Mbrëmësorja

17 nëntor, Shën Elizabeta e Hungarisë, rregulluare

 

MBRËMËSORJA

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

      Himni

 

      Të gjithë të lavdërojmë gruan

      e fortë me shpirt burrnor,

      që me lavdi shenjtërie,

      kudo shkëlqen famëmadhe.

 

      Nga dashni e shenjtë plagosur,

      ndërsa shkel gjëra të pavlefshme

      të kësaj bote, drejt qiellit

      rrugën e vështirë e kreu.

 

      Mposht me agjërime trupin,

      duke ushqyer mendjen

      me ushqim t’ëmbël të lutjes,

      shtie n’dorë gëzimet e qiellit.

 

      Krisht Mbret, fuqi e të fortve,

      që veç ti bën punë të mëdha,

      me uratë të kësaj, të lypim,

      mirëdashës dëgjo lutësit.

 

      Ty, Jezus, t’ qoftë lavdia,

      që na jep të shpresojmë

      t’lumes shërbëtore kushtet,

      dhe çmimet e amshueshme. Amen.

 

Ant. 1 Lartësoje, o Zot, Krishtin tënd dhe ne do t’i këndojmë ngadhënjimit tënd.

 

Psalmi 20 /19/ (2-10) Lutje për fitoren e Mbretit-Mesi

 

      Kushdo ta thërrasë në ndihmë Emrin e Zotit, do të shëlbohet (Vap 2, 21).

 

Të dëgjoftë Zoti në ditë të vështirë, *

      zot të daltë Emri i Hyjit të Jakobit!

Ta çoftë ndihmën prej Shenjtërores *

      e të mbroftë nga Sioni!

 

i rëntë në mend për të gjitha flitë e tua, *

      u kënaqtë në flinë tënde të shkrumbimit!

I plotësoftë të gjitha dëshirat e tua, *

      i çoftë në vend të gjitha synimet e tua!

 

U gëzofshim për ngadhënjimin tënd, †

      lart i ngritshim flamujt për nder të Emrit të Hyjit! *

      I plotësoftë Zoti të gjitha kërkesat e tua!

 

Tani po e di se Zoti e shpëton të shuguruarin e vet, †

      e dëgjon nga qielli i vet i shenjtë *

      me fuqi ngadhënjyese të së djathtës së vet.

 

Disa mburren me qerre e disa me kuaj: *

      ne në Emër të Zotit, Hyjit tonë, jemi të fortë.

Ata rrëshqitën dhe u rrëzuan, *

      ne qëndrojmë drejt, të pathyeshëm.

 

O Zot, shpëtoje mbretin tonë, *

      na dëgjo kur të të thërrasim në ndihmë.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Lartësoje, o Zot, Krishtin tënd dhe ne do t’i këndojmë ngadhënjimit tënd.

 

Ant. 2 I këndojmë këngë dhe himne pushtetit tënd, o Zot.

 

Psalmi 21 /20/ (2-8. 4) Falënderim për fitoren e Mbretit-Mesi

 

      Në ringjallje e pranoi jetën dhe lavdinë për të gjithë shekujt e shekujve (Shën Ireneu).

 

O Zot, mbreti gëzohet në saje të fuqisë sate, *

      plot hare e mbush shpëtimi yt.

Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij, *

      nuk i përbuze lutjet e buzëve të tij.

 

Që më parë i dhe bekime të mëdha: *

      mbi krye i vure kurorë ari të kulluar.

T’u lut për jetë e ti i dhe *

      ditë të shumta - në jetë të jetës.

E madhe është lavdia e tij në shpëtimin tënd: *

      e stolise me madhëri e me shkëlqim.

Ti e bëre bekim përgjithmonë, *

      e kënaqe me gëzim në praninë tënde.

 

Sepse mbreti shpresën e ka në Zotin, *

      në saje të besnikërisë së të Lartit Zot s’do të trandet.

Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde, *

      e ne do të këndojmë

      e do të vallëzojmë për ngadhënjimin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 I këndojmë këngë dhe himne pushtetit tënd, o Zot.

 

Ant. 3 Na bëre, o Zot, një popull mbretërish dhe priftërinj për Hyjin tonë.

 

Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12. Himni i të shëlbuarve

 

I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *

      të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,

 

sepse ti krijove gjithçka, *

      dhe me vullnetin tënd gjithçka u bë dhe u krijua!

 

Ti je i denjë, o Zot,

      të marrësh librin *

      dhe t’ia zgjidhësh vulat,

 

sepse qe prerë †

      dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *

      njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,

 

dhe i bëre për Hyjin tonë

      mbretëri dhe priftërinj *

      dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.

 

I denjë është Qengji i prerë †

      të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *

      fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Na bëre, o Zot, një popull mbretërish dhe priftërinj për Hyjin tonë.

 

      Leximi i shkurtër Rom 8, 28-30

 

      Ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur. Sepse, ata që ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi.

 

      Përgjigjja e shkurtër

 

      C Zoti të zgjodhi * dhe të parapëlqeu.

      Zoti të zgjodhi dhe të parapëlqeu.

      D Në tendën e vet të bëri të banosh,

      dhe të parapëlqeu.

      Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

      Zoti të zgjodhi dhe të parapëlqeu.

 

      Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

      Ant. Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua. Ejani, të bekuarit e Atit tim, pranojeni mbretërinë e përgatitur për ju që nga fillimi i botës.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

      shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

      qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *

      ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

      për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

      hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

      i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

      të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

      duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

      në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua. Ejani, të bekuarit e Atit tim, pranojeni mbretërinë e përgatitur për ju që nga fillimi i botës.

 

      Lutjet e besimtarëve

 

Me ndërmjetësinë e çmueshme të të gjithë shenjtërve dhe shenjtëreshave të qiellit t’i lutemi Zotit:

 

      Le të të bjerë ndër mend për Kishën tënde, o Zot.

 

Për hir të martireve të shenjta, që me forcë të krishterë mundën vdekjen,

—    jepi Kishës sate, që gjendet në mes të vuajtjeve dhe vështirësive, fuqinë e Shpirtit tënd.

Për të gjitha ato që u shenjtëruan me hirin e sakramentit të martesës,

—    jepi Kishës sate frytshmërinë apostolike.

Për të vejat, që e shndritën vetminë e tyre me lutje dhe me vepra dashurie,

—    bëj që Kisha jote t’i dëshmojë botës fuqinë e mistershme të dashurisë dhe të lutjes.

Për nënat e shenjta, që i lindën dhe i edukuan fëmijët e tyre për një jetë të ndershme qytetare dhe për dëshminë e mbretërisë sate,

—    bëj që Kisha jote t’i lindë të gjithë njerëzit në të vërtetën dhe në hirin tënd.

Për të gjitha gratë e shenjta, të cilat e merituan të kundrojnë dritën e fytyrës sate,

—    bëj që vëllezërit tanë e motrat tona të vdekura ta shijojnë gëzimin e jetës së pasosur.

 

      Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

      Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

      Lutja

 

      O Hyj, ti ia dhe hirin shën Elizabetës ta njohë dhe ta nderojë Krishtin në skamnorë, bëj që edhe ne, me ndërmjetësinë e saj, t’u shërbejmë me dashuri të palodhshme atyre që gjenden në nevojë dhe në vuajtje. Nëpër Zotin.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.