feje
n’viset e botës.
Sion i lartë, për qytetar kaq t’ndritur
me haré thuri lavde Zotit të shëlbimit,
që atë për vete e lidhi me mënyrë mahnitëse
me ndriçim duke e mbushur.
Ky fenë e shenjtë gjithnjë e forcon syhapur,
dhe me fuqi mposht armët e gabimeve,
doket e pista i pastron e i dëbon
me dogmë t’qartë.
Vëzhgues jetëdhënës i grigjës së Krishtit,
shkëlqen model i klerit dhe i murgjëve,
gjithmonë fytyrën dashamirë të Hyjit
na bëj në lutje.
Lavdi, nderim, virtyt Trinisë së lumtur,
për t’cilën n’tokë me dashni e zell punove
punët e larta e t’ndritshme duke vrojtuar
n’yje plot dritë zotron. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.
Psalmi 126 /125/ (1-6) O Zot, gëzimi dhe shpresa jonë
Mbasi jeni pjesëtarë në vuajtje, do të jeni edhe në ngushëllim (2 Kor 1, 7).
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz *
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
Asohere thuhej ndër paganë: *
»Zoti bëri për ta punë të mëdha!«
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *
e zemrat na u mbushën me gëzim!
Ktheji, o Zot, robërit tanë *
porsi përrenjtë e mesditës!
Ata që mbjellin me lot, *
deh, le të korrin me gëzim!
Në të shkuar ecnin e qanin *
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *
duke mbartur dorëzat e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.
Ant. 2 Ndërtoje, o Zot, shtëpinë tonë, ruaje qytetin tënd.
Psalmi 127 /126/ (1-5) Çdo përpjekje është e kotë pa ndihmën e Zotit
Nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet. Ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit (1Kor 3, 7. 9).
Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, *
kot mundohen ata që e ndërtojnë.
Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, *
kot rri zgjuar ai që e ruan.
Kot e keni të çoheni para drite *
dhe vonë të shkoni në pushim,
ju që e hani bukën e mundit: *
të dashurve të vet u jep edhe në gjumë.
Ja: bijtë janë dhuratë e Zotit, *
fryti i barkut është shpërblimi i tij.
Porsi shigjetat në dorën e trimit *
të tillë janë djemtë e rinisë.
Lum ai burrë që e mbushi kukurrën me të tillë: *
s’do të turpërohet kur të fjaloset me armiq në log.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ndërtoje, o Zot, shtëpinë tonë, ruaje qytetin tënd.
Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.
Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20 Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.
E falënderojmë Hyjin, *
Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,
sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *
në trashëgimin e shenjtërve në dritë.
Ai na nxori nga pushteti i errësirës *
dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
në të cilin kemi shpërblimin *
- faljen e mëkateve.
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *
i Parëlinduri - para çdo krijese.
Ai është para çdo gjëje *
dhe çdo gjë qëndron në Të.
Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *
në qiell e në dhe,
çka shihet e çka nuk shihet.
Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *
Ai është Fillimi,
i Parëlinduri ndër të vdekurit *
- që të jetë në gjithçka i Pari.
Sepse Hyjit i pëlqeu
të banojë në Të e tërë Plotësia *
dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.
Në saje të Gjakut të kryqit të Tij, †
Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *
qoftë në tokë, qoftë në qiell.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.
Leximi i shkurtër 1 Pjt 5, 1-4
Eprorëve, që janë ndër ju u sjell vërejtje unë, epror edhe vetë bashkë me ta dhe dëshmitar i mundimeve të Krishtit edhe pjesëtar i Lavdisë që do të zbulohet: ruani grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikëqyreni jo përdhunë, por vullnetarisht, si do Hyji; jo për hir të fitesës së ndytë, por me shpirt gatishmërie, jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por si shembull i grigjës. E kur të shfaqet Kryebariu, do ta merrni kurorën e lavdisë, që kurrë nuk vyshket.
Përgjigjja e shkurtër
C Mik i vërtetë i vëllezërve të tu,
* lutu për popullin tënd.
Mik i vërtetë i vëllezërve të tu, lutu për popullin tënd.
D E dhe jetën për vëllezër,
lutu për popullin tënd.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Mik i vërtetë i vëllezërve të tu, lutu për popullin tënd.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Të falënderoj, o Krisht, Barí i mirë, sepse ti më udhëhoqe në lavdi: grigja që ti më dhé le të jetë me mua në mbretërinë tënde.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. Të falënderoj, o Krisht, Barí i mirë, sepse ti më udhëhoqe në lavdi: grigja që ti më dhé le të jetë me mua në mbretërinë tënde.
Lutjet e besimtarëve
Lavdi i qoftë Krishtit, të caktuar kryeprift për njerëzit para Hyjit. Të bashkuar në lutjen e mbrëmjes, ta thërrasim emrin e tij:
Shpëtoje popullin tënd, o Zot.
Ti që në Kishën tënde zgjove barinj të shenjtë dhe të urtë,
— bëj që bashkësia e krishterë të jetë gjithmonë e udhëhequr prej njerëzve të urtë dhe bujarë.
Ti ia fale mëkatet popullit tënd për shkak të lutjeve të barinjve të shenjtë, që ndërmjetësonin sikurse Moisiu,
— për hir të meritave të tyre pastroje dhe ripërtërije gjithmonë Kishën tënde.
Në mes të vëllezërve i zgjodhe frymëzuesit dhe udhëheqësit e popullit tënd dhe i shugurove me vulën e Shpirtit Shenjt,
— mbushi me dhuratat e tua ata që i vure në udhëheqje të Kishës së shenjtë.
Ti, që je trashëgimi i apostujve dhe i pasardhësve të tyre,
— bëj që mos të birret askush prej atyre që i shëlbove me gjakun tënd.
Ti që nëpërmjet barinjve të Kishës kujdesesh për besimtarët e tu, që askush të mos rrëmbehet prej dorës sate,
— bëj që ipeshkvijtë, meshtarët dhe besimtarët e ndjerë të mblidhen të gjithë në gëzimin e mbretërisë sate.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Ruaje, në popullin tënd, o Zot, shpirtin që e frymëzoi shën Karlin ipeshkëv, që Kisha jote të përtërihet vazhdimisht e, duke i përngjarë Krishtit, t’ia tregojë botës fytyrën e tij. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.