Mbrëmësorja
11 nëntor, Shën Martini nga Toursi, ipeshkëv
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Po ai dëshmitar i shuguruar i Zotit,
kremtjet e t’cilit n’botë i feston populli,
sot i gëzueshëm meritoi të ngjitet
në fshehtësitë e qiellit.
Që i drejtë, i urtë, i pastër, i përvuajtur,
qe i përkorë, i ndershëm dhe i paqët,
ndërsa kur ishte n’jetë i gjallëroi gjymtyrët
e trupit t’vet.
Te varri i tij i shenjtëruar dendur
për t’gjetë shërim gjymtyrët e të dergjurve
nga çfarëdo smurje t’ishin të rënduar,
në vig i shpinin.
Prandaj tani kori i ynë në nderin
e atij, këndon këtë himn me gjithë dëshirë,
që nga meritat e atij të drejta
në çdo kohë të ndihmohemi.
Shpëtimi i qoftë Atij, lavdi e virtyti,
që rri në majën më të lartë të qiellit,
drejton makinën e tërë rruzullimit
Një në tre Vetë. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Njeri i mrekullueshëm! Nuk e druajti vdekjen dhe nuk i refuzoi vuajtjet e kësaj jete.
Psalmi 15 /14/ (1-5)
O Zot, e kush do të guxojë të hyjë në tendën tënde? *
Kush do të guxojë të banojë në malin tënd të shenjtë?
Vetëm ai që jeton me nder, *
që vepron me drejtësi
e prej zemrës flet të vërtetën, *
që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton, *
që shokun nuk e çnderon:
ai që bakeqin e mban për asgjë *
e i çmon ata që e druajnë Zotin,
ai që i përbehet dashamirit të vet
dhe ia mban fjalën, †
nuk jep të holla me kamatë *
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu *
kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Njeri i mrekullueshëm! Nuk e druajti vdekjen dhe nuk i refuzoi vuajtjet e kësaj jete.
Ant. 2 O Zot, nëse mund t’i shërbej ende popullit tënd, nuk e refuzoj mundin: u bëftë vullneti yt.
Psalmi 112 /111/ (1-10)
Lum ai njeri që e druan Zotin, *
që kënaqet në urdhërimet e tij.
Fara e tij do të jetë e fortë mbi tokë, *
do të bekohet breznia e të drejtëve.
Pasuri e mirëqenie në shtëpinë e tij, *
drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.
Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë: *
i butë e i mëshirshëm është njeriu i drejtë.
I ëmbël është njeriu që përdëllen e huajon, †
punët e veta i kryen me ndërgjegje, *
ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.
Në kujtim të përhershëm mbetet i drejti, *
nuk i trembet lajmit të keq.
E patrandshme është zemra e tij me shpresë në Zotin, †
të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet *
armiqtë e vet i bën asgjë.
Është dorëdhënë, u fal skamnorëve; †
drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve, *
balli i tij ngallit për nder.
E sheh bakeqi dhe hidhërohet, †
me dhëmbë kërcëllon e vyshket. *
Dëshira e mëkatarëve shkon huq.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 O Zot, nëse mund t’i shërbej ende popullit tënd, nuk e refuzoj mundin: u bëftë vullneti yt.
Ant. 3 Martini ipeshkëv e la këtë botë: gur i çmuar i barinjve, tash jeton në Krishtin.
Kënga Krh. Zb 15, 3-4
Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †
o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *
Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
o Mbreti i popujve!
Kush të mos të druajë ty, o Zot, †
dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *
Ti i vetmi, je Shenjti!
Të gjitha kombet do të vijnë †
dhe do të adhurojnë para Teje, *
sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Martini ipeshkëv e la këtë botë: gur i çmuar i barinjve, tash jeton në Krishtin.
Leximi i shkurtër 1 Pjt 5, 1-4
Eprorëve, që janë ndër ju u sjell vërejtje unë, epror edhe vetë bashkë me ta dhe dëshmitar i mundimeve të Krishtit edhe pjesëtar i Lavdisë që do të zbulohet: ruani grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikëqyrni jo përdhunë, por vullnetarisht, si do Hyji; jo për hir të fitesës së ndytë, por me shpirt gatishmërie, jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por si shembull i grigjës. E kur të shfaqet Kryebariu, do ta merrni kurorën e lavdisë, që kurrë nuk vyshket.
Përgjigjja e shkurtër
C U lut shumë për vëllezërit, * sepse i donte.
U lut shumë për vëllezërit, sepse i donte.
D Për ta e dha jetën e vet,
sepse i donte.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
U lut shumë për vëllezërit, sepse i donte.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Martin, ipeshkëv i shenjtë, me të gjitha fuqitë e deshe Krishtin Mbret dhe nuk iu frikësove fuqive të botës. E fitove lavdinë e martirëve, edhe pse shpata nuk të goditi.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Martin, ipeshkëv i shenjtë, me të gjitha fuqitë e deshe Krishtin Mbret dhe nuk iu frikësove fuqive të botës. E fitove lavdinë e martirëve, edhe pse shpata nuk të goditi.
Lutjet e besimtarëve
Lavdi i qoftë Krishtit, të caktuar kryeprift për njerëzit para Hyjit. Të bashkuar në lutjen e mbrëmjes, ta thërrasim emrin e tij:
Shpëtoje popullin tënd, o Zot.
Ti që në Kishën tënde zgjove barinj të shenjtë dhe të urtë,
— bëj që bashkësia e krishterë të jetë gjithmonë e udhëhequr prej njerëzve të urtë dhe bujarë.
Ti ia fale mëkatet popullit tënd për shkak të lutjeve të barinjve të shenjtë, që ndërmjetësonin sikurse Moisiu,
— për hir të meritave të tyre pastroje dhe ripërtërije gjithmonë Kishën tënde.
Në mes të vëllezërve i zgjodhe frymëzuesit dhe udhëheqësit e popullit tënd dhe i shugurove me vulën e Shpirtit Shenjt,
— mbushi me dhuratat e tua ata që i vure në udhëheqje të Kishës së shenjtë.
Ti, që je trashëgimi i apostujve dhe i pasardhësve të tyre,
— bëj që mos të birret askush prej atyre që i shëlbove me gjakun tënd.
Ti që nëpërmjet barinjve të Kishës kujdesesh për besimtarët e tu, që askush të mos rrëmbehet prej dorës sate,
— bëj që ipeshkvijtë, meshtarët dhe besimtarët e ndjerë të mblidhen të gjithë në gëzimin e mbretërisë sate.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti bëre që të ndriçojë lavdia jote si në jetë ashtu në vdekje të shën Martinit ipeshkëv: ripërtëriti në ne mrekullitë e hirit tënd, që të mos na ndajë prej dashurisë sate as jeta as vdekja. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.