Mbrëmësorja
10 nëntor, Shën Leoni i madh, papë dhe mësues i Kishës
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
O burrë i lartë, me pamje t’ndritshme
virtyti, prano himnin,
që kur me t’drejtë t’lavdëron,
këndon mrekullitë e Hyjit.
Qe Kryeprift i amshuar
me Zotin bashkoi sojin
e njerzve, e me paqë t’re
e besë për jetë na lidhi.
Ai ty parashikues të bëri
mbarështues n’shërbesë të vet,
për t’i dhënë lavdi Atit
dhe jetë grigjës së vet.
Një të marrë çelsat prej qiellit
vathën e Pjetrit ruajte,
me fjalë të hirit grigjën
me vepra t’pastra e ngrohje.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Si mund t’i këndojmë këngët e Zotit në dhé të huaj?
Psalmi 137 /136/ (1-6) Mbi lumenjtë e Babilonisë
Derisa të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit; sepse jetojmë në fe e jo në pamje të Zotit (2 Kor 5, 6. 7).
Mbi lumenj të Babilonit,
atje rrinim e lotonim *
e nëpër mend shkonim Sionin.
Në shelgje, në mes të tij, *
qeset tona në gem i varëm.
Shi atje shpërngulësit tanë *
t’u këndojmë prej nesh kërkuan,
të gëzohemi shtypësit urdhëronin: *
»Na i këndoni këngët e Sionit!«
Po si mundim t’i këndojmë *
këngët e Zotit në dhe të huaj?
Oh, m’u thaftë-o krahu mua, *
Jerusalem për në të harrofsha,
për qiellzë gjuha m’u kaptë mua, *
të të kujtoj ty nëse unë pushofsha,
në mos e vënça Jerusalemin *
mbi të gjitha gëzimet e mia!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Si mundim t’i këndojmë këngët e Zotit në dhé të huaj?
Ant. 2 Ty, o Zot, do të të këndojnë praninë e engjëjve.
Psalmi 138 /137/ (1-8) Himn falënderimi
Mbretërit e dheut në të do ta sjellin lavdinë e vet (Zb 21, 24).
Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot, *
sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.
Të këndoj në praninë e engjëjve, *
adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.
E lavdëroj Emrin tënd †
për dashurinë e besnikërinë tënde, *
sepse e madhërove tesve premtimin tënd.
Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove, *
shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.
Do të të lavdërojnë, o Zot, të gjithë mbretërit e tokës *
sepse i dëgjuan premtimet e gojës sate.
Do t’i këndojnë udhët e Zotit, *
sepse e madhe është lavdia e Zotit;
sepse i Lartë është Zoti e i shikon të përvujtët *
e prej së largu i dallon krenarët.
Kur të më duhet të eci në mes të vështirësive, *
ti ma ruaj jetën,
shtrije dorën kundër zemërimit të armiqve të mi *
e më shpëto me të djathtën tënde.
Çka kam filluar, Zoti do ta kryejë për mua. †
E amshueshme është, o Zot, mirësia jote: *
mos e përbuz veprën e duarve të tua!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ty, o Zot, do të të këndoj në praninë e engjëjve.
Ant. 3 Lavdi ty, Qengj i prerë, ty nderi dhe pushteti në shekuj.
Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12. Himni i të shëlbuarve
I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *
të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,
sepse ti krijove gjithçka, †
dhe me vullnetin tënd *
gjithçka u bë dhe u krijua!
Ti je i denjë, o Zot,
të marrësh librin *
dhe t’ia zgjidhësh vulat,
sepse qe prerë †
dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *
njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,
dhe i bëre për Hyjin tonë
mbretëri dhe priftërinj *
dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.
I denjë është Qengji i prerë †
të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *
fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lavdi ty, Qengj i prerë, ty nderi dhe pushteti në shekuj.
Leximi i shkurtër 1 Pjt 5, 1-4
Eprorëve, që janë ndër ju u sjell vërejtje unë, epror edhe vetë bashkë me ta dhe dëshmitar i mundimeve të Krishtit edhe pjesëtar i Lavdisë që do të zbulohet: ruani grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikëqyreni jo përdhunë, por vullnetarisht, si do Hyji; jo për hir të fitesës së ndytë, por me shpirt gatishmërie, jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por si shembull i grigjës. E kur të shfaqet Kryebariu, do ta merrni kurorën e lavdisë, që kurrë nuk vyshket.
Përgjigjja e shkurtër
C Mik i vërtetë i vëllezërve të tu,
* lutu për popullin tënd.
Mik i vërtetë i vëllezërve të tu, lutu për popullin tënd.
D E dhe jetën për vëllezër,
lutu për popullin tënd.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Mik i vërtetë i vëllezërve të tu, lutu për popullin tënd.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Në mbarë Kishën Pjetri shpall çdo ditë: Ti je Krishti, biri i Hyjit të gjallë
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. Në mbarë Kishën Pjetri shpall çdo ditë: Ti je Krishti, biri i Hyjit të gjallë.
Lutjet e besimtarëve
Lavdi i qoftë Krishtit, të caktuar kryeprift për njerëzit para Hyjit. Të bashkuar në lutjen e mbrëmjes, ta thërrasim emrin e tij:
Shpëtoje popullin tënd, o Zot.
Ti që në Kishën tënde zgjove barinj të shenjtë dhe të urtë,
— bëj që bashkësia e krishterë të jetë gjithmonë e udhëhequr prej njerëzve të urtë dhe bujarë.
Ti ia fale mëkatet popullit tënd për shkak të lutjeve të barinjve të shenjtë, që ndërmjetësonin sikurse Moisiu,
— për hir të meritave të tyre pastroje dhe ripërtërije gjithmonë Kishën tënde.
Në mes të vëllezërve i zgjodhe frymëzuesit dhe udhëheqësit e popullit tënd dhe i shugurove me vulën e Shpirtit Shenjt,
— mbushi me dhuratat e tua ata që i vure në udhëheqje të Kishës së shenjtë.
Ti, që je trashëgimi i apostujve dhe i pasardhësve të tyre,
— bëj që mos të birret askush prej atyre që i shëlbove me gjakun tënd.
Ti që nëpërmjet barinjve të Kishës kujdesesh për besimtarët e tu, që askush të mos rrëmbehet prej dorës sate,
— bëj që ipeshkvijtë, meshtarët dhe besimtarët e ndjerë të mblidhen të gjithë në gëzimin e mbretërisë sate.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti nuk lejon që fuqitë e së keqes të mbizotërojnë mbi Kishën tënde të themeluar mbi shkëmbin e pathyeshëm apostolik: bëj që, me ndërmjetësinë e shën Leonit papë, të qëndrojë palëkundshmërisht në të vërtetën tënde e ta gëzojë vazhdimisht paqen. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.